Kryeministri Rama i është përgjigjur reagimeve që erdhën pas plagosjes së dy ushtarëve nga personat e dyshuar si agjentë rusë në uzinën e armëve në Gramsh.
Fillimisht Rama ka shigjetuar deklaratat e opozitës dhe më pas është shprehur krenar për ushtarët shqiptarë.
“Çfarë trishtimi që edhe kur bëhet fjalë për një ngjarje kaq delikate sa ajo e Gramshit, gjithëfarë gjelash laramanë ia marrin avazit majë plehut të interesave të tyre mizerabël! Po edhe çfarë krenarie për rojet ushtarake që i neutralizuan tre individët e dyshuar për spiunazh!
Shërim të shpejtë të lënduarve dhe tani të presim zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje!” shkruan Rama në Twitter.
Më herët, kreu i PD Sali Berisha tha se ngjarja nuk duhej të quhej incident, por një aggression ndaj NATO-s, ndërsa sipas tij, përgjegjësia binte edhe ndaj kryeministrit Rama që nuk e ndaloi hyrjen e rusëve në Shqipëri.