Detaje të reja dalin mbi shqiptarin Adem Rusi i cili humbi jetën në burgun e Larisës në Greqi. Mësohet se ai i ka shkruar një letër drejtorit të burgut ku i kërkonte që të vazhdonte shkollën.
Në letrën e siguruar nga korrespondentja e Panorama.al, ai thotë: “Sivjet mbarova 2 vjet gjimnaz dhe duhet te kthehem ne qeli dhe përditshmeria ime është shumë e mërzitshme për trurin tim”.
Sipas kësaj letre, Rusi shprehej se e vetmja rrugë shpëtimi për të ishte shkolla. Ai ndoqi mësimin në institucionin e quajtur “Shkolla e një mundësie të dytë” në burgun e Larisës.
Kujtojmë se Adem Rusi humbi jetën disa ditë më parë në furgonin e makinës së policisë që e shoqëronte atë jashtë burgut në një klinikë mjekësore.
Sipas mediave të huaja, gjatë kthimit për në burg, ai kishte varur veten në kangjellat e dritares së furgonit me lidhëse këpucësh. Por ky version i autoriteteve dhe mediave greke nuk është i besueshëm për familjarët e të ndjerit.
Më herët gjatë ditës së sotme, i vëllai, Shkëlqim Rusi deklaroi në një prononcim për mediat se këto pretendime nuk qëndrojnë teksa kërkon që autopsia e Adem Rusit të kryhet në Shqipëri.