Kronikë

“Nuk ka lidhje partnerja e tij”/ Muratori shqiptar u qëllua me plumb në kokë, flet motra e tij: Ishte vëllai më mirë në botë, mamaja është e shkatërruar

10:50 - 09.11.23 a.d
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

“Plumbi është i kalibrit 22. Një e shtënë e vetme në kokë, në pjesën e djathtë të kafkës mbi vesh”, tha është rezultati i ekspertizës mjekoligjore për vrasjen 34-vjeçarit shqiptar, Klaudio Myrtaj.




Muratori shqiptar u qëllua pasditen e së shtunës (4 nëntor) teksa po punonte në një zdrukthtari në Vernante dhe vdiq pak pasi mbërriti në spitalin në Cuneo.

Ndërkohë autori i krimit ende nuk dihet. Kriminologu Roberto Testi ka deklaruar se arma e përdorur nga vrasësi, është e kalibrit të vogël, ndaj mendohet se nuk u dëgjua e shtëna në dyqanin në Via Umberto I.

Vrasësi mendohet se e dinte që Myrtaj do të ndihmonte zejtarin italian dhe ka pritur që pronari i zdrukthtarisë të largohej me traktor drejt karburantit për të vepruar i pashqetësuar.

Një e shtënë në kokë, por autori nuk e vrau 34-vjeçarin po e la në agoni të riun, i cili në atë moment mbante kufjet e celularit për të dëgjuar muzikë.

Detaji i parë të bën të mendosh se vrasësi nuk ishte profesionist dhe u zhduk pa konstatuar vdekjen e Klaudio Myrtajt, ndoshta në panik.

Ose ndoshta, shqiptari e ha të hynte vrasësin në dyqan pasi mund ta njihte dhe e la të afrohej më shumë se 1 metër, duke mos i lënë kohë të reagojë apo të mbrohet. Gjithçka ka ndodhur brenda pak sekondave.

Prokuroria po ndjek çdo piste se kush mund të jetë vrarësi i shqiptarit, raporton media italiane La Stampa.

Partnerja e viktimës, një 40-vjeçare e cila punonte një një klub në Limone dhe nuk është nën hetim, ka përjashtuar në mënyrë kategorike se është krim pasioni.

Hetuesit i kanë kthyer telefonin e sekuestruar, ndërsa në një intervistë për median italiane ajo ka rrëfyer marrëdhënien me shqiptarin.

“Ne ishim bashkë prej muajit marsi, e donim njëri-tjetrin, disa debate si në çdo çift. Një burrë fantastik, por shumë xheloz. Unë kam pasur eksperiencat e mia, por atë që ai më dha nuk e kam ndjerë kurrë me askënd. Unë isha mbretëresha e tij. Ai ndryshoi jetën e tij për mua dhe për vajzën time, të cilën e adhuronte. Ishte hera e parë që punonte për shokun e tij, ndoshta për të fituar para. Këtë e ka bërë nga e marta deri të shtunën, ndërsa të enjten në mëngjes bëri pushim pasi e shoqërova te mjeku për një dëmtim në dorë. Ne ishim bashkë të enjten në mbrëmje, nuk u pamë të premten, mesazhi i tij i fundit më mbërriti në orën 15:56 të së shtunës.

Domethënë një orë para vrasjes. Më telefonuan dhe më thanë se ishte aksident, por pastaj më shpjeguan se çfarë ndodhi. Që atëherë, unë dhe vajza ime kemi jetuar në terror dhe ankth, vetëm shpresojmë që ata të gjejnë personin përgjegjës. Drejtësi për të, për ne, familjen e Klaudios, nënën, motrën e tij. Po përgatisnim pasaportat që të shkonim të kalonim natën e Vitit të Ri me ta”, rrëfeu e dashura e viktimës.

Ndërkohë e motra e Klaudios, Desara Myrtaj, u shpreh se vëllai i saj ishte shumë i sjellshëm dhe korrekt.

“S’mund të lëndonte askënd”, tha ajo, ndërsa tregoi se lajmin e vrasjes së të vëllait e mori vesh nga kushërinjtë e tyre që jetonin në Itali.

Ajo tregoi se i vëllai u largua drejt shtetit fqinj pasi i duheshin para pas vdekjes së të atit.

“Jam i shokuar, nuk e kuptoj. Klaudio ka qenë gjithmonë vëllai më i mirë në botë, gjithmonë pranë meje. Një djalë i artë, ai ndoqi universitetin dhe një master në marrëdhëniet me publikun. Ai punonte në një call center në Tiranë, por gjashtë vite më parë babai ynë ndërroi jetë, kështu që u kthye në Vlorë për të qenë pranë nënës së tij. Por na duheshin para. Ai ra në kontakt me kushërinjtë e tij në Caraglio, me të cilët jemi shumë të afërt. Fillimisht shkoi në Spanjë për pushime, më pas iu bashkua atyre në Itali. E prisnim për natën e ndërrimit të viteve. Pastaj lajmi i tmerrshëm. Më telefonuan kushërinjtë e mi. Unë vërtet nuk di çfarë të them. Flisnim çdo ditë me Klaudion, ai nuk tha kurrë ndonjë gjë të çuditshme, madje as kushërinjve të tij. Ai ishte njeriu më i sjellshëm dhe më korrekt në botë, ai nuk mund të lëndonte askënd”, tregoi 29-vjeçarja.

Sa i përket partneres së të vëllait u shpreh se: “Kam folur me të një ose dy herë. Kam lexuar për krimin e pasionit, por nuk gjej asnjë logjikë në të. Ne kemi besim te drejtësia italiane, le të sqarohet, mamaja është e shkatërruar. Për të, më e rëndësishmja tani është të kthejë Klaudion në Shqipëri sa më shpejt të jetë e mundur, për t’i dhënë lamtumirën”.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.