


VALENTINA MADANI/ Kryeministri Edi Rama u kthye dje përgjigje akuzave të opozitës për draftmarrëveshjen për ndërtimin e portit të ri të Durrësit nga kompania e investitorit nga Dubai, MuhametAlabbar, përmes fyerjeve dhe ofendimeve.
Në një fjalim të gjatë në Parlament, Rama përdori një lumë akuzash dhe fyerjesh ndaj opozitës, duke i vënë asaj epitete nga më të ndryshmet. Kryeministri u mundua që të sqarohej se po fliste jo me fyerje, por me gjuhën e mësuesve të vetë, duke përmendur emra shkrimtarësh shqiptarë. Janë 62 fraza fyese të kreut të qeverisë ndaj rivalëve të vetë politikë, gjatë 3 fjalimeve të tij në Kuvend, në intervale të ndryshme. Fyerjet kulmuan në fjalimin e tretë 53- minutësh të Ramës.
E si për ironi për t’ju përgjigjur akuzave, Kryeministri në fund të fjalimit të tij ndaj atyre që i cilëson “të paudhë” pohoi se iu kishte lënë Zotin. “Po kur thonë do na e lënë Shqipërinë pa port tradhtarët? E kanë thënë gjithmonë. Për portet ankohen më shumë ata që s’dinë not. Nuk e them unë. Kjo është gjuha e mësuesve të mi dhe sot kam ardhur përmes tyre, unë thjesht lexoj. Po si mor do e lëmë pa port? Është shkruar, puna nis me fazën e parë që është jashtë portit.
Të gjitha spostimet nga porti i vjetër i aktiviteteve tregtare që janë aty të koncesionuar më parë do vazhdojnë të pandërprera deri kur të jetë gati porti i ri. Janë të shkruara në marrëveshje. I dinë dhe këta. Tani u duket të tërëve me mufo e me çufo deri tenapoloni i gjirizeve”, deklaroi Rama. Seanca e djeshme maratonë, u cilësua si më e “shtrenjta”, pasi u diskutua mbi buxhetin për vitin 2023 dhe projekti i portit të Durrësit.
Pikërisht, diskutimi i kontratës mes qeverisë shqiptare dhe kompanisë “Emaar” për transformimin e portit të Durrësit e futi Parlamentin në kaos. Lideri demokrat Sali Berisha bllokoi foltoren e Parlamentit dhe pasi iu ndërpre fjala, zoti Berisha i rrethuar nga punonjësit e Gardës, nisi transmetimin e fjalës “live” në “Facebook”. Berisha e quajti kontratën si plaçkitja më e madhe në historinë e Shqipërisë. Kurse Edi Rama shpërtheu në sulme ndaj opozitës. Madje, kreu i qeverisë përdori Nolin e Konicën për të etiketuar opozitën.
FYERJET
– Fotografitë nuk janë “live” o Ferdinand. Cilësia e diellit është “live”, fotografitë jo (ironizon deputetin e PD-së);
– T’i themi kemi 30 shtëpi me prezencë në ujë dhe “qimi.net” që thotë se”janë 30 mijë hajdeni shpejt se do thajmë qimin”;
– Të kesh dy, një ta mbash dhe një ta çash;
– Jeni fiks si këto pamje (tregon kanalet e ujërave të zeza në portin e Durrësit);
– Zëdhënësit e rinj të mallkimit, të një poshtërie të vjetër që e përndjek si hije këtë vend;
– Jeni si Abdyl Ypi;
– Puna juaj është e ngatërruar (citon Konicën), e shtrembër, e ndyrë;
– Esati dhe kulishi i tij janë gjallë mes nesh duke lodruar me Shqipërinë, bashkë me vagabondët e 1914;
– Me poshtërsinë e vjetër në gojë:”shaj e mallko”, pleksin çdo gjë me punët e tyre të ngatërruara, të shtrembra e të mallkuara;
– Ajo tokë është e ndotur, si ajo vrima që ju ngeli në dorë;
– Nuk lini dy gurë bashkë për t’ia mbajtur lidhur pas fytyre Shqipërisë;
– Ngriheni me tamtame tërë mugot e gagaçopulli i këtij vatani;
– Dokrra të hinit, prodhimet e zjarrit të akuzave dhe shpifjeve për portin e Durrësit (citon Fishtën);
– Minj të gjirizit në apolonik të kohës që i kërkuan që ta kërcejnë napolonin me shaminë e ndarë (shigjeton qeverinë e vitit 2006);
– Çfarë sysh do hapni ju?! Nuk ju lë mallkimi që keni mision;
– Zëdhënësit e sotëm, të hijes së mallkimit që përndjek Shqipërinë do kishin atë port turistik;
– S’keni si ta dini dhe nuk e kuptoni dot se njeriu mund të jetë ndryshe nga ju;
– Jeni mëkuar me ujin e zi të punëve të brendshme të shtrembra, të ngatërruara, të ndyrë të napolonit të gjirizeve;
– Jeni mësuar të vini vërdallë si gomaricat e “Zullullandit” të Faik Beut;
– Kur ngulni gozhdën ju ngelet vrima (citon Faik Konicën);
– A do qumësht, a do dhallë, gomaricat vijnë vërdallë. Bandi-Dandikadi-randi, rroftë e qoftë SaliDhandi (qeshin deputetet e PS-së);
– I tërë soji dhe sorollopi i këtij katundi politik e mediatik të mblidhet dhe hidhet përpjetë, nuk ka shans që t’ia vrasë shansin Durrësit;
– Mufogagaçopullo thotë se: mu-mu mund të quhet në shqip lidhja e të poshtërve (citon në gjuhë të ndryshme frazën, qeshin deputetët e PS-së);
– Gjirizi i korrupsionit;
– Çuni i napolonit;
– Katandisen me kërcimtarë nga belaja;
– Le ta përsërisë sa të dojë bashkë me këlyshin e tij Dervishin, që e lëshojnë si jargë në kanale dixhitale;
– Le ta hapin sa të duan katranët, si mynxyra;
– Ju ka ngelur vrima në dorë, pasi ju doli gozhda;
– Ndotja në Durrës, si lukunia juaj;
– Gagaçopullot janë fis i madh;
– Njëri nga mufot me buzët që i janë holluar brisk nga urrejtja gërryese e 110 viteve, me sytë e zbardhur, i pakursyueshëm në gjak…(për Berishën);
– Faik Beu ju ka quajtur gomarica;
– Ta dinë me mufo dhe çufo;
– Të marrë që duan të lyejnë me vajgur;
– Të turret me gurë dhe baltë edhe ata të dy, njëri i sapodalë nga gjirizet e tjetri prej spiunëve;
– Dielli i Nolit i njihte ata të dy (për Berishën dhe Metën);
– Këta njerëz kanë mbajtur kurdo herë rekordin për vrasje dhe grabitje (shigjeton Berishën dhe Metën);
– Janë të njëjtët që si pykë i rrinë Shqipërisë në saj të së ardhmes;
– Katran me bojë;
– Poshtë tradhtarët, me foltore, pa foltore;
– Këmbëngulin mufot dhe çufot;
– Këta të paudhë që kanë ngrënë turpin 110 vite më parë i çajnë daullen miletit;
– Nuk mungojnë dhe gjelat e detit, se janë një prurje demokratike (ironizon deputetin e PD-së, Dashnor Sula);
– Nuk kanë cipë;
– Më dinë si veten e tyre, llupës të pangopur, zhvatës trojesh dhe gjelash;
– Vagabondë të 1914-s;
– Duhet të kesh mëndje hajduti, si atyre që i jepnin vendin me një euro
– S’e kanë tregtuar ndonjë copë Shqipërie hajdutshe, jo se nuk kanë dashur, por s’kanë pasur mundësi. E shqyejnë Shqipërinë fare;
– Zilia dhe egoizmi janë dy sëmundje të rrezikshme të racës sonë;
– Pse të jetë ai aty dhe mos të jem unë (ironizon Berishën);
– Sharlatanë dhe gjela deti;
– Dhe sot vazhdon po ai shpirt i keq;
– Bartës i madh i poshtërisë (akuzon Berishën);
– Njerëz të dalë nga e njëjta gjirize;
– Me epror Esatin dhe këlysh Dervishin;
– Kënetë oqeanike të llumit dhe marazit, ku gëlojnë gënjeshtrat si mushkonja helmuese;
– Gënjeshtrat marrin dhen dhe nëpër botë, siç përtypin këtu lopët bathët
– Me qetësi kriminale që e bën lopën si engjëll të duket si e rënë nga “CappellaSistina” (akuzon Berishën);
– Bën hetuesin kompetent nga mëngjesi deri në darkë (Berisha);
– Këta tru të pazhvilluar çiliminjsh dhe peshq thotë Faik Beu, nuk zmbrapsen nga akronizmat;
– E djathta, një copë rublash që përzihet çdo ditë nga një komunist dru me pre dhe një spiun i dru me pre të komunizmit (shigjeton Berishën dhe Metën).