Kryesore

Frika e opozitës nga “zhdukja” e koalicioneve/ A po kërkon Rama “mandat të tretë” në tavolinë? (dhe një ‘tweet’ i Bashës)

20:38 - 01.07.20 G.SH.
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Shumëkush mund të jetë çuditur sot me postimin e mëngjesit në “Twitter” të Lulzim Bashës. Rreth orës 9 paradite, kreu i PD publikoi një fotografi të Xhon Kenedit me një thënie të tij: “Ata që e bëjnë revolucionin paqësor të pamundur, e bëjnë të pashmangshëm revolucionin e dhunshëm”.




Që Lulzim Basha paralajmëron revolucionin e rradhës kjo nuk është çudi. S’do të ishte hera e parë.

Premtime të ngjashme ai bëri që në nisje të mandatit të dytë të Ramës, kur paralajmëroi se Ruçi nuk do ta merrte dot karrigen e kryetarit të parlamentit. Gjithkush i kujton më pas, betimet për mbrojtje të banesave të ‘Astirit’, përbetimet për moslejimin e hyrjes së Fatmir Xhafajt në zyrë si ministër. E më tej, paralajmërimet pompoze se “zgjedhje më 30 qershor nuk do të ketë”. Deri tek ky i fundit për Teatrin, ku opozita tha “para se ta prishin duhet të hipin mbi trupat tanë”.

Pra, “revolucioni i PD” është inflacionuar aq shumë sa megjithë paralajmërimet pakkush e merr seriozisht.

Megjithatë, një zhvillim i orëve të fundit e ka bërë situatën më seriozen e këtij viti politik.

Opozita parlamentare, ose ata që Basha i quan “tradhtarë” ka depozituar në Kuvend një nismë për ndryshimin e Kushtetutës. Propozohen lista të hapura dhe ngritje pragu elektoral në 5%, por dhe diçka tjetër, në dukje e parëndësishme. Heqja apo ndalimi i koalicioneve parazgjedhore.

Eshtë e qartë se heqja e mundësisë për konkurrimin në zgjedhjet e 2021 pa koalicion është lajm i keq dhe mund të rezultojë fatal për opozitën.

Për herë të parë, PD arriti të bashkojë në një koalicion delikat, të gjithë aktorët kryesorë politikë: jo vetëm LSI-në, por edhe Idrizin, Dulen, Mediun, Dukën, etj. Në krahun tjetër, Rama duket se po mjaftohet me PS-në e fortë dhe s’ka bërë deri tani përpjekje serioze për të afruar aleatë të rinj.

Për shkak të Kodit Zgjedhor, hyrja ose jo në koalicion mbetet vendimtare për të ardhmen e pushtetit. Praktikisht është njësoj si të gjuash peshk: dy barkat janë kampet politike, por dikush peshkon me 20 grepa dhe dikush me vetëm 4 apo 5.

Duke ndjerë rrezikun që Rama të hedhë në erë marrëveshjen e Këshillit Politik që në fakt nuk ndryshon asgjë thelbësore, PD-ja ka vënë alarmin.

Pas paralajmërimit misterioz të Bashës në mëngjes, në orët e drekës erdhi qëndrimi zyrtar i “Opozitës së Bashkuar”.

“Opozita e Bashkuar kërkon miratimin pa vonesa të draftit të depozituar zyrtarisht në Kuvend, sipas Marrëveshjes Politike të 14 Janarit. Qeveria duhet t’i përmbahet angazhimit për miratimin e Reformës Zgjedhore pa asnjë ndryshim, duke hequr dorë nga manovrat apo provokimet, që do të minonin konsensusin e arritur midis forcave politike”, thuhet në këtë qëndrim.

Ndonëse nuk përmendet shprehimisht, referimi është tek iniciativa në Kuvend e “opozitës së re” për ndryshimin e Kushtetutës.

Teorikisht, Rama mund ta rrëzonte paktin me PD-LSI dhe të pranonte ndryshimin e Kushtetutës me opozitën e re.

I cakton atij të vendosë në fund nëse do ruajë konsensusin me Bashën e Kryemadhin, apo do të luftojë për të “zhdukur” koalicionet parazgjedhore që ti japë vetes avantazh në zgjedhjet e ardhshme.

Ka një perceptim se PS është ende forcë e parë, ndaj, garimi pa koalicione do ta favorizonte dukshëm PS-në, duke i dhënë të drejtën për të krijuar qeverinë e ardhshme.

Në këtë ekuacion, vendimtar do të jetë roli i faktorit ndërkombëtar. Pakti PS-PD-LSI u negociua në rezidencën e Yuri Kim dhe u përshëndet nga kreu i Departamentit të Shtetit, Mike Pompeo.

A do “ta lejojnë” ata Ramën të luajë fort, ta grisë marrëveshjen e Këshillit Politik dhe të ecë drejt paktit me Myslim Murrizin, Rudina Hajdarin dhe deputetët e tjerë në Kuvend? Koha do ta tregojë.

Brenda korrikut, amendamentet kushtetuese të opozitës së re do të votohen në Kuvend.

Aty do të kuptohet nëse, Edi Rama është “dorëzuar” përballë zakonit të vjetër të rotacionit 8-vjeçar, apo është i vendosur të hyjë në histori, si kryeministri i vetëm i pluralizmit që synon seriozisht fitoren e mandatit të tretë qeverisës.

“Gazeta Shqiptare”


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.