Partia Demokratike i është përgjigjur deklaratave të policisë e cila bëri thirrje të mos përdoret retorikë që nxit dhunën për protestën e opozitës të planifikuar më 16 shkurt. Në një dalje për mediat nga selia e PD, Sekretari i përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi tha se Rama i rrethuar nga zhgënjimi po përhap panik nëpërmjet policisë për protestën e 16 shkurtit duke planifikuar një skenar kriminal.Pas deklaratës së policisë, e cila foli për retorikë që nxit dhunën në protestën e ditës së shtunë ka reaguar edhe Partia Demokratike.
Nga selia blu, Gazmet Bardhi u shpreh se Rama po përhap panik. “Në një përpjekje të mjeruar, i rrethuar nga zhgënjimi dhe zemërimi i shqiptarëve, Edi Rama i vetmuar shfaqi sot gjithë pasigurinë e tij, kur urdhëroi policinë e Shtetit të përhapë panik lidhur me protestën e 16 shkurtit. Skenari për të përdorur policinë si vegël politike është kriminal.“Shqiptarët do t’i bashkohen protestës së 16 shkurtit pasi e dinë mirë se kriminelët dhe bandat janë me Edi Ramën në qeveri dhe jo mes protestuesve. Ne do të protestojmë si njerëz të lirë dhe me dinjitet. Paralajmërojmë policinë e Shtetit të Edi Ramës të rrijë larg protestuesve, të mos pengojë lëvizjen e lirë të tyre përndryshe secili prej shërbëtorëve të skenarit kriminal të Edi Ramës do të mbajë përgjegjësi personale dhe ligjore. Në Shqipëri ka vetëm një skenar destabilizimi, ai është skenari i Edi Ramës për të qeverisur bashkë me krimin e organizuar, i cili blen vota dhe mandate për të mbajtur në pushtet Edi Ramën”, deklaroi Bardhi.