Ilir Meta ka ndryshuar mendim për krizën. Tani që marëveshja mes Ramës dhe Bashës është një realitet, ka kuptuar se kriza ishte artificiale.
‘Tejzgjatja e krizës dhe sidomos kërkesat jashtë çdo llogjike, si zgjedhjet në dhjetor apo qeveri teknike ishin të pajustifikuara” u shpreh presidenti i votuar gjatë bisedës me Arian Çanin në Zonë e Lirë.
“Rama dhe Basha i dhanë fund një kalvari vuajtjesh, për një krizë që ishte artificiale dhe kjo u kuptua nga zgjidhja që iu dha” u shpreh Ilir Meta.
I pyetur nga Çani pse e quan krizën artificiale, Meta tha se zgjidhja mund të ishte bërë që në paketën McAlister.
“Kjo zgjidhje që u bë tani mund të ishte bërë kur erdhi Mcalister, mund të ishte bërë edhe me parë”
Meta sqaroi se krahasimi me atë që ndodhi në vitin 2008 nuk është i saktë pasi atëherë u përjetua si tragjedi, sot po përjetohet si komedi.