LAJMI I FUNDIT

Plakja e popullsisë nxit shitjen e vitaminave dhe shtesave ushqimore në vend/ Ekspertët: Mund të kenë efekte anësore nëse përdoren me tepricë

07:21 - 12.03.23 m.k
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Plakja e popullsisë dhe rritja e interesit për parandalimin e rreziqeve ndaj shëndetit, si dhe përballja me pandeminë, kanë nxitur shitjet e vitaminave, mineraleve dhe shtesave ushqimore edhe në Shqipëri. Ndërsa shifra e importeve tregon për thuajse 4-fishim në vitin e fundit të raportimit, farmacitë pohojnë se kanë një ‘bum’ shitjesh. Ekspertët nutricionistë këshillojnë kujdes në përdorimin e tyre!




Në mbarë botën, gjithnjë e më shumë njerëz po kuptojnë vlerën e shëndetit të mirë, duke nxitur interesin për t’u kujdesur për të. Ndërsa popullata po plaket, njerëzit po kërkojnë ilaçe për të kuruar atë që i shqetëson apo kërkojnë ‘eliksire’ për t’i ndihmuar të qëndrojnë të shëndetshëm deri në vitet e ‘muzgut’.

Shëndeti nuk është vetëm një objektiv, pohojnë ekspertët nutricionistë. Është një zgjedhje e stilit të jetesës dhe një treg i lulëzuar i konsumit. Në dekadën e fundit, shitjet e vitaminave, mineraleve dhe suplementeve ushqyese dhe bimore janë rritur dhe në vitin 2020, importet e këtyre produkteve janë 3-fishuar.

Në një botë ku konsumatorët mund të mbingarkohen lehtësisht nga opsionet dhe terminologjia mjekësore, vitaminat ofrojnë zgjidhje, në dukje, të drejtpërdrejtë. Por si qëndron e vërteta?

Adresimi i nevojave

Një nga arsyet se pse u drejtohen multivitaminave është për shkak se disa njerëz kanë mangësi vitaminash të testuara në laborator, kështu rekomandohet që ata të marrin suplemente të caktuara. Të tjerët mund të kenë mungesë të një ose dy vitaminave, për shkak të mënyrës se si hanë.

Nivelet e ulëta të vitaminës D merren në konsideratë, veçanërisht në dimër, edhe në vendin tonë, që ka shumë ditë me diell në vit. Gjithashtu, rekomandohet gjerësisht që gratë gjatë shtatzënisë të marrin acid folik, ndërsa veganët këshillohen të marrin vitamina komplekse B.

Në ditët e sotme, përdorimi i suplementeve përtej dietës ushqimore për të ruajtur dhe për të mbajtur vlera optimale të nutrientëve është kthyer në domosdoshmëri. Kështu shprehet Teneda Lulo, mjeke nutricioniste.

“Ushqimet sot fatkeqësisht nuk ofrojnë më të njëjtat vlera si 50-100 vite më parë. Varfërimi i tokës nga këto minerale dhe mikroorganizmat e saj, ka ardhur si pasojë e përdorimit të shtuar të pesticideve, herbicideve, si dhe mungesës së rrotacionit të të mbjellave.

Përtej kësaj, aftësia e trupit të njeriut për të përthithur maksimalisht vlerat ushqimore nga ushqimi, nuk është më ajo që ka qenë. Sërish kjo vjen si pasojë e mungesës së diversitetit të mikrobiomës, abuzimeve me medikamente, duhanpirja, dietat me produkte të procesuara etj.”- pohon ajo. Ndërsa Ejona Ismalaj, nutricioniste, thotë se fëmijët, kanë nevojë të veçantë për vitamina, sepse metabolizmi i tyre është më intensiv, ata po rriten dhe kanë nevojë për një sasi më të madhe të substancave të caktuara për t’i ndihmuar në zhvillim.

“Në organizmin e një fëmije, vitaminat luajnë rol themelor e shumë të rëndësishëm që në ardhjen e tyre në jetë. Edhe pse ata marrin vitamina të ndryshme me anë të qumështit të gjirit dhe atij të formuluar, mjekët gjithsesi këshillojnë në tre muajt e parë të jetës vitaminën D me pika të shoqëruar me vitaminën K.

Kjo vitaminë ndihmon organizmin në parandalimin e sëmundjeve të ndryshme si rakitizmi, osteoporoza, gjithashtu forcon sistemin imunitar dhe atë të aparatit të frymëmarrjes. Shoqëria Italiane e Pediatrisë Parandaluese dhe Sociale (SIPPS) rekomandon plotësimin me 400 UI vitaminë D në ditë për çdo fëmijë deri në 12 muaj, pavarësisht llojit të qumështit që fëmija merr”, -pohon ajo.

Pse industria e suplementeve po rritet kaq shpejt?

Shumë ekspertë thonë se bumi në shitjet e vitaminave dhe suplementeve të tjera vjen prej ndërgjegjësimit të konsumatorëve për shëndetin, një popullsie në plakje dhe qasjes më të madhe në informacionin shëndetësor nëpërmjet teknologjisë dixhitale. Ndërsa pandemia globale në vitin 2020 ishte një tjetër faktor që nxiti kërkesën për këto produkte.

Dr. Pediatre Luna Spahia, me përvojë 20-vjeçare në Shqipëri, thotë se ndërsa njerëzit plaken, ata interesohen më shumë për shëndetin e tyre, por shpesh marrja e suplementit të duhur mund të jetë sfiduese.

“Njerëzit duhet gjithnjë të konsultohen me një ekspert mjek. Në rastin konkret, edhe me rritjen e studimeve të shumta dhe njohurive tona, ne rekomandojmë marrjen e vitaminës D për fëmijët nga 0-2 vjeç. Dikur ishte e mjaftueshme deri në 1 vjeç. Megjithatë, duhet pasur parasysh se asnjë konsumator s’mund të marrë medikamente, qoftë vitamina, vetë në farmaci” – thotë dr. Spahia.

Mjekët përmendin edhe një fenomen tjetër, konsumatorët që drejtohen vetë te farmacitë, zakonisht përdorin internetin për të hulumtuar produkte, për të shtuar përbërës dhe marka, kështu që ata kanë më shumë të ngjarë të blejnë produkte në internet. Edhe rritja e ndërgjegjësimit të konsumatorëve për kujdesin shëndetësor parandalues ndihmon në rritjen e industrisë.

Importet në rritje

Sipas të dhënave të Doganave Shqiptare, për vitin e fundit të raportimit, 2020, importet e vitaminave dhe suplementeve të tjera, shënuan rritje me 73%, krahasuar me 2019-n, thuajse 4-fishim. Të dhënat tregojnë se në vitin 2020, importet arritën vlerën e 1,240,771 dollarë, ndërsa në vitin 2019, vlera ishte 334,656 dollarë.

Farmaci në kryeqytet raportojnë rritje të kompanive të ndryshme të fushës së vitaminave dhe suplementeve që kanë ardhur në tregun shqiptar, krahas kërkesave në rritje për konsumimin e tyre. Sa i përket rritjes së lartë në 2020, ata e lidhin atë me periudhën e pandemisë, ku multivitaminat, probiotikët e të tjera rekomandoheshin masivisht.

Një peizazh i ndërlikuar

Mjekët gjithashtu pohojnë se tendenca e multivitaminave është një peizazh i komplikuar në vendin tonë, sepse secili person ka gjenetikën e tij, faktorët mjedisorë dhe këto janë arsye për të përcaktuar nevojën apo jo të përdorimit të suplementeve.

Megjithatë, sipas mjekes Tenela Lulo, duhet pranuar se suplementimi është një biznes global, i cili sa vjen dhe zgjerohet e lobohet gjithnjë e më tepër.

“Në një treg kaq të gjerë e me shumëllojshmëri, pa diskutim që duhet të jemi të kujdesshëm në seleksionimin e tyre dhe në konsultim me specialistët e fushës” – thotë znj. Lulo.

Marrja e vitaminave, si të gjitha ilaçet, mund të shkaktojnë dëme nëse jepen me tepricë, sipas nustricionistes Ejona Islamaj.

“Një dukuri që nuk është aspak e rrallë, sepse disa janë mësuar t’i trajtojmë vitaminat sikur të ishin “karamele”. Tregu i suplementeve ushqimore është jashtëzakonisht i gjerë, përfshin produkte të përshtatshme për nevoja nga më të ndryshme dhe që përmbajnë përbërës të llojeve të ndryshme.

Sidoqoftë, në asnjë rast këto produkte nuk mund të konsiderohen si një alternativë ndaj zakoneve të jetesës së shëndetshme dhe të ekuilibruar dhe aq më pak, si një ilaç për të frenuar ose për të riparuar dëmet e shkaktuara nga zakonet e gabuara të përmendura më sipër.

Prandaj, qasja korrekte për përdorimin korrekt të suplementeve ushqimore kërkon, së pari, njohjen e këtyre produkteve (Çfarë janë suplementet? Cili është qëllimi i tyre?) dhe së dyti aftësinë e konsumatorit për të kuptuar se kur mund të marrë lirisht produkte të ngjashme dhe kur, nga ana tjetër, është e nevojshme të konsultoheni paraprakisht me një mjek.

Edhe pse nuk janë barna, në fakt, edhe suplementet ushqimore mund të shkaktojnë efekte anësore dhe mund të paraqesin kundërindikacione të ndryshme”,- përfundon ajo./monitor


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.