DOSSIER

20 VITE MË PARË/ Gazeta Shqiptare: Kadriovski / Vdes pas kafesë te fqinjët. Gruaja, dëshmitare e të gjitha lidhjeve sekrete…

07:00 - 20.02.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

20 Shkurt 2002 – Çfarë shkruante “Gazeta Shqiptare” dy dekada më parë




 

Kadriovski / Gruaja, dëshmitare e të gjitha lidhjeve sekrete të bosit të drogës. Kush interesohej për eliminimin e 39-vjeçares

Dile Marashi, misteri në 30 minuta

Çfarë ndodhi me Dilen pas pirjes së kafesë te fqinjët. Kush e gjeti me shkumë në gojë dhe aventura spitaleve të Tiranës. Përse policia që e konsideronte “thesar” informacioni nuk hetoi asnjë moment dhe nuk kërkoi autopsinë. Çfarë dinte Dile Marashi për politikanët e mafiozët shqiptarë

Pas kafesë te fqinjët

Misteri i 30 minutave në shtëpinë e Diles

 Tiranë – “I dilte një shkumë ngjyrë rozë nga goja. Kishte 30 minuta që kishte ikur nga ne pasi piu kafenë. Për më shumë se gjysmë ore e pamë të mbytej në shkumën që i dilte pa pushim…”- rrëfimi i fqinjëve të Diles është ende emocional.

Vdekja e saj tre netë më parë, ashtu si dhe bashkëjetesa e saj me bosin e drogës Kadriovski, është e mbështjellë me një tis misteri të cilin ajo e mori me vete. Mbrëmjen e së dielës Aida, siç e njihte lagjja ka pirë një kafe te një fqinja e saj në pallat. Pasi ka rrufitur kafenë e saj ajo është larguar për të ngrënë darkë dhe kishte thënë se do të rikthehej përsëri te komshija. E para që e ka zbuluar Dilën mes shkumës së saj ka qenë pronarja e një lokali ngjitur me shtëpinë e Marashit. Ajo i ishte afruar shtëpisë së Dilës për ta pyetur në kishte ardhur uji, por aty gruaja ka parë nga dera e hapur e shtëpisë Dilën të shtrirë në korridorin e banesës. Siç rrëfejnë komshinjtë pronarja e lokalit ka dhënë e para alarmin. Pas thirrjes së saj përpara derës me kangjella hekuri që ishte e mbyllur nga brenda janë rreshtuar pothuajse gjithë banorët e shtëpive përreth. Për gati gjysmë ore, kanë rrëfyer dje për Gazetën dëshmitarët e ngjarjes, ata janë përpjekur që të thyejnë me sopata apo mjete të tjera të forta shufrat e hekurit të portës së jashtme të shtëpisë së dilës. Pasi kanë arritur të hapin derën ata e kanë çuar menjëherë në spital 39-vjeçarën nga Fushë-Kuqja. Sipas dëshmitarëve në ngjarje gjatë 30 minutave, nga momenti që Dila ka dalë nga shtëpia e komshijes deri kur e ka gjetur pronarja e lokalit, askush nuk e di se ç‘mund të ketë ndodhur me të. Të gjithë dinë se ajo ka folur me të ëmën në telefon, por nëse ka hyrë apo ka dalë njeri nga ajo derë gjatë atyre 30 minutave askush nuk di të përgjigjet. Dje trupi pa jetë i Dile Marashit është varrosur në fshatin Gurëz të qytetit të Laçit.

 

Pse u vonua ndërhyrja mjekësore ndaj pacientes

Aventura e makinës në spitale

 Që nga momenti kur dera e jashtme e ish-shtëpisë së Kadriovskit është hapur, komshinjtë e kanë hipur Dilen në një makinë dhe e kanë drejtuar për në spital. Fillimisht ata kanë “trokitur” në Spitalin nr.1 ku i është thënë se duhej të çohej të vizitohej sa më shpejt te një neurolog. Nga Spitali nr.1 makina me Dilen që vazhdonte të shkumëzonte ka mbërritur në dyert e Spitalit nr.2. Edhe këtu i kanë thënë sërish se ajo duhej të shkonte te një neurolog. Pas Spitalit nr.2 makina është “përplasur” në dyert e Spitalit nr.5. Në këtë spital mjeku, i cili ka vizituar Dilen, i ka hequr çdo shpresë se ajo mund të mbijetojë. Sipas neurologut Dila ishte goditur nga një hemorragji e fortë cerebrale. Si shkak të goditjes mjekët kanë dhënë stresin që gruaja 39-vjeçare ka kaluar gjatë muajve të fundit, pas arrestimit e burgosjes. Megjithatë ndihmën e dhënë mjekët nuk kanë mundur ta nxjerrin Dilen nga koma. Pas tetë orëve në këtë gjendje ish-gruaja e Daut Kadriovskit ka dhënë shpirt.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.