Njësia e Ndërhyrjes së Shpejtë (NJNSH) e Policisë së Kosovës, së bashku me KFOR-in amerikan janë sulmuar me shishe xhami orët e para të mëngjesit, në fshatin Miokovicë. Arrestohet një i dyshuar, i cili mbante në banesë një xhaketë ushtrie me emblemë serbe.
Ngjarja ndodhi rreth orës 04:05, kur një automjet pa targa, tip ‘Seat’, me ngjyrë hiri ka bllokuar rrugën NJNSH-së dhe KFOR-in amerikan, për t’i sulmuar me shishe qelqi.
Autoritetet kanë arrestuar një të dyshuar, me shtetësi kosovare, por përgjatë kontrollit të banesës së tij, i është gjetur një xhaketë ushtrie që mban emblenë serbe.
Njoftimi i Policisë së Kosovës:
Më datë 06.05.2024 rreth orës 04:05 në rrugën e fshatit Miokovicë gjatë patrullimit të përbashkët të Njësisë për Ndërhyrje të Shpejtë (NJNSH) të Policisë së Kosovës, së bashku me KFOR-in amerikan, një veturë pa targa e tipit Seat ngjyre hiri ka bllokuar rrugën dhe më pastaj ka hedhur shishe xhami në drejtim të veturave zyrtare.
Policia e Kosovës bashkë me KFOR-in kanë identifikuare shtëpinë dhe kanë kryer kontroll ku është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, i cili ka pranuar se ka bllokuar rrugën dhe ka hedhur shishen. Gjatë realizimit të kontrollit në shtëpinë e të dyshuarit është gjet një xhaketë e ushtrisë me emblemë serbe.
Vetura me të cilën është bllokuar rruga është sekuestruar, i dyshuari pas intervistimit nga njësia kompetente e hetimeve është liruar në procedurë të rregullt, përderisa hetimet lidhur me rastin janë duke vazhduar.