Gjykata e Tiranës i ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” me afat 40 ditë Dritan Goxhajt.
Togat e zeza kanë kërkuar informacion shtesë nga ana e drejtësisë së Kosovës në lidhje me akuzat e ngritura në ngarkim të ish-ushtarit te UÇK-së.
Përballë togave të zeza, Goxhaj ka pretenduar se nuk ka bërë asgjë të paligjshme përveç disa shkrimeve në rrjetet sociale.
Ai kërkohet nga autoritet e Kosovës për intimidim të dëshmitarëve.
Kujtojmë që Dritan Goxhaj, shoqërues i trupave amerikane gjatës Luftës së Kosovës në vitin 1999, u arrestua në Tiranë më datë 31 korrik.
Kush është Dritan Goxhaj
Dritan Goxhaj i është bashkuar UÇK-së si oficer i Ushtrisë Shqiptare në shkollën e aviacionit dhe ka pasur autorizimin e Shtabit të Përgjithshëm që të mbante kontakte me komandën e Forcave Amerikane në Shqipëri.
Ai është djali i ushtarakut Dilaver Goxhaj, i cili iu bashkua vullnetarisht UÇK-së, pas kërkesës së Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, kur iu besua detyra e zëvendësshefit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së dhe, me angazhimin e NATO-s në luftë, iu besua detyra e oficerit të bashkëveprimit me NATO-n.
Dhoma speciale
Më 2015, Kuvendi i Kosovës ka miratuar Ligjin për Gjykatën Speciale, e cila funksionon me ligje të Kosovës, por në territorin e Holandës. Në këtë institucion punojnë prokurorë dhe gjykatës të huaj.
Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.
Aktualisht, pranë Dhomave të Specializuara po gjykohen ish-krerët e UÇK-së – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi – që akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.