AKTUALITET

Opozita mbledh sot qytetarët në Tiranë, çfarë pritet të ndodhë në protestën para Kryeministrisë. Blindohet selia e qeverisë, ja akset e bllokuara

07:28 - 11.02.23 E.D
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

VALENTINA MADANI/ Mijëra shqiptarët nga mbarë vendit priten ti bashkohen sot protestës së thirrur nga opozita në orën 12:00 para selisë qeveritare me kërkesën për dorëheqjen e Kryeministrit Edi Rama.




Protesta pritet të jetë masive pasi të gjitha strukturat janë vënë në lëvizje për të siguruar një pjesëmarrje sa më të lartë përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”. Disa nga protestuesit mbërritën dje në Tiranë nga rrethet teksa mësohet se janë strehuar tek të njohurit e tyre apo mbështetës demokratë për të qenë sot në kryeqytet në nisje të protestës. Protesta e opozitës nuk ka një fat ndërkohë që një grup me 200 persona është caktuar që të merret për mbarëvajtje e protestës.

Grumbullimi i qytetarëve do të bëhet në sheshin “Skënderbej”, por pjesa me madhe e tyre do të jenë para selisë së PD-së, të cilët do të shoqërojnë kreun demokrat Sali Berisha drejt selisë së Kryeministrisë. Protestuesit do të protestojnë edhe para Bashkisë së Tiranës, ndërkohë që dera e Kryeministrisë është blinduar me veshje metalike. Protesta, e cila ka bashkuar demokratet, ka vënë në lëvizje policinë, e cila më herët njoftoi se mbi 1100 forca të policisë, duke nisur nga ato të rendit, FNSH dhe Garda e Republikës, do të jenë në terren për mbarëvajtjen e protestës ditën e sotme, që pritet të nisë në orën 12:00.

Në këtë proteste, demokratët artikulojnë drejtpërdrejtë dorëheqjen e Edi Ramës, ndryshe nga protestat e mëparshme ku largimi i Kryeministrit për demokratët thuhej se do të vinte vetëm përmes votës. Dalja në skenë e çështjes McGonigal dhe përmendja e drejtpërdrejtë e emrit të Kryeministrit Rama në aktakuzën e ish-shefit të FBI, për opozitën është një implikim i rëndë i kreut të qeverisë shqiptare për të cilën ai duhet të largohet menjëherë.

Protesta është parashikuar të mbahet në orën 12:00 këtë të shtunë, teksa të gjithë strukturave të Partisë Demokratike në rrethe i është kërkuar pjesëmarrje sa më e lartë. Ndryshe nga tri protestat e mëparshme, demokratët nuk kanë përfshirë asnjë element ekonomik në thirrjen drejtuar qytetarëve për të protestuar, pasi për selinë blu protesta do të jetë tërësisht politike për aq kohë sa në dosjen e FBI-së, emri i kKryeministrit Rama shfaqet përmes korruptimit të agjentit të FBI me qëllim shkrirjen e Partisë Demokratike.

ANGAZHIMI

Mbi 1000 efektivë do të jenë gatishmëri për mbarëvajtjen e protestës së të shtunës të thirrur nga opozita. Sipas Policisë së Shtetit, në kuadër të planit të masave, të gjitha komisariatet e Tiranës do të kalojnë në gatishmëri të përforcuar. Në terren krahas forcave të rendit, do jenë dhe FNSH-ja, si dhe agjentë civilë të cilët do monitorojnë ata protestues që tentojnë të krijojnë incidente. Po në kuadër të masave për mbarëvajtjen e këtij tubimi uniformat blu kanë njoftuar se prej orës 10:00 të mëngjesit të së shtunës do të devijohet trafiku në akset që lidhen me Bulevardin Dëshmorët e kombit ku do zhvillohet protesta.

Gjatë orëve të devijimit të lëvizjet, Policia këshillon qytetarët të përdorin rrugët alternative. Plani i masave që do të aplikohet nga policia do të nisë prej orës 06:00 të mëngjesit të së shtunës, ku në rrugët që lidhen me bulevardin ku do zhvillohet protesta nuk do të lejohen parkimi i automjeteve, e deri në përfundim të tubimit të thirrur nga Partia Demokratike. Segmentet rrugore që do të jenë të bllokuara, duke filluar rreth 1 orë para protestës deri në përfundim të protestës, janë: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, sheshi “Nënë Tereza”, rruga “Ismail Qemali”, nga kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”, rruga “Papa Gjon Pali II”, bulevardi “Zhan D’Ark” dhe bulevardi “Bajram Curri”, nga kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.