SHËNDET

Avenir Balili: Gratë në menopauzë, më të rrezikuara nga koronavirusi

11:03 - 11.05.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Hyrja në periudhën e menopauzës shoqërohet me shumë problematika për gratë dhe jo në pak raste edhe me sëmundje shtesë si sëmundjet kardiovaskulare; aksidentet cerebrale; diabeti II, obeziteti; pneumopatitë kronike; depresioni, demenca senile, alzheimeri, osteoporoza. Sipas një studimi sëmundjet që shoqërojnë menopauzën shërbejnë si predispozues për vdekjet nga Covid-19. Në një intervistë për suplementin “Life Pages” në ‘Gazeta Shqiptare’, mjeku obstetër gjinekolog, Avenir Balili tregon se menopauza vjen në moshën 49-52 vjeç tek gratë shqiptare dhe më tej sqaron të gjitha sëmundjet bashkëshoqëruese të kësaj periudhe fiziologjike. Më tej ai jep disa këshilla të rëndësishme për gratë në menopauzë dhe të moshuarit, me synim kapërcimin me sukses dhe pa pasoja të pandemisë COVID 19.




Çfarë është menopauza?
Vezoret janë dy gjëndra të vendosura në legenin e gruas dhe kanë funksion të dyfishtë çlirimin e vezës dhe prodhimin e estrogeneve e progersteronit. Me kalimin e viteve gjithë materiali ose indi gjendëror zëvendësohet me ind lidhor që është indiferent. Rrjedhja e përmuajshme vjen nga mitra që është organ tjetër nën kontrollin e hormoneve të vezores e hipofizës. Menopauza është një periudhë fiziologjike për çdo grua që nënkupton përfundimin e aftësisë së saj për t’u riprodhuar. Duhet të kemi një ndërprerje të ciklit menstrual më shumë se 12 muaj që të themi se menopauza është tashmë e instaluar. Nuk duhet ngatërruar me termin tjetër amënore që denominon një ndërprerje të përkohshme të ciklit më për më pak se pak gjashtë muaj.

Si mund ta kuptojnë gratë nëse po hyjnë në periudhën e menopauzës?
Dua të theksoj se shqetësohen shumë pacientet që janë mbi të dyzetat që mendojnë gabimisht se mund të jetë një menopauzë e parakohshme e mundshme. Menopauza vjen në moshën 49-52 vjeç tek gratë shqiptare sot. Trashëgimia ka rol të rëndësishëm. Duhanpirja akuzohet për avancimin dy deri në tre vjet të menopauzës, po kështu konsumi i alkolit e drogave. Popullata e menopauzikeve tek ne është në rritje, sepse gratë jetojnë gjithnjë e më gjatë. Popullata shqiptare po plaket dhe shumica e grave vazhdojnë të punojnë mbasi kalojnë në menopauzë. Është çështje socio-ekonomike me rëndësi.

Cilat janë problematikat që i shfaqen femrës gjatë dhe pas kësaj periudhe menopause?
Më përpara menopauza nëpër ambientet e gjinekologëve diskutohej pak dhe nuk njiheshin mirë problemet e saj. Sot të gjitha gratë pretendojnë një jetë më të mirë duke mos mohuar kënaqësitë e jetës. Organet që preken nga menopauza janë: sistemi kardiovaskular; sistemi nervor; sistemi muskulo osteo-artikular; sistemi imunitar; sistemi urogenital etj. Rënia e aftësisë për punë është një problem për të gjitha perimenopauziket. Nuk janë më të afta si më parë, nuk mbajnë mend, nuk përqendrohen dot në punë, u prishet humori shpejt. Një fakt interesant është se përveç njeriut, majmunëve antrpomorf (shimpanze, gorilla), elefantit, disa balenave; cikël menstrual paskan edhe disa lloje lakuriqësh nate.

Mund të na shpjegoni në mënyrë të detajuar se cili është roli i menopauzës në dobësimin e sistemit imunitar?
Termi immunosenescsence tregon për një konsumim, harxhim, dobësim të sistemit imunitar me avancimin e moshës. Sistemi imunitar është një rrjet organesh e indesh ose pjesë organesh që mbrojnë organizmin nga dëmtimi i antigeneve, mikrobeve, viruseve dhe qelizave jo normale. Varet shumë edhe nga faktorët e trashëgimisë. Në krye të këtij sistemi është gjëndra e timusit që është mbrapa pjesës së sipërme të dërrasës së kraharorit. Imunodeficiencë është mungesa ose rënia e imunitetit e lindur ose e fituar e jo si pasojë e moshës.

Sa të rrezikuara janë gratë në menopauzë nga koronavirusi?
Mjekët në të gjithë botën u gjendën përballë një realiteti të ri të panjohur më parë. Pati njëfarë neglizhimi nga OBSH, një reagim me vonesë, mungesë të një protokolli mjekimi, mungesë të vaksinës. Të gjithë këta faktorë çuan në përhapjen e frikshme të COVID-19. Sipas disa raportimeve të moshuarve në azile u është dhënë ndihma me vonesë ose nuk janë ndihmuar fare. Nëse një person infektohet në këto ambiente kolektive, virusi përhapet shpejt tek të tjerët. Sëmundjet që janë bashkëudhetare të menopauazës dhe që rëndojnë si bartësit ashtu edhe të sëmurat me coronavirus janë sëmundjet kardiovaskulare; aksidentet cerebrale; diabeti II, obeziteti; pneumopatitë kronike; depresioni, demenca senile, alzheimeri, osteoporoza. Gjinekologia Barb DePree ka opinionin e saj; ajo mbron teorinë se janë sëmundjet që shoqërojnë menopauzën si predispozues për vdekjet nga COVID-19. Shumë mjekë gjinekologë dhe të specialiteteve të tjera thonë qe konkluzionet e drejta do arrihen pas kalimit të kësaj situate.

A ndikon marrja e estro-progestativeve në modifikimin e imuntetit?
Një studim është bërë dhe është konkluduar se gjinekologët përdorin më shumë terapi hormonale zëvendësuese se sa kolegët e tyre kirurgë ose pediatër. Trajtimi hormonal zëvendësues ka edhe risqet e tij si kancerin e gjirit, të endometrit etj. ndaj duhen bërë kontrolle periodike. Efekti i estrogeneve duket edhe për infeksionet e tjera virale e mikrobiale pa diskutim për përdorueset e rregullta të terapisë hormonale. Marrja e estro-progestativeve në momentin e fundit nuk ka kohë të modifikojë imunitetin.

Të moshuarit kanë nevojë për vizita të vazhdueshme pranë qendrave shëndetësore. Çfarë rekomandoni për këtë kategori, a janë të efektshme komunikimet elektronike me mjekët në këtë periudhë pandemie?
Mbipopullimi i ambulatorëve dhe poliklinikave është domosdoshmërisht i mënjanueshëm. Elektronizimi ose kompjuterizimi i shëndetit të secilit është i detyrueshëm. Komunikimi nëpërmjet telefonit ose skype me mjekun është një alternativë që duhet praktikuar.

Si mund të forcojnë imunitetin gratë në menopauzë dhe të moshuarit dhe si mund të mbrohen nga koronavirusi?
Nga të paktit faktorë që kanë influencuar pozitivisht janë izolimi, ndarja fizike dhe sociale. Eksperienca kineze me karantinimin në bllok të qytetit ishte eksperience e vlefshme. Ushqyerja e mirë, e ekuilibruar, jo e njëanshme, konsumimi i frutave dhe zarzavateve të stinës influencon mirë mbi imunitetin. Marrja e suplementeve vitaminik nuk ka ndonjë vlerë të veçantë. Ekspozimi në diell për 15-30 minuta është shumë i këshillueshëm. Ushtrimet fizike të rregullta brenda ambientit të shtëpisë kanë vlera dhe nuk është e domosdoshme frekuentimi i palestrave. Marrja e vitaminës D është e këshillueshme. Ambienti i ngrohtë familjar mos lënia në vetmi e harresë të gjyshërve dhe gjysheve është faktor me rëndësi. Këshillohet aktivizimi i të moshuarve në punë te vogla si dhe ndjekja e televizionit, por jo skenave të frikshme të pandemisë si rrëzimi i papritur i njerëzve në rrugë, karvani i makinave ushtarake me arkivolet e të vdekurve në Itali, fytyrat e vuajtura të të sëmurëve rëndë, përgatitja e arkivoleve sepse të gjitha infuencojnë vetëm negativisht në psiqikën e tyre. Gjumi i plotë e çlodhës është një faktor tjetër mbrojtës ndaj koronavirusit. Frika nga sëmundja, mbyllja brenda, mediat dhe rrjetet sociale mund të shtojnë stresin e ky I fundit mund të pasohet me depresion e psikoza, gjithashtu edhe fobitë janë shumëfishuar.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.