AKTUALITET

Ukrainasit përparojnë në Kharkiv, 50 kilometra kanë mbetur për të arritur në kufirin me Rusinë

20:06 - 11.09.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Forcat ukrainase po përparojnë në veri të Kharkiv, përveç jugut dhe lindjes, një ditë pasi fitimet e befasishme territoriale i detyruan rusët të braktisin bastionin e tyre kryesor në zonë.




Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky përshëndeti përparimin, duke e parë atë si një pikë kthese të mundshme në luftë dhe duke pohuar se dimri mund të sjellë më shumë përfitime territoriale nëse Kievi merr pajisje më të fuqishme.

“Në zonën e Kharkiv, ne filluam të përparojmë jo vetëm në jug dhe lindje, por edhe në veri. Deri në kufirin (me Rusinë) janë 50 kilometra”, siguroi kreu i ushtrisë, gjenerali Valery Zaluzny.

Shihni grafikun me përparimin e forcave ukrainase në rajonin e Kharkiv:

Sipas gjeneralit, forcat e armatosura të vendit kanë rimarrë më shumë se 3000 kilometra katrorë që nga fillimi i muajit.

Nga Moska, Ministria e Mbrojtjes pretendoi se forcat ruse po goditnin pozicionet e ushtrisë ukrainase në rajonin e Kharkivit me goditje precize nga njësitë ajrore, raketa dhe artileri.

Tërheqja nga qyteti i Izium shënon disfatën më të rëndë për forcat ruse që kur u larguan nga periferia e Kievit në mars.

Fitoret e Ukrainës janë politikisht të rëndësishme për Zelensky, pasi ai përpiqet ta mbajë Evropën të bashkuar në anën e Ukrainës – dhe ta furnizojë atë me armë dhe para – edhe pse një krizë energjetike po afrohet gjatë dimrit për shkak të furnizimeve të kufizuara të konsumatorëve evropianë me gaz natyror rus.

“Unë besoj se ky dimër është një pikë kthese dhe mund të çojë në çlirimin e shpejtë të Ukrainës. Ne shohim se si (forcat pushtuese) po largohen në zona të caktuara. Nëse do të ishim pak më të fortë në aspektin e armatimit, do të mund të çliroheshim më shpejt”, tha Zelensky në një forum politik. Ministria e Mbrojtjes e Britanisë tha gjithashtu sot se luftimet vazhdojnë rreth Izium dhe Kupyansk, e vetmja qendër hekurudhore që furnizon vijën e frontit rus në Ukrainën verilindore.

Ndërsa shënon 200 ditë që nga fillimi i luftës , Ukraina ka folur për sulme raketore dhe ajrore ruse gjatë natës. Bombardimet vazhdojnë edhe në lindje dhe jug.

Guvernatori rajonal i Donetskut Pavlo Kirilenko tha se 10 civilë u vranë gjatë natës . Më në jug, nëntë persona u plagosën në Mykolife.

Nga ana tjetër, guvernatori i provincës Belgorod të Rusisë, e cila kufizohet me Ukrainën, tha se “mijëra njerëz” kishin kaluar kufirin për t’i shpëtuar luftimeve në rajonin e Kharkiv. Shumica e tyre gjetën strehim tek të afërmit dhe miqtë që jetonin në Rusi, sipas Vyacheslav Gladkov.

“Sot 1342 persona janë të akomoduar në 27 qendra akomodimi të përkohshëm në zonë. Në përgjithësi situata është nën kontroll”, siguroi ai, duke sqaruar se pas mesditës nuk kishte më radhë të gjata njerëzish në kufi, ndryshe nga “nata e vështirë” e djeshme, siç e cilësoi ai.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.