Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka mbajtur fjalimin e tij nga dritarja e banesës së tij, për mbështetësit demokratë. Ai theksoi se forca e tij politike ka si synim të rrisë standardin e jetesës në vend.
Ish-kryeministri u shpreh se në Shqipëri “ulërijnë sirenat e skamjes”, duke thënë se po shtohet varfëria në vend e se PD do japë një zgjidhje emergjente për këtë problem.
Berisha premton se me mandatin e parë do dyfishojë rrogat e pensionet dhe do përgjysmojë taksat, si një rrugë për të nxitur iniciativën e lirë të shqiptarëve.
Sipas tij shtrohet dyshimi se ku do gjenden paratë për të përmbushur këto premtime, por krye demokrati shprehet se paratë ekzistojnë, por ato vidhen.
“Miqtë e mi!
Kudo në Shqipëri ulërijnë sirenat e skamjes. Kudo në Shqipëri, gjithnjë e më shumë do trokasi në dyert e shqiptarëve varfëria. Partia Demokratike është e vendosur t’i japë përgjigje emergjente varfërisë që po mjeron gjithnjë e më shumë shqiptarët.
Partia Demokratike është e vendosur që në një akt të parë të mos ketë shqiptarë në Shqipëri, cilido qoftë ai, fëmijë apo i rritur, pensionistë apo i papunë që të mos marrë minimumin jetik 220 euro në muaj.
Është jetike është emergjencë një shpërndarje e re e të ardhurave në Shqipëri dhe për shqiptarët.
Partia Demokratike është e vendosur që në mandatin e saj të parë të dyfishojë rrogat dhe pensionet në mbarë vendin dhe të hedhë bazat e sigurta për dyfishimin tjetër në vazhdim.
Partia Demokratike beson se përgjysmimi i taksave është rruga për të nxitur inisiativën e lirë të shqiptarëve. Çdo njeri që dëgjon këto premtime, me të drejtë do të shtrojë pyetjen, ku do i merrni paratë? Ua them këtu me bindje absolute se paratë ekzistojnë por ato vidhen vidhen dhe vetëm vidhen”, tha Berisha.