Kronikë

U arrestua pak ditë më parë/ Jorgo Goro shfaq probleme shëndetësore, dërgohet në spital

13:47 - 27.03.24 a.d
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Kryebashkiaku i dorëhequr i Himarës, Jorgo Goro është shtruar në spital pasi shfaqi probleme shëndetësore në qeli.




Ai mësohet se nuk është ndjerë mirë mbrëmjen së martës dhe autoritetet e burgut e kanë transferuar për ndihmë mjekësore në QSUT.

Jorgo Goro, i cili u arrestua për shpërdorim detyre më 23 mars, vuan nga probleme të zemrës dhe me tensionin, raporton gazetarja Klodiana Lala.

Dorëheqja nga posti

Ditën e sotme (27 mars) u bë publike letra e dorëheqjes së Jorgo Goros nga posti i kryebashkiakut të Himarës.

Në një letër nga qelia e burgut drejtuar Këshillit Bashkiak të Himarës ai ka treguar arsyet e vendimit të tij, teksa u shpreh se largohet nga deyra “me kokën lart dhe zemrën plot me mirënjohje të përulur”.

Jorgo Goro, i cili mbante postin e kryebashkiakut në detyrë të Himarës pas arrestimit të Fredi Belerit që fitoi zgjedhjet e 14 Majit, u shpreh se ndodhet në një situatë absurde me drejtësinë, sipas tij, për një faj që nuk e ka bërë dhe se duhet të përballet me Gjykatën.

“Po ndërkohë nga fundjava që sapo kaloi jam në një situatë absurde me drejtësinë për një faj që nuk e kam bërë. Akuzohem për “shpërdorim detyre në bashkëpunim” me zyrtarë në Vlorë që s’kam asnjë lidhje dhe për “falsifikim” dokumentash që tek kryetari i bashkisë kalojnë vetëm për firmë. Por ky është një absurditet me të cilin do më duhet të përballem para gjykatës me faktet e mia dhe të drejtën që e kam me ligj e me moral”, u shkruan Jorgo Goro.

Letra e plotë:

Të nderuar,

Ishte një nder i madh dhe motivim i veçantë t’i shërbeja qytetit tim për 12 vite e 10 muaj si qytetari i parë falë votës së himariotëve të mi. Kandidova për të fituar dhe megjithëse humba mbeta këto kohë lidhur në detyrë me legjitimitet të cunguar formal dhe moral.

Rezultati tepër i ngushtë me 19 vota diferencë nuk ishte në favorin tim, po as zhvillimet negative pas zgjedhjeve nuk ishin as në dëshirën as në dorën time. S’mund ta lija detyrën se s’kishte kush ta merrte dhe largimi im vetëm do të shtonte konfuzionin kur Himara u kthye në mollën e një konflikti politik absurd në nivelet më të larta mes dy shteteve.

Megjithëse e dija se sa shumë ishin lidhur fijet e manipulimit propagandistik për gjoja shpëtimin e pronave të Himarës me fijet e manipulimit elektoral për të mbushur autobuzët me premtime dhe xhepat e pasagjerëve elektoralë me para, nuk e prisja atë rezultat. Por nuk kisha as si të flisja dhe t’i hidhja benzinë një zjarri përçarjeje që përfshiu mediat e Athinës dhe Tiranës dhe arriti deri në Bruksel. Një organizatë anadollake e minoritetit fatkeqësisht bindi një shtet të BE-së se po lufton gjoja për të drejtat e njeriut në Himarë. Po në fakt ajo organizatë orkestrohet nga njerëz të paditur, pa skrupuj dhe pa ideale. Përveç parasë dhe rakisë! Marifetçinj të babëzitur që kush i njeh e di për kë dhe për çfarë flas. Tamam një çetë nga ato të kohërave të errëta që mbahet për forcë politike. Vetëm sherrin i ka parë dhe do t’i shohë Himara dhe minoriteti grek në tërësi për sa kohë nuk do t’u bjerë maska edhe në Athinë.

Himara është shumë e vogël për t’u bërë mollë sherri mes dy vendeve fqinje. Ndërsa pretendimet e mia për batërdinë që u bë me lloj-lloj marifetesh, listat e asistencave dhe bursave matanë kufirit, kërcënimet me heqjen e letrave të qëndrimit andej për të sjellë votues që kishin ikur nga Himara fëmijë dhe s’kishin shkelur më, pagesat me listë për blerje votash, nuk kishin më asnjë kuptim mbas arrestimit në flagrancë të “fitimtarit”. I dhashë dorën sa mbaroi numërimi dhe e mbylla kapitullin tim bashkë me gojën.

Por di të them se zullumi i asaj “fitoreje” me më pak se 20 vota ishte shumë më i madh se sa duket nga ato që dëgjohen në media për hetimin. E vetmja gjë që dua sot është që Himara të vazhdojë punën e nisur dhe fqinjësia e vjetër tradicionale mes dy shtetesh të mos bëhet pengu i ca spekullantëve lokalë të maskuar si viktima të një padrejtësie të re shtetërore që nuk ekziston për pronat e himariotëve. Një marrëzi qesharake dhe e rrezikshme e ngritur si kurth ndërshtetëror nga këta spekullantë të djallëzuar.

Himara sot ka statusin e transformimit total të saj, ku prona dikur e destinuar për të provokuar deri edhe tragjedi familjare vlen shumëfish më shumë. Ku çdo banor ka shërbime në mjekësi, shikon investime të konsiderueshme dhe të vazhdueshme në arsim, infrastrukturë, energji elektrike, ujë i pijshëm, etj. Dhe për të shkuar tek turizmi, Himara dikur vetëm me shqiptarë nga vendi dhe Kosova sot kampione e frekuentimit masiv të miliona turistëve nga mbarë bota. Jo në hotele dhe rezidenca të ndërtuara mbi prona të grabitura nga shteti për “oligarkët” siç bërtasin spekullantët anadollakë të lokalitetit, po në troje të kontraktuara me çmime apo kushte gjithnjë dhe më të favorshme nga cilado familje himariote që ka dëshiruar t’i japë të vetat për zhvillim.

Po ndërkohë nga fundjava që sapo kaloi jam në një situatë absurde me drejtësinë për një faj që nuk e kam bërë. Akuzohem për “shpërdorim detyre në bashkëpunim” me zyrtarë në Vlorë që s’kam asnjë lidhje dhe për “falsifikim” dokumentash që tek kryetari i bashkisë kalojnë vetëm për firmë. Por ky është një absurditet me të cilin do më duhet të përballem para gjykatës me faktet e mia dhe të drejtën që e kam me ligj e me moral.

Prandaj duke i falenderuar me shpirt të gjithë himariotët (më kanë votuar apo s’më kanë votuar, ky falenderim nuk i ndan), për të gjithë nderin e madh që më bënë në këto vite, dorëhiqem nga detyra me kokën lart dhe zemrën plot me mirënjohje të përulur. Natyrisht e doja të ishte ndryshe largimi im dhe jo me një letër nga një qeli paraburgimi, po jeta kjo është nuk i kemi dot në dorë t’i zgjedhim të këqiat që na gjejnë!

Me shumë respekt,

Jorgo Goro


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.