Kryesore

Kalatë njerëzore që po zhbëjnë Shqipërinë, një det shpresash në laps e letër

10:30 - 24.07.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli – Një kala trupash njerëzorë që rreken të ngjiten sa më lart për të ikur sa më larg. Puna e Roland Runës nën titullin “Hope” në laps e letër, të sjell në kujtesë anijet e tejmbushura me kala trupash njerëzorë që iknin nga Shqipëria në fillimvitet 1990. Puna është e 2018-ës ngase kalatë janë shformuar për të marrë pamje të tjera, por në mos si kala, si kulla të vogla, ato ende ikin, ngjiten lart për të ikur larg.




Një raport i OKB-së ka treguar këtë të mërkurë se 1.2 milionë shqiptarë kanë ikur nga vendi në 30 vite dhe 615 mijë të tjerë pritet të ikin deri më 2100.

Dhe vijmë kësisoj te utopia e termave që hë për hë janë përshkruese besnike të shoqërisë se rrudhur në shifra, terma e tema: kala që ikin në një det shprese, a qiej resh të bardha.

Portretet te “Hope” e Runajt nuk dallohen, ato janë fytyra trupash të skërmitur, puthitur njëri mbas tjetrit nga mungesa e hapësirës, që megjithëkëtë enden në detin e  pamatë drejt një bote po aq të pamatë ku do të vuajnë për hapësira jetese, për vendin e tyre në shoqëri e për vendin që lënë në turravrapin për të ikur. Varfëria, nuk është i vetmi emërues i përbashkët. Në fakt ironikisht është mungesa e shpresës që si titull përfaqëson vetë veprën.

Vepra e Runës është një prej veprave që shfaq detin e emigrimeve në vështrime njerëzish, peizazhin e shpresës për të kaluar në bregun përballë. Kompozimi i vizatuar nga Roland Runa, thuhet në tesktin kuratorial të ekspozitës “Shih detin, peizazhe riviere” sjell trupa të kapur fort në anijen-muzeale dhe shikime shpuese në kërkim të mbërritjes poshtë kështjellës plot mozaik klithmash.

Ekspozita mund të vizitohet në galerinë “Promenade” në Vlorë, përballë detit ku anijet ikin për të mos u kthyer.

EKSPOZITA SIPAS TEKSTIT KURATORIAL

“Shih detin, peizazhe riviere”, titullohet ekspozita që bën bashkë 34 artistë shqiptarë me propozime në pikturë, skulpturë, vizatim, muzikë, poezi… Prurjet tregojnë përmes veprave mënyrën si artistët kanë shpërfaqur raportin e tyre me detin, ndjeshmërinë e secilit për mënyrën si e shohin lëvizjen e detit dhe marrëdhënien me këtë pjesë të rëndësishme të habitatit njerëzor. Det koralesh nga Dhimitër Theodhori, korale ëndrrash që artisti i dashuronte marrëzisht dhe sot ekspozohen për të parën herë në hapësirat e “Promenade Gallery”, Theodhori tregonte nëpërmjet akuarelit se shpirtin pulëbardhat ia besojnë vetëm detit.

Shkumbime dramatike në tablonë e artistit Dritan Çelaj, sinfoni Vagneriane zhurmon në ajrin e mbrëmjes, forma të gdhendura në forma floreale dhe ku vende-vende bëhen si një pasqyrë e thyer, ku copëtohet tragjedia shqiptare në lundrim drejt Perëndimit, busulla drejtuar drejt gjirit të Eneas në Portin Badisko, Çela e trajton me penelata te forta dhe pikëzon yjet të cilat ndriçojne rrugëtimin poetik të artistit. Det kalorësiak në ritmin e kuajve të Adrian Çenes, ritëm i shfrenuar para bregut në muzgun e mbresave rrugëtare, Peizazh nga riviera me gurët si natyrë e qetë nga Erald Dine, qetësi meditimi në transparencat e ujit të pambarimtë. Brezaret në bregdetin e jugut nga mjeshtri Ksenofon Dilo, brezare që ende sot ruajnë brohoritjet e këngëve rinore, peizazh riviere si mozaik shumëngjyrësh.

Det i ngishëm në myshkun antik vjen në brigjet e një riviere të freskët, ajër i një stine të re ku shirat derdhen në ujdhesën piktorike të arkitektit dhe artistit Altin Ahmeti. Det perëndimesh vjen në eksplozivin koloristik të Emil Bakallit, perëndime nga arkivi i artistit Bakalli përhapen gjerësisht si një shkrirje metalesh shumëngjyrëshe. Det rikthimi në reflekset e lagështa të pikturës së Luan Boriçit, det avulloresh që të rrëmben shikimin e ku lundron imagjinata për të kërkuar portin e mikpritjes përballë kështjellës arbërore. Det i abstraguar në pikturën nga Bujar Luca ku stuhia le shenjën si tatuazh i ajrosur. Trupat e gdhendur në anatominë skulptorike i gjejmë në diptikun e vizatuar nga Arben Bajo, trupa Xhakometianë që përballë një lagune det qëndrojnë në pritje të largimit nga moli zero.

Në kujtesë brezash, takime ujdhesash në stacionin nën agrumet dhe qiparisat vjen në pikturën e Robert Përmetit, kostume detarësh, të cilat ruhen ende në kartolina dashurie maturantësh.

Artisti Billy Mazreku shfaq klithmën që vjen nga thellësia blu Yves Klein e peshkaqenit mik që lundron në tatuazh luspash, ngrehur në ajër si për të shmangur frikën nga spektatori jashtë akuariumit qelq.

Skënder Kamberi e stolis peizazhin nga riviera me vargje dritash të ngrohta, det që dhimbjen e zërave merr dhe e zbut nën ritmin e dallgës tramondane orange mbi pishat e larta mburojë. Mund të jetë një valixhe e harruar? Mund të jetë një valixhe me bombë? Puna e Kokës vjen si një metaforë analitike mbi fenomenin e emigracionit të paligjshëm dhe disi dështimin në përballjen e këtij fenomeni. Qytetërimi perëndimor, thotë artisti, shpesh përdor termin “një bombë sociale”. Figurat e artistit Alkan Nallbani vijnë si ato të Anahid, perëndeshë e pjellorisë e shërimit, pajtore e ujërave dhe e mençurisë, në mitologjinë armene e persiane, figura të cilat vallëzojnë në sfondin e mitologjisë. Artistët pamorë, shkrimtarët dhe poetët janë frymëzuar nga deti në gjithë format e tij; deti mbetet burim frymëzimi dhe reflektimi, kësaj ekspozite i shkon më së miri shprehja e poetit maroken, Abdelmajid Benjelloun: Ka një depozitë mijëvjeçare me ujë të freskët në shpirtin tim. Ajo vjen përmes gjuhës së artistëve shqiptarë që trajtojnë ndjeshëm marrëdhënien me këtë ujëmbledhës shpirtëror dhe e shohin detin edhe në kontekstin social, historik, politik, ku çdo element i trajtuar është lidhur me ndjesitë e forta të artistëve.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.