KULTURË

Bertin Christelbauer: Një sonatë e një lutje në burgun e Spaçit

15:15 - 02.06.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira NIKOLLI-Gjatë kohës që Fatos Lubonja flet, Bertin Christelbauer e ndjek me vëmendje e herë pas here diç i pëshpërit. Në një prej këtyre pëshpëritjeve i kujton të flasë për muzikën që dëgjohej me detyrim nga të dënuarit politikë, që u ishte mbyllur jeta në shpatet e Spaçit. Lubonja hesht një hop, e kujton fortafolësin që vinte muzikë të detyruar. Për ta, ajo muzikë që jehonte në tarracat ku rrinin të dënuarit ishte një lloj tjetër i dhunës. Christelbauer e di, siç di edhe muzikën që donin të dëgjonin të dënuarit. Ka qenë një lexim i “Ridënimit” të Fatos Lubonjës në gjuhën angleze, që e ka sjellë me një sërë koncertesh në Shqipëri dhe ka qenë po ai libër, që e ka sjellë në kampin-burg në malet e Mirditës.
Është pothuaj muzg në Spaç, kur programi me pjesë letrare e muzikore ka mbaruar. Janë përkujtuar tre rebelët – të burgosurit politikë Fadil Kokomani, Vangjel Lezho dhe Xhelal Koprencka, që u pushkatuan më 28 maj 1979. Qenë dënuar se patën shkruar letra ku kërkonin në mënyra të ndryshme demokraci.




Bertin Christelbauer ka luajtur në violonçel Franz Schubert, Alexander Glasunov, Johan Sebastian Bach, Dmitri Shostakovich dhe një “Prayer” nga Ernest Bloch. Janë lutje e sonata për njerëzit që qenë ngujuar në kodrën e Spaçit, në burgun më famëkeq komunist. Janë tinguj për ata që humbën jetën në këtë kodër e në galeritë e minierës përbri. Violonçelisti austriak ka qenë ideator dhe pjesë e një udhëtimi të pazakontë muzikor nën kujdesin e ambasadës austriake në Tiranë “me violonçel dhe piano përmes Shqipërisë”. Si pjesë e këtij programi, ata u ngjitën në burgun e Spaçit, duke luajtur muzikë në zonën ku dikur qe ndaluar çdo i huaj e çdo i jashtëm, përveç fatkeqëve guximtarë që patën kërkuar lirinë e që në këmbim u dënuan të jetonin në malin e ashpër. Tingujt e ashpër e vajtues të violonçelit prapë e zhbënë misterin e rëndë që bart burgu, e zhbënë hijen e trishtë të kodrës ku mjegulla mbulon të shkuarën, duke i shtuar një tis hijesh vendit që syrgjynosi shqiptarët. Bashkë me Zamir Kabon në piano kanë luajtur pjesë muzikore nga Bach, Beethoven, Schubert dhe Schostakowitsch. Ishte një homazh për ata që nuk janë më, por që qenë aty, të ngujuar për disa dekada, duke provuara anën më të keqe të pushtetit.

Bertin Christelbauer në një intervistë të shkurtër për “Gazeta Shqiptare” rrëfen marrëdhënien e tij me Shqipërinë prej 15 vitesh. Tregon martesën me një shqiptare, fëmijët e tij gjysmëshqiptarë dhe interesin për letërsinë e historinë dhe për ata njerëz larg kryeqytetit, që u duhet thënë se nuk janë harruar.

-Kur ke ardhur për here të parë në Shqipëri
Hera e parë që kam ardhur në Shqipëri ka qenë me një grup studentësh të universitetit të muzikës në Vjenë. Ka qenë një udhëtim nëpër Shqipëri atëherë dhe unë jam impresionuar nga njerëzit, peizazhi. Isha përgatitur për Shqipërinë nga Letërsia. Kisha lexuar Kadarenë. Ishte viti 2004, pra 15 vite më parë. dy vite më pas, rastësisht njoha një vajzë shumë të mirë, në Vjenë një mbrëmje. Ajo ishte nga Shqipëria. Solla në vëmendje kujtimet e mia nga Shqipëria dhe munda ta impresionoj atë me kujtimet e mia dhe njohuritë për Shqipërinë. Që prej vitit 2011 ne jemi të martuar dhe kemi 4 fëmijë. Prej asaj kohe kam udhëtuar disa herë drejt Shqipërisë dhe është pjesë e zemrës sime.

-Si mësuat për Spaçin?
Përveç muzikës, kam interes të madh për letërsinë e historinë. Dhe duke qenë kurioz për Shqipërinë, kisha marrë në duar letërsinë e kujtesës a rrëfimet e burgjeve. 7 vite më parë bleva librin e Fatos Lubonjës, “Ridënimi”. E lexova me përkthim në anglisht dhe ia dhashë librin time shoqeje, ajo e lexoi dhe i bëri shumë përshtypje. Kështu filloi një farë marrëdhënieje e jona me Fatos Lubonjën, sepse ishte ime shoqe që më tha se Fatos Lubonja është një emër kyç për të shkuarën dhe për analizën bashkëkohore të Shqipërisë.

– Si lindi koncerti në burg?
Po mendoja se cili ishte kontributi im si muzikant klasik për historinë, në aspektin e kujtesës, ose për kulturën e kujtesës? Mendova se do të ishte mirë të bëja një koncert atje, mbase duke e shoqëruar me dëshmitarë të kohës, me letërsinë që është fokusuar në Spaç dhe që tregon Spaçin. Më pas, vitin e shkuar, ambasadori i Austrisë në Shqipëri, Johann Sattler, e pëlqeu idenë dhe erdhëm në këtë koncert.

-Ju luajtët edhe një pjesë muzikore që të dënuarit e kishin dëgjuar gjatë kohës që jetonin në Spaç.
Po, edhe atë. Për mua, çelësi në librin “Ridënimi” ishte kur ai në fund të librit i quan artistët heronjtë e njerëzimit. Numërova më pas që kanë qenë 23 kompozitorë që ka përmendur. E pashë si një çelës, sepse ai përmendte Shubert, Shostakovich. Ideja ishte të sillnim këta heronj, këto emra që kanë frymëzuar dhe kanë qenë të rëndësishëm në këto kohë të errëta, menduam t’i sillnim sërish në Spaç. Një koncert vetëm me muzikë do të kishte qenë krejt normal, por që ndërkohë të jenë aty edhe dëshmitarë e ish-të dënuar të burgut të Spaçit, është tjetër gjë. Ndaj jam shumë i kënaqur që u bë i mundur. Është hera e parë në Spaç, sepse doja të vija kurdo që të vija me Lubonjën.

-Keni interpretuar me një pianist shqiptar, Zamir Kabon. Si erdhi bashkëpunimi juaj?

Ka studiuar në Salzburg dhe e kam njohur para disa vitesh Zamirin. Kur mendova për koncertin këtu, mendova se do të ishte mirë të luaja me një pianist dhe mendova emrin e tij si zgjedhje të parë.
-Spaçi është vetëm një prej ndalesave. Keni qenë edhe në fshatra si në Kryezi në Pukë e në Shishtavec në Kukës. Pse?
Unë kam dashur që ta çoj muzikën, muzikën time, muzikën klasike, aty ku ka njerëz që nuk janë mësuar me të. Jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vende të tjera. Është Tirana ose kryeqyteti, vendi ku ndodh gjithçka, ndaj mendoj se është interesante ta çosh muzikën në pjesë të tjera të vendit dhe të tregosh që nuk janë të harruar. Për mua ka rëndësi takimi direkt me ta. Dhe çdo ditë ka qenë e ndryshme. Kam luajtur në teatër, kam luajtur në një shkollë në veri (Shishtavec Kukës dhe Kryezi në Fushë-Arrëz). Na është dashur të improvizojmë, por ka qenë shumë bukur.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.