AKTUALITET

Intervista/ Mjeku obstetër gjinekolog Avenir Balili: Koronavirusi tek gratë shtatzëna, rreziqet dhe lindja

19:53 - 09.04.20 gsh
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro-Kjo periudhë pandemie është nga më të vështirat që mund të kalojë një grua shtatzanë. Por sa të rrezikuara janë këto gra nga COVID 19? Në një intervistë për Gazeta Shqiptare, mjeku obstetër-gjinekolog, Avenir Balili tregon se shumë paciente të shqetësuara kërkojnë të dijnë se cili do të jetë fati I tyre dhe fëmijës që do të sjellin në jetë. Balili thekson se transmetimi i virusit mund të bëhet pas lindjes dhe shton se i duhet marrë tampon nasophayngeal bebit dhe të merren masat përkatese. Balili bën me dije më tej se në rast se nëna është e sëmurë duhet të ndahet nga fëmija dhe të ushqehet me qumësht natyral të dhuruar nga nëna të shëndosha.




Sa të rrezikuara janë gratë shtatzëna nga koronavirusi?

Individët më të rrezikuar nga COVID 19 janë gratë shtatëzana, të moshuarit, të sëmuret kronik, immunodepreset ose personat me imunitet të kompromentuar etj. Cdo ditë këto kohë dëgjoj nga pacientet shtatëzana se cili mund të jetë fati i tyre në rast se infektohen dhe sëmuren nga viroza e Coronavirusit, Covid-19. Një përgjigje të saktë nuk jam në gjendje t’ iu jap. Duhet të theksoj që në fillim se konkluzionet përfundimtare do të bëhen të njohura vetëm kur të kalojë kjo valë sepse është një realitet i ri i panjohur më parë. Nga njëherë rezultatet në obstetrikë duan edhe vite për tu konfirmuar e publikuar.

Ajo që është e ditur deri me sot, është se prekja nga Influenza ose gripi, i grave shtatëzëna mund te shoqërohet me komplikacione të rënda. Veçanërisht, ndryshimet ose modifikimet e sistemit imunitar, kardiak e pulmonar gjatë barrës i bën këto paciente të përballen me ndërlikime me serioze. Shpërthimet e infeksioneve virusale Influenzale janë të përviteshme e stinore. Shtatëzënat me Influenza janë më të mundshme të sëmuren më rëndë, te hospitalizohen dhe të përfundojnë keq në raport me moshatret e tyre jo te rënduara. Ky rregull vlen edhe për lehonat në dy javët e para pas lindjes.

Cilat janë simptomat që mund të shfaqin pacientet e prekura? A jemi në gjendje ne vetë, bazuar në simptomat që shfaqim, që të dallojmë gripin stinor nga koronavirusi?

Shenjat më të shpeshta për të dy infeksionet janë këputja, dhimbjet në të gjithë trupin, dhimbja e kokës, temperaturë e lartë, ethe, rrjedhje ose hundë të zëna, dhimbja e fytit, kollë e thatë dhe disa shënja të tjera të prekjes së gjëndjes së përgjithshme të organizmit. Të rralla janë edhe të vjellat e diarrea. Pneumonia është komplikacioni më i shpeshtë. Sidoqoftë gratë shtatëzëna janë pre më të lehta të komplikacioneve të rënda vecanërisht të atyre pulmonare. Nuk ka të dhëna të sigurta për një lidhje të këtij infeksioni me anomalitë kongenitale fetale. Një përqindje e lehtë e verifikuar i takon difekteve të tubit neural të të porsalindurve, nënat e të cilëve janë sëmurur në fillim të barrës. Kjo ndoshta lidhet me temperaturë të lartë shoqëruese. Disa autorë përshkruajnë një përqindje më të lartë në këto gra të skizofrenisë dhe autizmit në të ardhmen e fëmijëve të tyre. Abortet e hershme, lindjet para kohe, vdekjet e fëmijeve brënda në mitër janë të njohura dhe të konfirmuara prej kohësh dhe varen nga serioziteti i sëmundjes amëtare. Klinikisht virozat nga Influenza (gripi, rufa, të ftohurit stinor) dhe Coronavirusi janë shumë të ngjashme. Diferencimi midis këtyre dy infeksioneve virale një është i mundur vetëm me anë të analizës së tamponit nasopharyngeal. Të dyja virozat shkaktojnë çregullime respiratore. Rrugët e transmetimit janë të njejta. Përhapja e Coronavirusit është 2-2,5 herë më e shpejtë se Influenza. Format e rënda janë 15%, format kritike janë 5% për Coronavirus. Për Influenza janë respektivisht 4% dhe 1%.

A mund të bëhet infektimi i bebes menjëherë pas lindjes?

Konkluzionet e deri tanishme bazohen në një numër të kufizuar rastesh megjthatë nuk është vërtetuar prania e Coronavirusit në gjakun e të porsalindurit në ujërat që e rrethojnë dhe në qumështin e nënës. Por transmetimi i virusit mund të bëhet mbas lindjes prandaj i duhet marrë tampon nasophayngeal bebit dhe pastaj të merren masat përkatese.

Në raste se gruaja shtatzanë është e prekur nga COVID 19, cila lindje sugjerohet për të minimizuar rrezikun? Si duhet të veprohet nëse nëna e të sapolindurit është e infektuar nga koronavirusi?

Ne rast se nëna është e sëmurë duhet të ndahet nga fëmija dhe të ushqehet me qumësht natyral të dhuruar nga nëna të shëndosha. Nuk duhet inkurajuar lindja me operacion por duhet orientuar drejt lindjes normale në reparte të izoluara e me masa të vecanta si për të gjithë të infektuarit e tjerë. Deri më sot nuk ka ndonjë mjekim të vecantë për kurimin nga Coronaviruset dhe janë të gjitha në faze eksperimentale. Vaksina për tu mbrojtur akoma nuk është e gatshme. Vendimi për të përdorur medikamente të tjera, varet nga shenjat klinike, nga graviteti i sëmundjes, patologjitë kronike shoqëruese dhe faktoret epidemiologjik.

A rekomandohet mjekimi me antiviral dhe antibiotik?

Mjekimi me antiviral dhe antibiotik duhet të aplikohet mbas përshkrimit të mjekëve specialist. Vaksinimi është shkalla e parë mbrojtëse më e rëndësishme si për nënën ashtu edhe për bebin. Një rrugë komode vaksinimi mund të jetë ajo me anë të spray nasale ose implanteve epidermik. Vaksinimi pakëson rastet e pneumonive të hospitalizimeve dhe rasteve fatale gati me 40-50%. Imunizimi pasiv me anë të vaksinës mbron jo vetëm nënën por ndihmon në mbrojtjen edhe të të porsalindurin në muajt e parë të jetës. Nëna ja kalon antitrupat bebit brenda organizmit të saj gjatë barrës.

Si mund të parandalohet përhapja e COVID 19?

Parandalimi i sëmundjes është i mundur duke respektuar kryesisht ligjet elementare të higjenes dhe të izolimit fizik. Karantinimi i personave të infektuar është i domosdoshëm për të mirën e përgjithshme sipas orientimeve të specialistëve sanitar.

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.