KULTURË

Azis Beu dhe Hëna, një histori nga vitet 1930

13:55 - 14.02.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli – Ka mjaft mjegull në shkrimin e historisë sonë, ka mjaft trukime. Në shumicën e rasteve historia e shkuar është shkruar për t’u shërbyer interesave të ditës dhe kjo ka sjellë mjaft gjëra të paqarta, mjaft mjegull në këto kronika”. Bashkim Hoxha e shpjegon edhe kështu raportin tonë me historinë, teksa do vijë para lexuesit me një roman që zhytet thellë në kohë.
Janë vitet 1930, Shqipëria drejtohet nga Zogu, shteti po rreket të marrë tiparet moderne duke lënë pas 500 vitet nën Perandorinë Otomane.
Romani nis pothuajse brutalisht, sjell një ndjesi të “frikshme” për shkak të një gjendjeje perverse dhe banale që pothuaj duket se e penalizon vetë romanin. Por sapo mendon se është i rëndë, një faqe më tej, shpërfaqen reale e të fortë, të ashpër e krenarë, të pagdhendur e të papjekur, të zotë e zgjuar, zengjinë e fshatarë, profilet e burrave shqiptarë. Diku-diku janë krejt, të zakonshëm, mandej tërësisht atipikë, diku janë heronj e matanë imoralë, të pagdhendur. Ai duket se ridimensionon një histori, duke dashur të vërë përballë jetët njerëzore dhe madje anët e të njëjtit njeri, ku qëndrojnë përkrah ana njerëzore, banale, brutale ndaj historisë së trukuar e monumentale.




E ka titulluar “Kronikat e mjegullës” dhe ndjen në të një atmosferë shqiptare tipike për kohën. Në një farë mënyre, Hoxha sjell këndvështrimin e tij personal që i është rrënjosur mbi historinë e kohës. Thotë se një vështrim të tillë i ka sjellë edhe letërsia në përgjithësi. “Por, përveç këtij këndvështrimi, letërsia ofron edhe një mënyrë tjetër për ta kundruar historinë si një jetë njerëzore, madje edhe në mënyrë anekdotike. Pikërisht kjo mënyrë e të vështruarit ndryshe të historisë nga letërsia më ka ngacmuar prej kohësh për të shkruar këtë roman. Kam katër vjet që merrem me të”, – ka thënë Hoxha.
Shkrimtari, gazetari dhe dramaturgu që drejton Teatrin “Aleksandër Moisiu” mendon se tri sfidat kryesore gjatë shkrimit të romanit kanë qenë pikërisht, përplasja me këndvështrimin e historisë me të cilën na kanë indoktrinuar deri tani, krijimi i raportit të historisë me jetën e thjeshtë dhe banale njerëzore dhe sfida e tretë ka qenë që e gjithë kjo të vijë përmes letërsisë dhe këtu e ka ndihmuar shumë “Dekameroni” dhe Konica.
“Romani ‘Kronikat e mjegullës’ jep mundimet shqiptare nën atmosferën e viteve ’30, me ironi dhe ndërgjegje se si e kaluara mbetet për individin shqiptar aq e afërt në psikozë, mentalitet, përballë pushtetit, parasë dhe seksit, nga njerëzit e rëndomtë deri në autoritetet drejtuese, ose asaj që ashtuquajmë – elitë”, shkruan gazetarja Violeta Murati në një bisedë të bërë me të.

Romani është i ndarë në “kapituj” që mbajnë emërtesa burrash e profile burrash. Mbi dhjetë portrete meshkujsh, për secilin nga një karakter e nga një qëllim. Kur pyetet se pse e ndan kaq shumë këtë histori me shqiptarët burra ai ka thënë se ka qenë e qëllimshme, por kjo ka ardhur si pjesë e natyrshme e historisë sonë. “Në rreshtin e parë kanë qenë gjithmonë burrat, vendimet merreshin në logun e burrave, vendimet e tyre i kanë dhënë tonin jetës njerëzore në përgjithësi. Me sa duket, në këtë aspekt kam respektuar një realitet historik. Azis beu na vjen si protagonist, duke ndjekur sagën e transformimit të tij – pothuaj e një politikani sot, që nuk shfaq kurrë pendim, ndërgjegje, duke ndërtuar një botë njerëzore me të cilët nuk duhet të merremi seriozisht”. Por ai mohon të ketë qenë alibi e shkrimtarit për të justifikuar romanin apo moralin personal. “Azis beu dhe Hëna janë dy personazhet kryesorë rreth të cilëve vërtitet historia e mbushur me dashuri dhe armiqësi. Janë personazhe që unë i dua, për faktin se nuk mund të thuash se cili është i mirë apo cili është i keq. Janë rrethanat që i bëjnë ata të duken të këqij apo të mirë”.

Duke qenë se atmosfera e romanit na çon në vitet ’30, e gjen edhe personazhe realë si Konica, në të ndjehet atmosfera ironike si te Doktor Gjilpëra, tani jo murtaja fizike, por ajo mentale e drejtpërdrejtë ku, për të kërkuar se kush janë shqiptarët ai bën një “bisedë” me Konicën dhe Fishtën, Krist Malokin e Mbretin Zog. “Konica ka qenë frymëzimi im. Vështrimet e tij kontroverse dhe realiste gjithmonë më kanë ngacmuar, por në këtë roman më ka pëlqyer edhe fakti se ai dhe personazhe të tjerë historikë janë vetëm figurantë të historisë që përjetojnë personazhet e tjerë letrarë dhe jo historikë. Unë e besoj se ‘çdo njeri është i rëndësishëm në jetën e tij”- thotë Hoxha.

VLERËSIMET
Meqë kam patur fatin ta lexoj dorëshkrim, dëshiroj të them që kemi të bëjmë me një roman krejt të veçantë në letrat shqipe, por edhe në galerinë e pasur të Bashkim Hoxhës. Kësaj here jemi në një roman breznish, ku historia politike e shekullit XX rrëfehet me mjaft mjeshtëri, guxim, madje pa droje për të shembur idhujt. Ky libër nuk duhet të mungojë në bibliotekë, ndërkohë që nuk lexohet, por përpihet me një frymë”, ka shkruar Kel Demi. Ndërsa sipas Rezarta Reçit, romani ka një “ide të guximshme, e realizuar zhdërvjellshëm e me kujdes në një rrem të bukur e të pazakontë ku historia e popullit tonë ngrihet e bie bashkë me heronjtë e vet, siç ka ndodhur realisht nga njëra kronikë tek tjetra, nga njëra stinë politike tek tjetra për fatin tonë të keq historik, por aq fatmirë për shkrimtarin Bashkim Hoxha që ka mundësi të luajë me alën, idenë, gjuhën e zgjedhur, mjetet rrëfimtare ku dominon ironia”.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.