AKTUALITET

Pedagogët nuk tërhiqen nga kërkesat e tyre, nesër sërish në protestë për pagat/ Sindikata: Do qëndrojmë fort!

09:29 - 04.10.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Kur ndajnë vetëm dy javë nga fillimi i vitit të ri akademik, universitetet rrezikojnë të mos hapin dyert pas protestave të pedagogëve, të cilët kanë vendosur ta bojkotojnë mësimin nëse kërkesa e tyre për shtesë në pagë nuk përfillet.




Përmes një deklarate për mediat, Sindikata e punonjësve të universiteteve lajmëroi protestë ditën e nesërme ku ftoi të marrin pjesë të gjithë ata që punojnë në universitete. Nga ana tjetër, u bëri thirrje stafeve drejtuese të mos intimidojnë pjesëmarrjen e tyre.

DEKLARATA

“Le të bëhemi këtë herë të gjithë bashkë në emër të misionit tonë akademik. Të gjithë profesorët që dëshirojnë që studentët nesër të ushtrojnë profesionin e tyre, sot duhet të bëhemi bashkë për ta bërë këtë profesion misionar të mirëpaguar. Më datën 5 tetor, të mërkurën ora 11:00, le të bëhemi të gjithë bashkë për të demonstruar se misioni ynë i përbashkët akademik të mos mbetet vetëm brenda mureve. Do të na duhet të jemi të gjithë bashkë jo thjesht për kërkesa ekonomike, por për një vlerësim dinjitoz të punës tonë”, deklaroi kryetari i Sindikatës së Punonjësve të Universiteteve, Sandër Kovaçi, në thirrjen drejtuar çdo personi që punon në institucionet e arsimit të lartë, nga stafet mbështetëse te pedagogët të bëhen “një” për qëllimin e përbashkët, që sipas tij, nuk është vetëm në terma financiare e për më tepër nuk ka lidhje me ngjyrat politike.

“Nuk po kërkojmë thjesht rritje të pagave, pasi vlera e punës sonë duhet të jetë gjithmonë më shumë se çdo vlerë monetare. Misioni ynë akademik nuk ka njësi matëse. Ju bëjmë me dije se do të qëndrojmë fort për të konkretizuar kërkesat tona legjitime në vlerësim të dinjiteti profesional që ka për qëllim t’i shërbejë vetëm të mirë publike, larg interesit të politikës së ditë. Ftojmë kolegët e universiteteve në mbarë Shqipërinë që të mbështesin protestën e datës 5 tetor, këtu përpara godinës së Universitetit Politeknik të Tiranës.

Le ta bëjmë këtë godinë simbol të qëndresës akademike”, shtoi Kovaçi. Një apel ruajti kreu i Sindikatës së Punonjësve Universitarë për drejtuesit e institucioneve të arsimit të lartë publik të të gjitha rangjeve teksa iu kujton edhe Kodin e Punës. “Ju lutem të qëndroni në lartësinë e detyrës dhe funksionit tuaj akademik, duke mos penguar apo intimiduar pjesëmarrjen në këtë protestë të stafit. Në vëmendjen tonë është mbrojtja e të drejtave të çdo pjesëmarrësi në këtë protestë. Në anën tonë, kemi vetëm të drejtën dhe ligjin. Sipas nenit 197, pika 4 e kodit të punës, ndalohet çdo veprim që përfshin shtrëngim, cenim apo diskriminim ndaj punëmarrësve për shkak të pjesëmarrjes në grevë”.

“JO LËMOSHË”

Nuk bëhet fjalë për shifra qesharake, por trajtim dinjitoz njëjtë si pedagogët e vendeve fqinje. Së paku, Kosova. “Sindikata dhe stafet akademike presin një rritje serioze që të bëjë ndryshim në institucionet e arsimit të lartë dhe jo lëmosha siç theksohet në mënyrë informale. Brenda 2-3 viteve, t’iu afrohemi pagesave të pedagogëve në universitetet e Kosovës.

Pra, në vitin e parë kemi kërkuar 30% dhe në vitin e dytë 20%. Ne do të qëndrojmë fort deri në konkretizimin plotësisht të kërkesës së sindikatës dhe stafit administrativ. Bojkoti është një nga mënyrat që do të përdoret”, vuri në dukje Sandër Kovaçi, duke lënë të nënkuptohet se protesta është vetëm hapi i parë drejt përmbushjes së kërkesave që ata i kanë parashtruar qeverisë me kohë. Në 31 gusht, sindikata e punonjësve në universitete i nisi një peticion Kryeministrisë dhe Ministrisë së Arsimit ku u parashtronin me argumente, përse paga e tyre duhej të rishikohej.

ÇFARË KËRKUAN PEDAGOGËT

-Rritjen e pagave për pedagogët dhe stafin ndihmës akademik e administrativ;

-Të arrihet niveli i pagave të universiteteve publike të Kosovës brenda 2 viteve, me rritje 30 % në tetor 2022 dhe 20 % në tetor 2023. Rritjen e financimit për kërkimin shkencor që të jetë të paktën 0.3 % e GDP, më 2023;

-Rivendosjen e shtesave mbi pagë për laborantët dhe stafin akademik që punojnë në laboratorë;

-Rritjen e shtesës mbi pagën për vjetërsinë në punë, për personelin akademik të punësuar me kohë të plotë në IAL-të publike, për çdo vit pune;

-Rritjen e pagesës së orëve të ngarkesës suplementare për pedagogët e brendshëm (PAE) dhe pedagogët e jashtëm me kontratë;

-Rivlerësimin e orës mësimore;

-Rishikimin e tatimit prej 23% mbi pagesën ngarkesës suplementare.

ÇFARË VENDOS MINISTRIA

Mbështetje e kërkimit shkencor, e cila do të reflektohet edhe në Strategjinë e re Kombëtare të Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit;

-Rishikohet udhëzimi për veprimtarinë dhe ngarkesën mësimore të pedagogëve; Rishikohen procedurat për pagesën e orëve suplementare;

-Rishikohen kriteret për marrjen e titujve akademike;

-Rritet transparenca për veprimtarinë akademike dhe financiare të universiteteve.


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. Sulltanpiktori u ka deklaruar investitireve te huaj se ne Shqioeri nuk ka sindikata.Fatkeqesisht nuk ka genjyer,se i prishi me kembengulje paraardhesi i tij.Per cdo levizje sindikaluste,na keni mbeshtetje te gjitheve.Sindikate pa u paguar kuotazacion individual sindikalist nuk ka.

    Përgjigju ↓