BLUETOOTH

Intervista speciale e Mesit: Jam i vetmi kampion bote që nuk u nderua nga PSG-ja, nuk e di për Botërorin e ardhshëm

11:33 - 22.09.23 E.P
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Lionel Mesi është i lumtur në Majami dhe kjo është e qartë. Gjërat po shkojnë shumë mirë si për të ashtu edhe për familjen e tij, të cilët janë përshtatur në mënyrë perfekte me jetën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sikur të kishin një jetë përtej Atlantikut.




Argjentinasi ka dhënë një intervistë për programin “Olga” në të cilën tregoi se si po përshtatet me realitetin e tij të ri, por gjithashtu la një mesazh për PSG-në kur u mor në pyetje për kohën e tij në Paris dhe nëse do të kishte preferuar të mos luante për PSG-në

 “Kështu ndodhi! E vërteta është se nuk ishte ashtu siç e prisja, por gjithmonë them që gjërat ndodhin për një arsye apo për një tjetër dhe megjithëse nuk ishte periudha ime më e mirë atje, unë jam shpallur kampion bote si lojtar i Paris SG-së. Gjithçka ndodh për një arsye dhe kështu duhej të ishte…”, deklaroi Mesi.

Në lidhje me marrëdhënien e tij me Mbapenë, Mesi dribloi, duke mos i kushtuar ndonjë rëndësi të veçantë: “Me Kilië marrëdhëniet e mia ishin të mira, si me gjithë shokët e tjerë të ekipit”. Por natyrisht që Mesi ka dhe ai rezervat e veta për periudhën e kaluar në Paris. Ajo që e ka lënduar më shumë argjentinasin, siç dhe e tregon vetë ishte mungesa e vlerësimit nga klubi francez pas fitimit të Kupës së Botës.

Në njëfarë mënyre i kuptoj, sepse isha në Paris, në Francë, në vendin të cilin unë me Argjentinën i kishim mundur në finalen e kampionatit botëror. Ndoshta për fajin tonë, Franca nuk mundi të shpallej sërish kampione e botës. Unë isha i vetmi lojtar që nuk pata një vlerësim, një urim përveç 25 lojtarëve të tjerë të kombëtares argjentinase. Por nuk ka asnjë problem, jeta vazhdon dhe gjithçka është OK”.

Mesi ka folur dhe për mundësinë për të luajtur edhe të një tjetër Botëror, atë që do të organizohet në SHBA, Meksikë e Kanada në vitin 2026.

“Nuk e kam menduar ende, është larg. Unë mendoj për Kupën e Amerikës, dua të bëj mirë atje me Argjentinën. Thjesht më intrigon fakti që Botërori luhet në SHBA, këtu ku po aktivizohem me Inter Majamin.

Në intervistën e tij Lionel Mesi ka zbuluar edhe synimet e tij të ardhshme: “Personaliteti im është që dua të fitoj, të jem konkurrues. Tani në SHBA është më qetë. Ndoshta nuk e kuptoj, luaj dhe përgatitem si gjithmonë, por ndoshta i shoh gjërat me një sy tjetër”.

“Lionel Mesi e di fare mirë se këto mund të jenë vitet e tij të fundit si futbollist profesionist. Herët a vonë ai do të hapë krahun dhe natyrisht të shumtë janë kuriozët që pyesin ose duan të mësojnë më shumë rreth jetës së Lionel Mesit pas futbollit.

“Edhe këtë që bëj e quaj punë dhe më pëlqen. Edhe në të ardhmen dua të bëj diçka që më pëlqen ta bëj. Çfarë do të bëj më pas nuk e di. Do të doja të isha drejtor sportiv, të isha me fëmijët, të mësoja”.

Lionel Mesi ka folur dhe për Inter Majamin dhe arsyet që e shtynë sulmuesin të linte Europën dhe të transferohej në SHBA.

“Ka njerëz që më kanë ndjekur gjithë jetën, që më njohin. Mund ta dallosh kur jam i lumtur, në fushë. Ideja ishte të filloja të qetësohesha pak pas kaq shumë vitesh karrierë, të shijoja futbollin dhe jetën diku tjetër. Dhe po bëj”.

Në fund dhe pak vend për jetën e Leos në Majami. “Ngrihemi në orën 7 me fëmijët, hamë mëngjes dhe herë i çoj në shkollë dhe ndonjëherë jo. Pastaj në klub fillojmë herët. Në klub ne kemi orare, si të gjithë ka gjoba… Ne stërvitemi dhe kthehem në shtëpi në orën 13:00. Aty drekojmë, shkojmë të marrim një sy gjumë. Pastaj shikojmë TV: seriale, filma, çfarëdo. Më pas shkojmë të marrim fëmijët dhe stërvitje përsëri”, ka deklaruar Mesi.

LEDJO SEFERKOLLI-PANORAMASPORT.AL


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.