OPINION

Pse ligji për Zonat e Mbrojtura është kaq i dëmshëm për mjedisin  

12:17 - 12.03.24 MIRJAN TOPI
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

NGA MIRJAN TOPI




Ligji 21/2024 për Zonat e Mbrojtura që u votua në seancën plenare të datës 22 shkurt 2024 dhe ende nuk është dekretuar nga institucioni i Presidentit të Republikës së Shqipërisë, që lejon ndërtimin e resorteve masive turistike me “5-yje” në shkallë të gjerë brenda Zonave të Mbrojtura, ka ngjallur shqetësim të madh tek Shoqëria Civile mjedisore vendase dhe ndërkombëtare. Qeveria, është përpjekur që të joshi publikun e gjerë duke e prezantuar si nismë ligjore që nxit zhvillimin ekonomik dhe rritjen e të ardhurave nga turizmi. Por a është vërtet kështu dhe cilat janë kostot e fshehura të këtij ligji dhe ndikimet që do të ketë si në mjedis ashtu edhe në jetën e shqiptarëve?

Zonat e Mbrojtura, të përzgjedhura si të tilla për rëndësinë e tyre ekologjike dhe larminë biologjike, shërbejnë si mjedise jetike për lloje të panumërta të jetës së egër bimore dhe shtazore. Ligji i ri paraqet një kërcënim të madh për këto ekosisteme sa të pasura aq edhe të brishta. Ndërtimi i resorteve masive brenda këtyre zonave mund të rezultojë në shkatërrim, fragmentim dhe degradim të habitateve. Llojet e vëna nën trysninë e aktiviteteve njerëzore, të tilla si tjetërsimi i habitateve, mund të përballen me rënie të mëtejshme të popullatave, duke çuar deri në zhdukje të popullatave të tyre sikur ka ndodhur me jo pak raste.

Megjithatë, pasojat shtrihen përtej sferës së ekologjisë dhe mjedisit. Shqipëtarët do të humbasin burimet jetike natyrore dhe trashëgiminë kulturore. Qasja apo aksesi në hapësirat e pacenuara natyrore për rekreacion, aktivitete ekonomike tradicionale dhe lidhje shpirtërore mund të kufizohet ose të humbasë tërësisht. Për komunitetet që mbështesin jetesën e tyrë në këto zona, nëpërmjet aktiviteve tradicionale si peshkimi, bujqësia dhe së fundimi edhe ekoturizmi, ligji i ri përfaqëson një kërcënim të drejtpërdrejtë për ekonomitë e tyre.

Bizneset vendase, veçanërisht ato të përqendruara në sektorët e ekoturizmit dhe mikpritjes, janë ato që do të vuajnë peshën kryesore të ligjit të ri. Bizneset e vogla që ofrojnë shërbime për turistët që janë miqësore me mjedisin, shëtitje me udhërrëfyes në natyrë dhe kuzhinë tradicionale, do të humbasin burimet natyrore dhe kësisoj avantazhin e tyre konkurrues përballë zhvillimeve të  resorteve të mëdha. Këto biznese luajnë një rol vendimtar në mbarëvajtjen e ekonomive lokale, ofrimin e mundësive të punësimit dhe promovimin e aktiviteteve ekonomike të qëndrueshme. Ndërtimi i mega-resorteve pritet të zbehë ofertat dhe shërbimet e tyre, duke devijuar të ardhurat nga turizmi larg prej tyre dhe duke dobësuar kësisoj strukturën socio-ekonomike të komuniteteve lokale dhe kryesisht atyre rurale.

Për më tepër, është thelbësore të merret parasysh gjurma ekologjike e llojeve të ndryshme të turizmit. Ndërsa zhvillimet në shkallë të gjerë resorteve mund të premtojnë përfitime ekonomike afatshkurtra, ato shpesh vijnë me kosto të konsiderueshme ekologjike. Ndërtimi dhe funksionimi i resorteve masive turistike kërkon tjetërsim në masë të gjerë të habitateve natyrore apo betonizimin e tyre, zhvillim të infrastrukturës mbështetëse dhe konsum të lartë të burimeve të komunitetit, si për shembull përdorim në sasi të mëdha të ujit të pastër dhe gjenerim të lartë mbetjeve të ngurta dhe ujërave të zeza. Nga ana tjetër, turizmi natyror, i cili përfshin aktivitete turistike me ndikim të ulët mjedisor si ecja, kundrimi i shpendëve apo klasave të tjera të kafshëve të egra, ka një gjurmë ekologjike shumë më të ulët. Është turizëm gjithëvjetor dhe jo sezonal dhe gjurma ekologjike shpërndahet në kohë. Turizmi natyror garanton ruajtjen e mjediseve natyrore duke minimizuar ndikimet negative në ekosistemet natyrore dhe jetën e egër, ndryshe nga turizmi masiv që i  tjetërson dhe shkatërron përfundimisht eksositemet natyrore.

Në vijim, është tepër e rëndësishme dhe e domosdoshme që Shqipëria të jetë e vëmëndshme kundrejt prirjes globale gjithmonë e në rritje të turizmit natyror, e nxitur nga një dëshirë gjithmonë e në rritje e turistërve për t’u lidhur me natyrën, për të përjetuar përvoja kulturore autentike dhe për të mbështetur aktivitetet ekonomike tradicionale të banorëve vendas. Me peizazhet e saj të larmishme, larminë e pasur biologjike dhe trashëgiminë po ashtu të pasur kulturore, Shqipëria ka një potencial të jashtëzakonshëm për të përfituar nga kjo prirje gjithmonë dhe në rritje e turizmit natyror.

Nga Alpet e Shqipërisë e deri te plazhet e pacenuara të Rivierës Shqiptare, vendi ofron një mori mundësish për përvoja turistike të shkëlqyera, të bazuara në natyrë. Duke investuar në zhvillimin e llojit të turizmit që respekton dhe ruan integritetin e pasurive të saj natyrore dhe kulturore, Shqipëria mund të pozicionohet si një destinacion kryesor për turistët e natyrës që kërkojnë përvoja autentike dhe jo imitime të modeleve të turzimit masiv, që kanë rezultuar të pasuskesshme në shumë vende.

Ndikimet negative të ligjit të ri shtrihen përtej shqetësimeve mjedisore. Ato kanë implikime edhe për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Si një vend kandidat që aspiron të anëtarësohet në BE, Shqipëria duhet të përafrojë politikat dhe praktikat e saj me standardet dhe vlerat e BE-së, përfshirë ato që lidhen me mbrojtjen e mjedisit dhe zhvillimin e qëndrueshëm. Vendimi për të lejuar ndërtimet brenda Zonave të Mbrojtura bie ndesh me këto parime dhe mund të pengojë përparimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE. Për më tepër, me këto veprime Shqipëria i dërgon një mesazh komunitetit ndërkombëtar se po i jep përparësi përfitimeve ekonomike afatshkurtra dhe të pak njerëzve, në kurriz të zhvillimit dhe qëndrueshmërisë afatgjatë dhe mjedisit, duke cënuar ndjeshëm besueshmërinë e saj si një anëtare e ardhshme e përgjegjshme e Bashkimit Evropian.

Humbja e zonave të mbrojtura sjell gjithashtu edhe zbehjen e mundësive arsimore dhe shkencore. Këto zona shpesh shërbejnë si laboratorë të gjallë për studiuesit dhe studentët, duke ofruar mundësi të jashtëzakonshme për mësim dhe kërkim shkencor. Duke përqafuar këtë lloj zhvillimi që sjell degradimin e Zonave të Mbrojtura, Shqipëria kompromenton rëndë mundësitë e saj për përparim arsimor dhe shkencor në fushën e ekologjisë dhe shkencave natyrore në përgjithësi.

Kjo lloj qasje zhvillimore kundrejt Zonave të Mbrojtura, do të ketë pasoja negative afatgjata për vetë turizmin në Shqipëri. Zonat e Mbrojtura janë vendet kryesore që vizitojnë turistët, të tërhequr nga bukuria e tyre natyrore, biodiversiteti dhe mundësitë për një sërë aktivitetesh tursitike. Duke lejuar shkatërrimin e këtyre zonave, Shqipëria rrezikon të dëmtojë industrinë e saj të turizmit në nivel afatgjatë. Sapo këto thesare natyrore të humbasin ose degradohen, rrjedhimisht atraksionet që tërheqin vizitorët në vend do të pakësohen, duke çuar në një rënie të numrit të turistëve dhe në humbje ekonomike.

Bukuritë natyrore dhe larmia biologjike e Shqipërisë janë pasuri të paçmueshme që duhen ruajtur për brezat e ardhshëm. Ndërsa turizmi mund të jetë një shtytës i rritjes ekonomike, ai nuk duhet të jetë krejtësisht në kurriz të mjedisit dhe mirëqenies sonë. Kësisoj, nevojitet veprim urgjent për të rishqyrtuar ndikimet e ligjit të ri dhe për të ndërtuar dhe zbatur një model ekonomik të qëndrueshëm që i jep përparësi ruajtjes së natyrës, mirëqenies së komuniteteteve lokale dhe zhvillimit afatgjatë të vendit.

Si përfundim, edhe njëherë dua të theksoj se Shqipëria duhet t’i kushtojë vëmendjen e duhur zhvillimeve globale  në fushën e turizmit dhe veçanërisht rritjes globale të fortë të turizmit natyror dhe të përqafojë politika që nxisin zhvillimin e qëndrueshëm dhe ruajtjen e trashëgimisë së saj natyrore. Ligji 21/2024 që lejon ndërtimet brenda Zonave të Mbrojtura përfaqëson një qasje dritëshkurtër që rrezikon të sjellë dëme të pariparueshme për ekosistemet natyrore, komunitetet lokale, industrinë e turizmit dhe aspiratat e vendit për integrim në Bashkimin Evropian.

Për sa më lart, shpresoj që Presidenti i vendit të mos e dekretojë këtë ligj dhe ta rikthejë për rishqyrtim në Kuvend. Më tej, është e domosdoshme, madje tepër urgjente, që palët e interesit dhe qytetarët të bashkohen për të mundësuar rrëzimin e këtij ligji, për të mbrojtur natyrën dhe kësisoj për të siguruar një të ardhme më të mirë dhe më të qëndrueshme për të gjithë.* Ekspert


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.