AKTUALITET

Borrell kthen përgjigje për pesë propozimet e Kurtit, i vë kushte për rundin e ri të dialogut

21:48 - 14.06.23 E.D
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Përfaqësuesi i lartë për politikë të jashtme dhe siguri i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha se një raund i ri i dialogut për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë nuk mund të organizohet para se Kosova të marrë hapa për të shtensionuar situatën.




Borrell, i ka kthyer letrën kryeministrit Albin Kurti pas 5 pikave të propozuara nga ai, duke theksuar hapat që duhet të ndërmerren për shtensionimin e situatës në veri.

Në deklaratën e tij, Borrell ka theksuar se është e nevojshme të merren parasysh mendimet e EULEX-it dhe KFOR-it dhe të konsiderohen si partnerë të plotë.

Si pikë e parë, ai ka thënë, se kryetarët e katër komunave veriore duhet që të punojnë nga lokacionet tjera, e që nuk janë ndërtesat e komunave.

Si hap të dytë ai ka përmendur tërheqjen e operacioneve policore të Kosovës në këto katër komuna, duke thënë që Njësia Speciale e Kosovës duhet të tërhiqet.

“Njësia speciale e Policisë duhet të tërhiqet. Paralelisht ne jemi duke kërkuar edhe nga Serbia mbështetje për tërheqjen e elementeve radikale nga këto zona”, ka shkruar Borrell.

Ai gjithashtu ka thënë se pikë e tretë është që zgjedhjet në komunat veriore duhet të mbahen sa më shpejtë që është e mundur.

“Presim që serbët e Kosovës të marrin pjesë në këto zgjedhje dhe këtë kërkesë ia kemi bërë të qartë Vuçiqit”, ka thënë ai.

Borrell në këtë letër drejtuar Kurtit, ka theksuar se ai është i gatshëm të thërras takim të nivelit të lartë, me një parakusht.

“Unë jam i gatshëm të thërras një takim të nivelit të lartë me ju dhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiç me parakushtin që ju të jeni gati të ndërmerrni hapat e nevojshëm për deskalimin e parë dhe hapjen e rrugës për zgjedhjet e reja vendore”, ka thënë ai.

Në fund të deklaratës, Borrell ka përmendur se dështimi për të zvogëluar tensionet do të sjellë pasoja negative dhe se 27 shtetet anëtare të BE-së janë informuar për masat e nevojshme. Ai ka premtuar se këto masat do të komunikohen publikisht.

“Ashtu siç e kanë bërë shumë të qartë 27 shtetet anëtare të BE-së, dështimi për depërshkallëzim do të rezultojë në pasoja negative. Shtetet anëtare janë informuar për masat dhe do të komunikojmë me to publikisht”, ka theksuar ai.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.