BLUETOOTH

Bluetooth – Nostalgji/ Altin Rrakli: Na quajnë të shthurur, se jemi në qendër të vëmendjes. Nuk do të martohem kurrë me atë që nuk dashuroj

16:00 - 05.11.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Në lajmet tona të “show-bizz”-it, në rubrikën “nostalgji” mund të gjeni fotografi, lajme apo intervista të veçanta, të publikuara gjatë viteve në suplementin “Bluetooth” të “Gazetës Shqiptare”. Në GSH.al, sot po ju sjellim: Altin Rrakli: Na quajnë të shthurur, se jemi në qendër të vëmendjes. Nuk do të martohem kurrë me atë që nuk dashuroj





Ish-futbollisti kombëtare që shpesh na ka bërë të ndihemi krenar, të emocionohemi përballë një goli prej 30 metrash të shënuar kundër Gjermanisë dhe ta admirojmë për talentin dhe aftësitë e tij, tashmë ka zgjedhur një rrugë tjetër, e cila pashmangshmërisht është e lidhur me futbollin. Ky sport nga i cili ka marrë, por dhe ka dhënë shumë, i mungon aq shumë sa shumë rrallë shkon në stadium. Altin Rraklli në këtë intervistë për “Gazetën” tregon për planet e tij në Tiranë, ndryshimin mes saj dhe Gjermanisë, jetën jashtë futbollit, por dhe për njohjen e tij të re në jetën private.
Në 2004 jeni kthyer nga Gjermania, përse?
Ishin disa arsye. Së pari, skuadra me të cilën luaja në Gjermani ra nga kategoria dhe po kërkoja një skuadër të re në ato momente, ky ishte një shkak. Një tjetër ishte se dhe disa njerëz të ekipit kombëtar më kërkonin të luaj me Tiranën dhe më vendimtarja ishte se prindërit e mi jetonin vetëm tashmë në Tiranë, pas emigrimit të dy motrave nga Shqipëria. Pra, shkaku kryesor ishte familjar. Gjithashtu, unë kisha dhe disa objektiva për të bërë disa investime, por këtu mund të përfshij dhe telefonatën në atë kohë të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, z. Edi Rama, sepse në atë periudhë Bashkia e Tiranës sapo kishte marrë në administrim ekipin e Tiranës. Kështu u mblodhën disa faktorë që unë të rikthehesha.
Keni lënë futbollin, çfarë ju mungon më shumë prej tij?
Më shumë nga çdo gjë më mungon futbolli. Më mungon jashtë mase, madje unë e kam shumë bezdi të shkoj nëpër stadiume të shikoj ndeshjet, nuk shkoj thuajse kurrë. Ndonjë ndeshje të rrallë të kombëtares, si ndeshja kundër Holandës, por ndeshje të kampionatit kombëtar nuk shikoj fare. E kam shumë të vështirë…
Me çfarë po merreni tani?
U ingranova në kursin e trajnerëve që organizon FIFA në Shqipëri, sepse është më e lehtë se në Gjermani. Licencat dhe kurset e trajnerëve po i marr të gjitha, dhe së shpejti do të marr dhe licencën e menaxherit të FIFA-s. Ndërkohë, po lëviz shpesh drejt Gjermanisë, dhe aty po merrem me shumë lojtarë kosovarë që luajnë atje. Dhe pse janë të shumtë, kam zgjedhur disa të cilët i kam marrë në kontratë dhe fillimisht me këto do merrem. Gjithashtu, kam piketuar dhe disa lojtarë që luajnë në kampionatin kombëtar dhe shpresoj të fillojmë sezonin e verës të merrem me punën e menaxherit. Këto janë planet e mia afatshkurtra. Në planet afatgjata kam dëshirë që së bashku me Altin Lalën, të hapim një Akademi Futbolli dhe tani jemi në fazën që po merremi me studimin kushteve të terrenit, etj.
Është më e leverdishme të jesh menaxher apo futbollist, nga ana financiare?
Unë në jetën time nuk kam parë kurrë si prioritet anën financiare. Kam luajtur në klube që mund të më kenë paguar më pak se klube të tjera, vetëm se kam qenë i afeksionuar nga ana shpirtërore dhe jam ndierë më i sigurt. Nuk jam tip që e vë shumë re këtë anë. Besoj së kënaqësinë shpirtërore që të jep profesioni i futbollistit nuk mund ta japë profesion tjetër. Emocionin e shënimit të një goli përpara 50.000 shikuesve nuk mund ta japë menaxhimi i një futbollisti. Nuk mund t’i krahasoj dot, të jesh futbollist është diçka krejt tjetër.
  Keni jetuar në Gjermani për afro 12 vjet. Si ka qenë periudha atje dhe ndryshimin kur ke ardhur në Shqipëri?
Është e çuditshme, sepse gjatë kohës kur luaja në Gjermani sa herë që vija në Shqipëri kisha rrahje zemre, normalisht është nostalgjia e vendit tënd, sado i keq, ose i shëmtuar të jetë.
Ndërsa tani që jetoj në Shqipëri, kur kthehem në Gjermani, ndiej një kënaqësi të jashtëzakonshme. E gjitha kjo mendoj se ka të bëjë me sigurinë, qetësinë dhe luksin e jetës atje. Mund të jesh edhe një njeri i thjeshtë, por atje e ndien ndryshimin.
Meqë keni jetuar në Gjermani, mund të na thoni ndryshimi midis vajzave shqiptare dhe gjermane?
Problemi është se u bë një periudhë e gjatë që nuk kam pasur lidhje me vajza gjermane, por do të mundohem ta kthej shiritin e kasetës mbrapa (qesh). Vajzat gjermane, nga eksperienca personale që ndoshta mund të jetë e ndryshme nga jeta reale sot, janë shumë më të hapura, më të çiltra dhe më pak materialiste, të paktën nga çfarë dëgjoj. Ky është ndryshimi. Gjithashtu, janë shumë pak më të bukura se femrat shqiptare, kjo është e sigurt. Duke llogaritur dhe probabilitetin e njohjes, sepse Gjermania është një popull i madh, rreth 80 milionë, populli shqiptar është më i bukur. Por duhet thënë se ata janë një popull që i zbukuron kultura.
Altin Rrakli jashtë futbollit, çfarë natyre është?
Për veten ndonjëherë është më e vështirë të flasësh. Në shoqëri dhe në familje, mundohem dhe e di që jam një person shumë korrekt. Në përgjithësi jam natyrë e qetë, dhe pse kam qenë shumë impulsiv përpara se të shkoja në Gjermani. Vajtja atje më ka ndryshuar shumë në karakter, për mirë sigurisht. Përpara se të largohesha kam qenë tipik natyrë gjaknxehtë shqiptare, por kam ndryshuar tashmë. Është më mirë të jesh më pak impulsiv në reagime, sepse më pas gjithmonë pendohesh për atë që mund të thuash ose të bësh.
E ndjek jetën e natës?
Normal! Jo në mënyrë shumë intensive. Mundohem që një herë ose dy herë në javë të dal me shoqërinë nëpër klubet e natës. Në Shqipëri ka një problem duke e krahasuar me Gjermaninë, që nuk ka mundësi të tjera përveç klubeve të natës. Në Gjermani kujtoj që organizonim aktivitete të ndryshme, brenda dy javësh nuk mbaj mend të bënim të njëjtën gjë. Nuk isha unë që jepja ide, jepnin të gjithë, ndërsa këtu nuk i dëgjon një herë të thotë shkojmë diku. I vetmi sadisfaksion është të thonë: “A dalim një herë jashtë Tiranës, shkojmë andej nga Dhërmiu? (qesh)
Keni një vend që frekuentoni më shumë?
Është Bar-hotel “Vilapark”, në pronësi të një shokut tim, çiklistit kampion në Shqipëri, Eduart Xhëdikut. Është vendi ku shkoj më shpesh dhe me pëlqen shumë, ndihem komod.
Altin, je singëll apo i dashuruar?
Nuk jam singëll, mund të themi në njohje e sipër, por as i dashuruar…
Vajza është shqiptare?
Normalisht!
Si jeni njohur?
Jam në hapat e para të një njohje të rastësishme. Më të jam njohur në një koncert që organizonte një miku im.
Çfarë të pëlqen më shumë nga ajo?
Jemi vërtet në hapat e para, nuk mund të them ndonjë gjë, sepse as unë nuk e di se çfarë do të ndodhë. Ajo më pëlqen, sepse është e paraqitshme, është sportive dhe sidomos, është brune (qesh).


Po cilësitë?
Karakteri është pjesa kryesore. Disa miqtë e mi thonë se problemi yt është se ke qenë gjithmonë në qendër të vëmendjes si futbollist dhe je shoqëruar shumë me vajza të bukura dhe e ke të vështirë të vendosësh për një vajzë që të mbushë mendjen. Por nuk ma merr mendja të jetë e vërtetë (qesh). Përveç karakterit, unë jam tip që i kushtoj rëndësi dhe paraqitjes së jashtme, më pëlqejnë gjërat e bukura, sportive, elegante, këto janë gjërat që unë i vë re tek një femër.
Do të preferoje martesë apo bashkëjetesë?
Periudhën e bashkëjetesës e kam kaluar… (qesh)
Si ishte?
Shumë e bukur. Në Gjermani vetëm kam bashkëjetuar për shumë kohë. P.sh. Nga 12 vjet që kam qenë atje, rreth 5-6 vjet kam bashkëjetuar. Për jetën e një futbollisti është shumë e rëndësishme “të mos bredhi shumë rrugëve”, sepse ka të bëjë direkt me formën e tij sportive. Në rastin tim më ka bërë shumë mirë. Kemi dashur të dy dhe e kemi bërë. Në Gjermani është moderne që të bashkëjetosh.
Por për martesën çfarë mendon?
Është një rrugë që do ta kalojnë të gjithë. Unë kam një ide, nuk do të martohem kurrë me atë që nuk do të dashuroj!
Mendoni se futbollistet janë pak “të shthurur”?
Futbollistët, sidomos jashtë, janë në qendër të vëmendjes, qoftë dhe nëse shkon thjesht në një kafe. Ai do të përflitet, do të komentohet, do t’i kërkohet një autograf dhe do të kërkohet qoftë dhe nga femrat. Nuk mund të them që futbollistët bëjnë një jetë të shthurur, nisem nga vetja ime dhe nga miqtë e mi. Duket sikur janë të shthurur, por në fundjavë pas ndeshjes edhe një futbollist ka të drejtë të dalë si gjithë të tjerët. Problemi është që ne përfundojnë në ndonjë gazetë, ose media. Në Gjermani na kërkohej që tri ditë para ndeshjes të mos shkonim në diskoteka, por përpara katër ditëve mund të shkoje normalisht.
Por për ata që dalin dhe një ditë përpara ndeshjes?
Këtu mund të flasim për futbollistë të shthurur. Për ata që dalim një ditë përpara ndeshjes.
Ky shkrim u botua më 22 mars 2008


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.