AKTUALITET

Strasburgu rrëzon vetingun me firmën e Luan Dacit

10:33 - 04.10.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Gjyqtari Besnik Cani, i shkarkuar nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit, ka fituar gjyqin në Strasburg. Besnik Cani u shkarkua në 27 shkurt 2020 nga KPA.




Pjesë e vendimit për shkarkimin e tij ka qenë dhe Luan Daci, i cili u dënua me vendim të formës së prerë me shërbim provë për falsifikim dokumentesh.

Tashmë hapet mundësia që të gjitha vendimet ku ka qenë pjesë ish-anëtari i KPA Luan Daci, të ankimohen në Strasburg.

Me 6 vota pro dhe 1 kundër, “Strasburgu” e quajti të padrejtë vendimin për prokurorin Besnik Cani me firmën e Luan Dacit, kështu që çështja duhet të rikthehet për gjykim. Gjykata thotë se në këtë vendim është shkelur neni 6, paragrafi 1, i Konventës së të Drejtave të Njeriut, e cila detyron për një proces gjyqësor të drejtë brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e krijuar me ligj.

Megjithatë Gjykata ka pranuar qëndrimin e qeverisë shqiptare se mund të ketë një rrugë ligjore për kërkuesin për të kërkuar rihapjen e procedurave.

“Rrjedhimisht, duke pasur parasysh rrethanat e çështjes në fjalë dhe në masën që mund të jetë e mundur sipas ligjit të brendshëm, forma më e përshtatshme e dëmshpërblimit për shkeljen e së drejtës së ankuesit për një “gjykatë të krijuar me ligj” sipas nenit 6, 1 të Konventës do të ishte rihapja e procedurave, nëse aplikanti kërkon një rihapje të tillë, dhe rishqyrtimi i çështjes në një mënyrë që është në përputhje me të gjitha kërkesat e nenit 6, 1 të Konventës. Së fundi, kërkuesi kërkoi që Gjykata të anulonte vendimin e KPA -së të datës 27 shkurt 2020 dhe të urdhëronte Qeverinë ta rivendoste atë menjëherë në zyrën e tij të mëparshme. Në funksion të juridiksionit të saj dhe natyrës së shkeljes që u konstatua në lidhje me procedurat e verifikimit të kërkuesit, Gjykata e refuzon këtë kërkesë”, thuhet në vendimin e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut.

Për më tepër Gjykata rithekson se konstatimi i shkeljes së të drejtës për një gjykatë të krijuar me ligj në rastin konkret nuk mund të merret në vetvete për të imponuar mbi shtetin e paditur një detyrim sipas Konventës për të rihapur të gjitha çështjet e ngjashme që janë bërë që atëherë, ‘res judicata’. Cani është prokurori i parë në Shqipëri që fiton gjyqin në Strasburg përballë vettingut, por që sigurisht nuk lidhet me vettingun si proces por me një rast individual.

Luan Daci u dënua me 6 muaj burg konvertuar në një vit shërbim prove dhe kushtin që mos ushtrojë funksione publike. Hetimet e SPAK bindën gjykatën e posaçme kundër krimit e korrupsionit dhe Apelin e GJKKO të dënojë Luan Dacin me akuzën e falsifikimit të dokumenteve për të fituar postin e anëtarit të KPA. SPAK kishte kërkuar 1 vit burg. GJKKO vendosi se gjyqtari Luan Daci ka falsifikuar dokumentacionin në momentin që aplikoi për t’u bërë pjesë e trupës së KPA-së.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.