SPORT

Shehi bëhet trajner i kryeqytetasve. Surprizon Tirana, skuadrat e tjera vazhdojnë lëvizjet

09:38 - 28.01.21 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Orges Shehi është tashmë trajneri i ri i Tiranës, pas largimit të bujshëm të Nevil Dedes. Ish-portieri dhe trajneri i Skënderbeut nuk ishte as në listë ditën e martë, por duket se brenda ditës, ai u bë favorit dhe u emërua në postin e trajnerit. Shehi është përzgjedhur, duke parë edhe miqësinë e tij me drejtorin sportiv të Tiranës, Tefik Osmani. Trajneri që më parë ka drejtuar edhe Skënderbeun edhe Kukësin, preferon një lojë ofensive, zakonisht me skemën 4-3-3, por edhe 4-2-3-1. Pikërisht kjo e fundit mendohet të jetë skema me të cilën do të luajë Shehi, me Vairinen në qendër të sulmit, i mbështetur nga Halili, Seferi dhe Muçi. Gjatë prezantimit të trajnerit të ri, ka folur edhe presidenti Refik Halili. Ai ka dhënë një intervistë të gjatë për mediat, ku i pyetur për arsyen e zgjedhjes së Shehit, u shpreh: “Kuptohet që gjatë gjithë kësaj periudhe të këtij sezoni, nuk kemi ecur mirë. Klubi ynë, që është më i madhi, nuk mund të rrijë dot pa trajner. Mendoj se kam zgjedhur një trajner të duhur, pas shumë bisedave që kemi bërë. E njoh shumë mirë trajnerin. Është kampion dhe ka pak fjalë. Siç ka bërë gjatë karrierës, besoj se do të bëjë të njëjtën gjë edhe te ne si trajner i parë”. Gjithashtu, ai është pyetur edhe për ndërhyrjet në formacion dhe gjërat për korrigjim, për të cilat ka thënë: “E kam të thjeshtë. Kam lexuar dhe se çfarë ka thënë Egbo. Kam dëgjuar disa trajnerë që flasin për ndërhyrje në ekip. Ju e dini se kush janë. Nëse thonë që kam ndërhyrë, ju merreni të mirëqenë. Nëse jo, ju e dini më mirë. Nuk jam i çmendur. Jam i kujdesshëm në këtë drejtim. Nuk kam se si të bëj marrëzira. Një trajner vendos. Nëse pronari thotë ‘lëre konferencën dhe shko diku tjetër’, do shkosh. Nëse sugjeron diçka, është diçka e mirë. Puna bëhet në bashkëpunim me drejtorin, klubin dhe futbollistët. Më erdhi keq që u prish marrëveshja me ish-futbollistin tonë që ka qenë kampion prej vitesh. Ndoshta unë nuk do të ndryshoj. Shpresoj të mos i sjell dëm trajnerit në vazhdimësi. Në drejtimin e klubit kam bërë gjithçka mirë në infrastrukturë që kur është privatizuar. Besoj se do t’ju vijë një lajm shumë i mirë që kam bërë dhe do vazhdoj të bëj. Do të jemi këtu prapë së shpejti. Dhe do të thoni ‘si ka mundësi që i realizoi’. Kam bërë mirë. Nuk jam penduar për largimin e një trajneri, kushdo qoftë. Nëse në këtë klub nuk bëhet mirë, është trajneri që i ha kritikat për rezultatet. Trajnerët janë të qetë këtu. I thashë edhe Orgesit se do ta shohë sa mirë është këtu. Nuk kam thënë që trajnerët nuk kanë bërë punë të mirë. Janë rezultatet që flasin. Dede është rast i rrallë. E përgëzoj që është i vendosur. Bëri zgjedhje shumë të mirë për veten e tij. Lojtarët janë aty”. Në anën tjetër, ka folur edhe Orges Shehi, i cili u shpreh i gëzuar: “Krenar që jam pjesë e klubit më të titulluar në vend. Duke pasur më shumë tituj, presioni rritet. Kemi një rrugë të gjatë përpara. Skuadra do të tentojë të ngjitet sa më lart. Hapat i marrim avash-avash. Objektivat dihen, për të qenë gjithmonë në majë. E prita me shumë qejf ofertën e Tiranës, për emrin që ka dhe kontingjentin aktual. Këto ishin arsyet që erdha këtu. Nuk mund të mendojmë për Vllazninë tani. Shkallë-shkallë ngjitesh lart. Nuk ndodhemi mirë në renditje, por duhet të bëjmë të pamundurën”. Duke lënë mënjanë Tiranën, ekipet e tjera po ecin dhe po bëjnë lëvizje drejt fundit të merkatos, me Partizanin që afroi Ferhan Hasanin dhe ai u prezantua me fanellën e kuqe. Ai do të provojë ta udhëheqë ekipin drejt Kupave të Europës. Ndërkohë, Skënderbeu, pasi ka bërë disa afrime, do të provojë të afrojë një sulmues deri më datë 31 janar, por nuk ka asnjë emër konkret për momentin. Te Kukësi, Mirel Josa e ka nisur menjëherë punën për të përgatitur fizikisht dhe psikologjikisht ekipin për ndeshjen e radhës. Ndërsa drejtori Nderim Nexhipi ka folur për merkaton, ku pritet të afrohen edhe 2-3 futbollistë të tjerë në mesfushë dhe në repartin e sulmit. Nuk ka shumë kohë për të bërë lëvizje, por ekipet do të shfrytëzojnë edhe minutat e fundit për të firmosur me objektivat e tyre.




 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.