AKTUALITET

Muço: Evazoni fiskal, një sëmundje për ekonominë që rrit pabarazinë

14:00 - 09.08.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro  – Sipas Bankës Botërore, rreth 40% e bizneseve në vendin tonë operojnë në informalitet, rreth 47% e TVSH-së nuk mblidhet e në disa taksa, sipas tyre, evazioni varion nga 50%-100%. Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, eksperti i ekonomisë Klodian Muço, njëkohësisht lektor në universitetin “Aleksandër Moisiu” tregon se sipërmarrësit e mëdhenj janë ata që bëjnë më shumë evazion fiskal dhe stimulojnë rritjen e pabarazisë. Më tej, eksperti bën me dije se sipërmarrësit, qofshin këta të mëdhenj apo të vegjël, bëjnë evazion pasi ecin me arsyetimin se risku i evidentimit dhe kosto e tij është më e ulët se përfitimi nga evazioni. Sipas tij, lufta ndaj evazionit është pozitive, por lufta e evazionit ndaj biznesit të vogël është e fokusuar keq apo e keqmenaxhuar.




Cilët janë disa prej shkaktarëve kryesorë për stimulimin e evazionit fiskal?
Rreth 700 milionë njerëz në mbarë botën jetojnë në varfëri të plotë, pjesa dërmuese e tyre gjenden në vendet në zhvillim, siç është edhe Shqipëria. Në këto vende, çdo vit rreth 230 miliardë euro evazion fiskal shkojnë nëpër parajsat fiskale. Kjo shumë është sa 6- fishi i shumës vjetore të nevojshme për të luftuar dhe eliminuar varfërinë ekstreme brenda 2025. Sipas disa përllogaritjeve, rreth 86% e kësaj pasurie të fshehur në parajsat fiskale i përket vetëm 0.013% të popullsisë. Pra, janë të pasurit dhe sipërmarrësit e mëdhenj, ata që bëjnë më shumë evazion fiskal dhe stimulojnë rritjen e pabarazisë. Sipas një raporti të “Global Financial Integrity”, në periudhën 2008-2013, fluksi i parave të dala nga evazioni fiskal dhe aktivitetet kriminale në 31 vende në zhvillim ka qenë më i lartë se buxheti që shkonte për shëndetësinë apo ai që shkonte për arsimin. Shpesh, në këto vende, shumë nevoja urgjente dhe esenciale për rritjen dhe zhvillimin ekonomik të vendit braktisen në favor të një klase oligarkike, që po pasurohet gjithmonë e më tepër.

Si paraqiten nivelet e evazionit në vendin tonë?
Në dy dekadat e fundit, në vendet në zhvillim pabarazia e të ardhurave po rritet gjithmonë e më tepër. Të pasurit paguajnë gjithmonë e më pak në raport me fitimet e tyre e të varfrit janë të “dënuar” t’iu ngelen gjithmonë e më pak para për konsum. Evazionin që bëjnë të pasurit e paguajnë të varfrit. Ky rregull vërehet me “përpikëri” edhe në Shqipëri. Evazioni në Shqipëri është i lidhur ngushtë me ekonominë, te ne ekonomia duket sikur nuk bën dot pa evazionin fiskal. Jo vetëm kaq, por edhe pse evazioni është në nivele alarmante e që përfaqëson një dëm për gjithë kombin, qeveria insiston gjithmonë e më shumë te fakti se evazionin e bëjnë mikrobizneset apo bizneset e vogla e, me dashje apo pa dashje, harron se rreth 75% e të ardhurave fiskale vijnë nga biznesi i madh dhe biznesi i vogël është 100% i varur nga ai i madhi.

Si mund të luftohet evazioni fiskal?
Nëse do të luftosh evazionin, nis nga lart, pra nga i madhi, për të vazhduar në vijim të më i vogli. Nëse fabrika e ujit regjistron dhe shet me faturë tatimore 100% të ujit që ambalazhon, biznesi i vogël e ka të pamundur që të blejë me faturë tatimore e të mos e regjistrojë atë si shitje. Po ashtu, qeveria duhet të kuptojë që nëse dëshiron të luftojë evazionin, inspektorët tatimorë duhet të jenë po aq të përgatitur sa janë edhe kontabilistët e miratuar. Pra, hapi i pari ndaj luftës së evazionit dhe informalitetit duhet të nisë nga përmirësimi i burimeve njerëzore, e në vijim nga kontrolli ndaj të mëdhenjve. Evazioni fiskal mund të konsiderohet si një luks, që vendi ua lejon disa sipërmarrësve të mos paguajnë taksat.

Sa për qind e bizneseve në Shqipëri operojnë në informalitet?
Ky evazion, në Shqipëri më shumë se në çdo vend tjetër, është i vështirë për t’u matur për arsye që dihen. Sipas Bankës Botërore, rreth 40% e bizneseve operojnë në informalitet, rreth 47% e TVSH-së nuk mblidhet, e në disa taksa, sipas tyre, evazioni varion nga 50%-100%.

Sa efektive kanë qenë nismat e ndërmarra në Shqipëri për minimizimin e evazionit fiskal?
Sipërmarrësit qofshin këta të mëdhenj apo të vegjël bëjnë evazion pasi ecin me arsyetimin se risku i zbulimit/evidentimit dhe kosto e tij është më e ulët se përfitimi nga evazioni. Lufta ndaj evazionit është pozitive por lufta e evazionit ndaj biznesit të vogël është e fokusuar keq apo e menaxhuar. Vetëm në 5 vitet e fundit janë bërë 2 aksione anti-informalitet, as të parët nuk gjeneruan ndonjë rezultat, pse duhet vazhduar me të njëjtën strategji kur dihet se rezultati s’ka qenë pozitiv këtu do hynte në punë thënia e Ajshtajnit për marrëzinë. A ka një parashikim se sa do jenë të ardhurat e rikuperuara? Flitet se në parashikimin më optimist do jenë 40 milionë dollarë po ai realist është jo më shumë se 20 milionë dollarë? Vallë a mjaftojnë këto para për të mbuluar kostot e aksionit?

A ka praktika efikase, që kanë funksionuar në vende të ndryshme të botës?
Përgjatë viteve janë propozuar një sërë praktikash për të luftuar evazionin. Në Tajvan, çdo kupon tatimor shoqërohet me një numër, ky numër të lejon të marrësh pjesë në një lotari që organizohet çdo 2 muaj, ku mund të fitohen deri në 25000 euro. Sa më shumë kuponë tatimorë të keni, aq më i lartë është probabiliteti për të fituar. Në Angli, në letrat që dërgojnë inspektorët tatimorë lokalë, përdoret një gjuhë shumë agresive, për vonesat e pagesave ndaj taksave arrihet, deri aty sa shkruhet “do vijmë do t’ju shqyejmë derën e do ju marrim edhe fëmijët nëse nuk paguani”. Në Itali kontrollohen shpenzimet e secilit individ, duke kontrolluar edhe kartat e klientit të supermarketeve për të parë se sa janë të ardhurat dhe shpenzimet e secilit individ e bëhen studime të ndryshme sektori. Po ashtu, stafi tatimor dhe personat përkatës që arrijnë të rikuperojnë evazionin fiskal, arrijnë të marrin deri në 50% të shumës së rikuperuar nga evazioni si institucion. Një pjesë e kësaj shume ndahet si bonuse për stafin. Në vendet nordike po stimulohet çdo ditë e më tepër paraja elektronike, kanë arritur deri aty sa të penalizojnë personat që paguajnë me para në dorë. Pagesat me karta krediti apo karta debiti japin mundësinë e regjistrimit të çdo pagese. Këto pagesa grumbullohen dhe shoqërohen me kodin fiskal të çdo klienti dhe shitësi pastaj përcillet çdo muaj te agjencitë kombëtare tatimore.

Ju si ekspert ekonomie, çfarë propozoni për përmirësimin e situatës?
Personalisht nëse do më kërkohej mendim për reduktimin e evazionit fiskal, do të sugjeroja stimulimin e marrjes së kuponit tatimor me anë të avantazheve të prekshme, monetare, në të tilla kushte të gjithë do të kishin interes t’i kërkonin tregtarit kuponin tatimor edhe nëse ai do hezitonte të mos të jepte atë. Psh., TVSH-ja paguhet nga konsumatori te shitësi, ky i fundit ia kthen shtetit. Por nëse ne do të shtonim edhe një kalim tjetër e pastaj ta mbyllnim këtë proces, evazioni fiskal në detaje do të reduktohej në mënyrë drastike. Mendoni nëse shteti ne do na kthente mbrapsht një pjesë të TVSH-së së paguar. Ne mund të dorëzonim një herë në tre muaj gjithë kuponët tatimorë dhe shteti do të na kthente mbrapsht 2-4% të TVSH-së paguar (kjo shumë e kthyer do të rikuperoj disafish nga reduktimi i evazionit fiskal). Në këtë mënyrë jam i bindur se s’do kishte më qytetar që të mos kërkonin kuponin tatimor. Për më tepër, me një algoritëm të thjeshtë, institucioni tatimor do kishte mundësi në vijim të verifikonte edhe kush deklaron më pak xhiro sesa ajo reale. Ky sistem mund të sofistikohet edhe më tepër, me anë të monedhës fiskale të propozuar nga S.Sylos Labini, ku kuponi tatimor mund të transformohet në monedhë për të bërë pagesa të tjera.

Mund të na përmendni disa masa të tjera kundër evazionit fiskal?
Forma të tjera për të luftuar evazionin mund të jenë evitimi nga ana e shtetit të disa kostove, si dhurimi i kasave fiskale, të cilat nëse do bliheshin në një vend tjetër, do kishin një kosto sa 10% e çmimit që kanë në tregun shqiptar, apo kolaudimin vjetor të tyre falas. Më tepër investime në sistemin arsimor dhe bashkëpunim me universitetet, për të pasur profesorët si konsulentë për politikat që do të ndërmerren në të ardhmen. Dhe në fund, por jo nga rëndësia, do të sugjeroja ligje më të rrepta për dënimin e korrupsionit. Sipas një studimi të universitetit të Lozanës në 2013-ën, 4.1% e të burgosurve në Bashkimin Europian ishin për krime ekonomike dhe evazion fiskal. Në vendet me evazion të ulët si në: Principatën e Monakos kjo shifër shkonte 23.1%, në Angli ishte 18.2%, në Gjermani ishte 14.1%, në Finlandë 6.1%, ndërsa në vende të korruptuara, si Rumania, Italia dhe Greqia %, ishte përkatësisht 0.2%, 0.4% dhe 1.2%. Pra, sa më shumë të dënohet evazioni, aq më i ulët është ai.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.