AKTUALITET

Pse munguan për 2 vjet ilaçet e fëmijëve me kancer? Si u shmang Manastirliu nga skandali kriminal në spitale

12:49 - 29.04.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Gazetari Osman Stafa publikoi një denoncim të fortë disa ditë më parë, sipas të cilit, në repartin e Onko-Hematologjisë në QSUNT, prej dy vitesh mungojnë disa medikamente jetike për fëmijët që vuajnë nga tumoret, leucemia, ndërkohë këto medikamente nuk mund të gjenden as nëpër farmaci apo treg të lirë.




Stafa i ka kërkuar Prokurorisë së Tiranës që të kryejë një hetim për QSUNT-në, pas një investigimi, ku del në pah mungesa e 4 medikamenteve (asparaginaza, 6 merkaptopurina, methotrexat, acidi folinik) përgjatë 2 viteve të fundit në Onko-Hematologji, në QSUNT, për fëmijët që bëjnë kimioterepi.

Pas përfundimit të mbledhjes  së qeverisë, ditën e sotme, gazetari Osman Stafa ka vënë në vështirësi ministren e shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, kur e pyeti se si u siguruan këto ilaçe kohët e fundit, nëpërmjet një tenderi apo në ndonjë mënyrë tjetër. Ministrja nuk pranoi të jepte përgjigje, duke iu shmangur një skandali me përmasa kriminale në spitale. Ndiqeni videon më poshtë:

Gazetari: Unë kam kryer një investigim në lidhje me mungesën e 4 medikamenteve në onkologjinë pediatrike. Një lajm i mirë është se këto medikamente kanë ardhur, por si janë siguruar? Është një tender i cili është aplikuar dhe konkretisht kur kanë ardhur këto medikamente?

Manastirliu: Këto medikamente janë të siguruara në QSUT. Nëse ju keni nevojë për një informacion më të detajuar mund të drejtoheni në këtë strukturë. Gjithashtu ajo që është e rëndësishme është që ne do garantojmë buxhetet e nevojshme në mënyrë që mos ketë asnjë problematikë për buxhetimin e barnave që nevojiten në spitalet tona. Për sa i përket këtyre barnave ne kemi hapur procedurat e prokurimit publik, që janë procedura të hapura dhe që shpresojmë të garantojmë furnizimin në vazhdim me barna.

Gazetari: Nuk mora përgjigje. A është një tender? Dua të di mënyrën se si kanë ardhur. E kujt është përgjegjësia që për 2 vite këto ilaçe kanë munguar për fëmijët të cilët vuajnë nga sëmundje të ndryshme të rënda?

Manastirliu: Për sa i përket informacionit që kërkoni për më shumë detaje, një kërkesë pranë QSUT për të marrë informacionin e nevojshëm. Për sa i përket informacionit tjetër që doni, me sa di keni çuar një kërkesë në Prokurori. Le të presim përfundimet për të vlerësuar edhe përgjegjësit.


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.