KULTURË

Burri shtatpaktë, Pashk Gjeçi: U hap dera e Dantja më la vetëm

18:00 - 09.09.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli – Një burrë shtatpaktë, i kërrusur aq sa mosha dhe hekat, i kanë lejuar t’ia përthyejnë kurrizin, shfaqej dhe shuhej mes pluskimit të vërshimit njerëzor të qytetit që huajti si vendbanim, qytetit që nuk mundi të ishte djep, por do të ishte purgator mundimesh rraskapitëse dhe parajsë kaplimi të eterit të hirshëm. Rendte ngeshëm me vështrimin përdhe pa i rënë në sy akujt. Hynte nga dera e një auditori, dilte nga kthina e një heshtjeje që zvargej pas tij si një hije, e… kërrusej në zhguallin e shfletimit dhe shkrimit duke jetuar botët në frymëmarrjen e një kraharori që kërcente tinëzisht nën petkat e vjetruara. Albert Vataj jep një përshkrim besnik të imazhit që shumëkush ruan për burrin e heshtur që si murg i fjalës, diku i strukur në një strehë modeste pranë “Shallvareve” solli në shqip disa prej veprave madhore të letërsisë.




“Botimet Çabej” logoja e të cilave gjendet mbi librat që Gjeçi shqipëroi, shënojnë në këtë shekull të tij se gjuha shqipe rritet sa herë matet me lisat e gjatë. “Është 100-vjetori i lindjes së Pashk Gjeçit, i atij që e rriti shqipen tonë duke e matur me lisat më të gjatë të letërsisë botërore: E mati me Odiseun e Homerit, e mati me Danten duke e renditur përkthimin shqip të ‘Komedisë’ në tre përkthimet më të mira të të gjitha kohëve. E mati me ‘Faustin’ e Gëtes duke i dhënë zë shqip dilemave të ndërgjegjes universale. Shqipja dhe ne krijesat e saj i jemi mirënjohës këtij Mjeshtri’ të cilit do t’i shkonte sot krejt për shtat vargu i tij shqip nga Fausti: ‘Çka farfurit, pa lindun mirë ka vdekun / E thjeshta u shkon breznive e paprekun”. Ka qenë ky përkujtimi që Botimet “Çabej” kanë bërë për përkthyesin e njohur në 100-vjetorin e lindjes me 7 shtator. “Në emër të breznive shqipfolëse, edhe të atyre që ende s’kanë lindur, të falemi nderës, Pashk! Paç jetë të gjatë mëse një shekull! Mos u lodh me ne, sa herë lexojmë pak e flasim shumë. E në t’kaploftë ndonjëherë lodhja a mërzia njerëzore, thuaji vetes vargjet e tua të Faustit: ‘Të bajmë edhe një hap der te ai gur/ Atje le të pushojmë mbas kësaj qetie/ Sa herë jam ulë vetar, kokën ndër duer/ lodhë lutjesh, agjinimi dhe urie”, lexojmë në faqen zyrtare të Botimeve Çabej. Ndonëse zyrtarisht përvjetori kaloi në heshtje, ata që e kanë njohur atë dhe punën e tij, si edhe Albert Vataj kanë kujtuar se Pashk Gjeçi, erdhi dhe iku në heshtje për të lënë ndër ne jo vetëm një vepër të ngjizur në caqet e përjetimit, por edhe kujtimin e brishtë të strukur në përvojat e atyre që e njohën.

“Me një jetë modeste, pa privilegje, megjithëse ishte nga të paktët që i meritonte. Rendi i përulur dhe sfidues me kohën dhe pasionin e shqipërimit. Përgjatë dyzet vjetëve ka jetuar në një dhomë shumë të ngushtë. Aty ka përjetësuar emrin e tij, megjithëse në ngrysje të kësaj jete nuk ndihet mirë me shëndet. Këtë askush nuk e di. Ashtu siç pak vetë e dinë që ‘Komedia hyjnore’ erdhi nga Pashko Gjeçi”, thotë Vataj.

Në fakt, kur shpirti i tij u nda prej trupit në vitin 2010, ai doli për në banesën e fundit, po prej asaj dhome të ngushtë në qendër të qytetit që qe jeta e tij e ‘deka’ e tij që e la mënjanë, në një prej rrathëve të ferrit, pa e vrarë, po pa e falur, vetëm se diti dhe vetëm se qëndroi i papërkulur në shpirt, siç u përkul në trup.
Atëherë pasi u lodh prej hjekave në 92 vjet, një ditë i dha fund, në kthinën e katit të dytë, duke bërë t’i mblidheshin së vdekuri ata që e harruan së gjalli, për të marrë prej lavdisë së tij, edhe orët e fundit të tij mbi dhe. Prej “Arrës së Madhe” në Shkodër, te Jezuitët, i dashuruar pas Çabejt, pasi mësoi latinishten ‘ngjalli’ në prej gjuhës së vdekur poezi duke e sprovuar dorën e mendjen në shqipërim. Mandej nisi shkollimin në Romë, diplomohet me temë mbi Dom Ndre Mjedën dhe kthehet të japë mësim në Shkodër. Kur ata që fituan luftën erdhën në pushtet, ai shkon në Durrës dhe dukej se çdo gjë po shkonte në udhë të mbarë deri kur më 4 shtator 1947 ndalohet me akuzën “Pjesëmarrje në grup kundër pushtetit” dhe dënohet me pesë vjet heqje lirie. Mandej nisin vuajtjet. “P. Zefi thoshte se Pashku pat nisë ta përkthente Danten me mend qysh gjatë burgut. Lirohet më 1952 lirohet dhe vendoset edhe njëherë në Shkodër me familje, ku bën punë të rënda krahu për të jetuar. Më 1953-’54, TOB-i i kërkon të përkthejë veprën “Traviata” duke gjetur kështu shpëtimin te Verdi nga puna e krahut.

Më 1954-’58 punon si mësues në shkollën tetëvjeçare të Fushë-Krujës, kohë që i shërbeu për përkthimin e ‘Komedisë Hyjnore’ të Dantes, Purgatorit dhe Parajsës”, shënon Vata. Më 1962 botohet e plotë “Komedia” me parathënie të Ll. Siliqit dhe Pashkut i jepet shpërblimi prej 300 mijë lekësh të vjetra. Më 1963 nis përkthimin e “Odisesë” së Homerit nga greqishtja e lashtë, duke pasur variantet italisht dhe frëngjisht të veprës. Më 1964 martohet me Gjystina Kapedanin, banon me të ëmën, të shoqen dhe të bijën në po të njëjtën banesë me një dhomë. Çifti u nda mbas jo shumë vitesh. Më 1965 vazhdon si mësues në shkollën e natës në Kombinat. Nga 1968 gjer më 1972 jep latinisht në Fakultetin e Mjekësisë. Ndërkohë, më 1969 ‘Komedia Hyjnore’ botohet në Kosovë. Martohet me Nezaqet Gaganin e ato kohë latinishtja hiqet nga programi mësimor. Në moshën 85-vjeçare, ai tregonte se si ish-i burgosur politik e sollën në qytezën e vogël të Fushë-Krujës, ku u emërua mësues në shkollën shtatëvjeçare. “Aty vendosa të përktheja poetin e famshëm italian Dante Aligerin, poezitë e të cilit unë kisha filluar që t’i përktheja që kur isha 17 vjeç në bankat e Liceut të Shkodrës. Përkthimin e “Komedisë Hyjnore” të Dantes, unë e mora përsipër për arsye se ai ishte përkthyer edhe në Bashkimin Sovjetik, e përkthyesit të saj i ishte dhënë çmimi “Stalin”. Shfrytëzoja orët e para të mëngjesit para se të fillonte mësimi dhe çdo ditë hidhja në letër nga katër vargje në gjuhën shqipe. Disa prej këtyre vargjeve, në mos gaboj ato të “Ferrit”, ia tregova mikut tim të ngushtë Llazar Siliqit, i cili i botoi menjëherë në revistën “Nëntori”. Ndonëse ato u pëlqyen mjaft dhe u vlerësuan nga shumë njerëz dashamirës, kritika e asaj kohe heshti, sepse nuk mund të shkruante për një ish-të burgosur politik. Meqenëse i kisha vënë detyrë vetes që ta përktheja me çdo kusht Danten, vazhdoja të punoja çdo ditë dhe kishte raste për një varg më duhej tre katër ditë punë. Pasi kisha përkthyer mijëra vargje në ato tre vjet, katër vargjet e fundit i kam përkthyer një ditë të shtunë kur tre kolegët e mi kishin shkuar në Tiranë. Ato i mbarova aty rreth orës katër të mëngjesit dhe kur i mbarova, m’u duk se u hap dera e prej aty doli Dantja e më la vetëm”, – kujtonte Pashko Gjeçi atë çast kur mbaroi së shkruari në shqip një nga kryeveprat e letërsisë botërore, “Komedia Hyjnore” të Dante Aligerit. Nga miqësia me Jusuf Vrionin, te njohja me Gjergj Fishtën, a bisedat me Ernest Koliqin, ai mundi ta radhiste veten mes emrave të tyre falë orëve të natës ku në ferrin që jetoi shqipëroi natë e ditë botët hyjnore të gjuhëve të tjera. Gjeçi vdiq më 20 janar 2010 duke e lënë bosh vendin e tij në letrat shqipe.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.