KULTURË

Akademia e Shkencave/ Fuga përplaset me Gjinushin për reformën: Vetting edhe këtu

12:50 - 28.03.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli- Skënder Gjinushi dhe Artan Fuga janë përplasur dje për çështjen e reformës së Akademisë së Shkencave. Gjatë mbledhjes së grupit të punës për hartimin e projektligjit “Për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë” dhe të akteve nënligjore në zbatim të tij”, Gjinushi si kryetar i komisionit për reformën me akademikun Fuga, nuk ranë dakord.




Takimi u mbajt pas marrjes së mendimeve dhe pas konsultimit me ekspert?t e Akademisë Gjermane “Leopoldina” dhe ALLEA-s dhe mbledhjeve të zgjeruara konsultuese për marrjen e mendimeve me përfaqësuesit e instituteve dhe qendrave të kërkimit shkencor në universitete e më gjerë.

Ndërsa akademikët zhvilluan takimin përfundimtar (përpara dërgimit të drafteve në Këshillin e Ministrave), dje, synim ishte informimi mbi punën e kryer dhe njohjen me draftligjin “Për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë” dhe draftit të “Kodit etik në veprimtarinë akademike dhe në kërkimin shkencor në Republikën e Shqipërisë”.

GJINUSHI
Skënder Gjinushi bëri me dije se projektligji ka sjellë ndryshime në Akademi. Tha se synohet hapje e Akademisë që në anëtarësi, se pse nuk janë më vetëm nga asambleja sugjerimet, por edhe nga institucionet e tjera. “Sa më cilësorë të jenë të zgjedhurit e rinj, aq më të mirë do jenë kontributet. Përcaktohet qartë edhe roli i akademikut, ai zgjidhet për atë që ka bërë në karrierë sepse është ambicie e angazhim personal, e pos kësaj ka një detyrë morale që si anëtar i kësaj trupe honorifike e elitare të kontribuojë në zhvillimin e shkencës në institucionet e vendit, duke këshilluar përmes oponencave ndaj qeverisë”, tha Gjinushi duke shtuar se ndaj u jepet rëndësi marrëdhënieve me qeverinë, duke vënë norma për bashkëpunim me institucionet e tjera.

Mes të tjerash, në projektligj merret parasysh edhe penalizimi i akademikëve. “Meqë jemi në kohë vetingu, të gjithë e kanë mendjen te penalizimi. Gabimi ka qenë që nuk është folur edh për nivelin e kërkimit shkencor, ku janë dhënë tituj e grada doktor në universitete. Nëse ka firo, do kesh profesorë falsë e akademikë po ashtu. Penalitetet shkojnë deri në heqje të titullit e gradës, kur janë marrë pa meritë, me plagjiatura a me punime false. Meqë doktoraturat janë themeli e stimul për mesazhin që japin. Veting mbi Akademinë? Mbi të gjithë, kushdo qoftë. Kush e ka doktoraturën me meritë, bëhet akademik në çdo rast. Kush e ka false, false i shkon e gjithë jeta”, tha Gjinushi.

Sipas tij, për këdo që ka pretendime, ka kallëzim a denoncim publik për falsitet të veprave a punimit me të cilin ka marrë titullin ajo rishqyrtohet. Ai që e bën shkeljen duhet të pajtohet me heqjen e të kërkojë falje publike.

“Kjo kthehet në normë ligjore, ngrihet institucione, mbase pranë Akademisë. Akademia mbetet buxhetore, akademikët nuk paguhen se punësohen. Akademikët kanë titull që shoqërohet me vlerësim monetar. Atë sherrin akademik me institute a jo e quajtëm pa vlerë, se do ketë institute e komisione afatshkurtra”, përfundoi Gjinushi.

I pyetur për faktin që Artan Fuga ishte kundër projektligjit, Gjinushi tha se “një kundër duhet edhe për lezet. Populli thotë për të prishur syrin”.

ARTAN FUGA
Akademiku që në gjithë këta muaj ka kundërshtuar Akademinë e Shkencave, Artan Fuga, tha ligji i ri ka mendësinë që Akademia të jetë me një model të dështuar, pra si një ombrellë institutesh kërkimore.
“Institutet që kanë dalë nga dera, të hyjnë nga penxherja. Ende mendohet se Akademia e Shkencave të jetë koka e sistemit të kërkimit shkencor”, thotë Fuga, duke shtuar se ligji është i mbushur me formulime kundërthënëse. Për të, konsiderimi i Akademisë së të rinjve si pjesë e Akademisë është paradoks logjik.
Duke u treguar i gatshëm të argumentojë qëndrimet e tij, Artan Fuga tha se në parim projektligji është i dështuar dhe nuk të çon askund.
Ai shton se komisioni ad hoc i reformimit të Akademisë është bllokuar me funksionimin e tij, ka punuar larg akademikëve, seksioneve e asamblesë, me konflikte interesi, me superpozime me komisionin pranë zyrave të Ministrisë së Arsimit, unë mendoj se ka ardhur koha që ai të konsiderohet i shkrirë. “Unë sot druaj se pas zgjedhjeve farsë, do të kemi një reformë farsë”, përfundoi ai.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.