Një incident me armë zjarri ka ndodhur mesditën e së premtes në Pire, ku viktimë ka mbetur një 40-vjeçar shqiptar.
Sipas informacioneve të deritanishme, një i moshuar ka qëlluar me armë një person tjetër jashtë parkingut të rrugës Praxitelous 147, duke e goditur në kokë. Viktima ishte një punonjës i biznesit dhe dy shtetasit raportohet se njiheshin dhe kanë pasur debate të shpeshta me njëri-tjetrin.
Sipas raportimit, sherri ka nisur në parkingun, ku shqiptari punonte. 68-vjeçari e ka qëlluar një herë në kokë, por më pas është kthyer dhe e ka qëlluar për herë të dytë. Menjëherë u dërgua me urgjencë në Spitalin Zaneio, por nuk mundi t’i mbijetonte plagëve.
68-vjeçari mësohet të jetë larguar fillimisht nga vendngjarja, por më pas është dorëzuar në Polici.