AKTUALITET

Spitali publik nuk bën ndërhyrje kirurgjikale për goditjet në tru, Braçe: Kriminale, ‘Konkurrenca’ të nisë hetimet!

15:00 - 02.08.23 E.D
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Një thirrje e dëshpëruar e një artisteje, për të gjetur 19 mijë euro për t’i shpëtuar jetën bashkëshortit të saj, një prej aktorëve më të vlerësuar për talentin në vend, Genci Fugës, hapi një debat të thellë për situatën ku gjendet sistemi shëndetësor në vend në këtë drejtim.




Reagimeve me shqetësim i është bashkuar sot edhe deputeti socialist Erion Braçe. Fillimisht Braçe ironizon disa media që i janë referuar si ‘monopol i mirë’ atij të shërbimeve spitalore.

“Qershia mbi tortë është media që duhet të jetë e pavarur, por që bëhet ‘mute’ përballë një monopoli që paguan reklama apo të vë puron në gojë…natyrisht ky lloj klientelizmi është i neveritshëm”, u shpreh Erion Braçe, deputet i PS.

Në postimin në Facebook Braçe ka publikuar një fjalë të tij të mbajtur më herët në Komisionin e Ekonomisë ku thotë se konkurrenca nuk ekziston më në shërbimet spitalore.

“Është tregu i shërbimeve spitalore private, qoftë ato terciare, qoftë atyre të ekzaminimeve. Është përqendruar përtej çdo limiti. Aq sa konkurrenca atje nuk ekziston më. Do të ishte shumë e rëndësishme, sa kohë ka të bëjë me shëndetin e njerëzve”, tha Braçe.

Në atë fjalë Braçe bënte thirrje për monitorim dhe hetim urgjent.

“Sa kohë që është një treg kaq sensitiv unë mendoj që meriton monitorim dhe pa diskutim edhe hetim. Autoriteti ka bërë një hetim të mëparshëm thuajse të përgjithshëm sa i takon tregut të shërbimeve spitalore por nga dita që autoriteti ka kryer këtë hetim deri sot kanë ndodhur zhvillime të tjera. Spitalet kanë ndryshuar pronësinë, tregu është përqendruar në një dorë dhe tani meriton një hetim”, u shpreh deputeti.

Në reagimin e ashpër deputeti socialist thotë se nuk ka asgjë të gabuar që disa shërbime t’i ofrojë edhe privati, por krim është kur abuzimi sjell çmime të pajustifikuara, kushtëzuar me parapagim të shërbimit për të shpëtuar jetën.

“E gjitha kjo ne një treg që sipas “deklarimeve te veta”-imagjinoni ato reale, po i kalon 300 milionë euro është shumë, po shumë fare”, tha deputeti.

Në fund Braçe sugjeron masat e domosdoshme dhe urgjente

“E para, duhet modernizuar shumë më shpejt sektori publik; mirëfinancuar me para që gjithnjë mungojnë-por jo për të paguar Monopolin; E dyta, duhet luftuar Monopoli dhe abuzimi me këtë pozitë në një sektor jetik; paguaj ose vdis është ‘Far west’, jo spital qoftë edhe privat”, tha Braçe.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.