AKTUALITET

Analiza/ Muharrem Salihu: Duhet dialog me arbëreshët e rinj

17:38 - 24.05.24 P. Gj.
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Nga Marco Muharrem Salihu

Shkolla e parë e të huajve në Venedik ishte ajo e shqiptarëve në 1448, para asaj të dalmatëve  në 1451, dhe e grekëve në fund të 1400-thotë Profesoresha Lucia Nadin, albanalogia më e famshme italiane, bashkëqytetarja ime, e Marco Muharrem Salihut, kandidati unik shqiptar në zgjedhjet europiane. Ky fakt mu kujtua si një kërkesë  e bashkëkombasve të mi, ndërsa me entuziazëm, ata po përgatiten që të dielën, në Milano të takohen masivisht me kreun e qeverisë, Edi Rama. Imagjinoj se do jetë një shfaqje e re emocionale e fuqisë së ekzistencës shqiptare, krejt ndryshe nga 500 vjet më parë kur vinin kalorës; vinin tregëtarë; priftërinj, vinin ndërmarrës, vinin luftëtarë e punëtorë.  Shfaqja italiane e kryeministrit tonë pason Athinën, ku ai mbajti një fjalim historik për shndërrimin e madh të shqiptarëve nga shërbyesit e djeshëm në zotërinjtë e sotëm, ashtu si dhe për marrëdhëniet midis dy shteteve. Megjithatë, problematika me Italinë është e ndryshme nga ajo me Greqinë ku jeton komuniteti më i madh kombëtar: ka diferenca të mëdha, por dhe ngjashmëri.

Afro një milionë sipas disa vlerësimeve, mbi 400 mijë me dy shtetësi, mbi njëqind mijë që kanë studiuar në universitetet italiane, me disa miliard euro depozita në bankat italiane, kontributorët kryesorë në 1 miliardë euro, para të ligjshme të remitancave që dërgohen në shtetin amë, ata përfaqësojnë një shtyllë të rëndësishme të ekzistencës së kombit tonë, familjeve tona, shtetit tonë. Dhjetë mijë biznese të vogla e të mesme kanë shqiptarët vetëm në rajonin e Verilindjes!Dhjetra linjat e fluturimit ditor drejt Shqipërisë tregojnë një emigracion të fuqishëm: shtresë e mesme, por dhe e pasur. Emigracioni nuk është dhimbje si në përshkrimet patetike, por burim fuqie dhe mund të jetë bekim për kombet e vogla si kombi jonë.

Takimi i kryeministrit me mijra bashkëkombas vjen në një kohë të vecantë për shtetin dhe kombin tonë.

Për shtetin, po se po. Ndihet qartë që Shqipëria e sotme falë angazhimit të qeverisë është rritur ndërkombëtarisht. Ka udhëhequr OSBE-në, ka qenë anëtare e Këshillit të Sigurimit, ka organizuar disa samite ndërkombëtare dhe ka fuqizuar lidhjet me shtetet kryesore të Perëndimit, duke mbetur gjithsesi kontributorja numër një e paqes në rajon. Shqipëria e ka ndërruar imazhin e vet drastikisht për mirë. Ajo po shndërrohet në njëlloj fuqie turistike. Mirpo duhet shumë të shndërrohet në fuqi ekonomike, energjitike, etj.

Për kombin: shqiptarët sot kanë dy shtete; bashkësitë shqiptare në Greqi e në Itali, duke vijuar më pas me ato në Gjermani e Angli, SHBA, etj, përfaqësojnë një energji të madhe ekonomike, kulturore, për vendet ku veprojnë, por dhe për vendin e origjinës.  Shqiptarët shteformues janë përcaktues në Maqedoni; si pakicë janë përcaktues politikisht në Mal të Zi. Shqiptarët në Serbi, janë udhëhequr keq, por dhe ata mund të jenë përcaktues nëse lidhen me magnetin kombëtar. Kombi shqiptar ka celsat e Ballkanit. Individi shqiptar ka arritur suksese të mëdha në afirmimin e vet profesional. Sporti, në një vit të rëndësishëm për pjesëmarrjen e Shqipërisë në Kampionatin Europian, pritet të gjenerojë një shpërthim të fuqishëm të krenarisë kombëtare, shpërfaqur kryesisht prej të rinjve të diasporës, por jo vetëm. Ekipi kombëtar i futbollit është sipas Porosisë së Skënderbeut, shprehje e qendrimit bashkë të gjithë “princërve lokalë”.

Pikëpyetja e madhe është: a do vazhdojë shteti shqiptar të funksionojë si më parë në marrëdhëniet me shqiptarët e Italisë dhe të diasporës në përgjithësi?

Unë them se JO. Duhet luftë ndaj statuskuosë, mungesës së vizionit, duhen kanale, skema, institucione të reja.

Duhet investim sipas modelit të shkollave shqipe në Greqi,, por dhe duke e përsosur këtë model për kulturën dhe gjuhën shqipe. Shteti në bashkëpunim me Italinë mike, duhet të organizojë mësimin e shqipes në shkollat italiane për fëmijët tanë, sepse ruhet psikologjikisht kontakti me të njëjtin mjedis ku qendrohet më shumë. Xhamitë po bëjnë dicka dhe për mësimin e shqipes, mirpo atje nuk hynë gratë, dhe shteti shqiptar nuk ka rol në këtë angazhim. Kisha ndikoi për ruajtjen e gjuhës dhe kulturës tek arbëreshët në 500 vjet, mirpo nuk është rasti sot t’ja atribuojmë vetëm një feje këtë rol ekskluziv.  Duhet angazhim dhe për Qendrat e kulturës shqipe që mund të jenë njëherësh të biznesit, etj. Modele ka.

Kur është puna tek modelet, duhet të ndjekim modelin rumun për konsullatat. Megjithëse afro 10 herë më të vegjël, në Itali jemi afro një milionë sa rumunët. Mirpo ata kanë 7 konsullata, ne kemi vetëm dy. Konsullatat rumune ofrojnë cmime të lira, janë të aksesueshme, mobile, po tonat??

Duhet votë e diasporës me cdo kusht. Me postë ndërkombëtare, ose jo, me IP,  apo sidoqoftë. Mund të ndodhte që një diasporë, të humbte gradualisht interesin politik për vendin e origjinës. Nuk është ky rasti i shqiptarëve. A ju kujtohet me sa pasion mjekët shqiptarë u përfshinë gjatë kohës së COVID, në emisione të pafundme edhe të mediave më të parëndësishme të Shqipërisë e Kosovës? Shqiptarët e duan vendin, duan të ndikojnë atje.

Shqipëria duke hapur qendrat e mikpritjes në Shëngjin, i shleu borxhin historik Italisë si përsërit kryeministri me të drejtë në mediat italiane. Metafora është e bukur: një vend origjine emigrantësh që ndihmon Italinë për të dekurajuar flukset nga Afrika, duke marrë ndonëse simbolikisht një barrë që duhej ndarë mes vendeve të BE-së. Mirpo kjo fuqi negociale e krijuar përkundrejt Italisë, duhet të përkthehet në kërkesa: si Tunizia që mban ujëra të pastra nga emigracioni e merr në këmbim prej Italisë korsi preferenciale për mallrat e veta.

Për këto kërkesa, si dhe për të tjera, ne duhet të komunikojmë me qeverinë Rama, qeverinë Kurti, Xhaferri dhe cdo qeveri. Duhet dialog, dhe jo vetëm fjalime e kërkesa në distancë apo nga afër. Meqënëse jetoj në një nga ato qytetet ku historia mijëvjecare bashkëjeton me të sotmen, po i kërkoj kryeministrit Rama si përfaqësuesi më i votuar i arbëreshëve të rinj në Europë në 9 qershor : thuaji homologes Meloni ta vendosim bustin e Skënderbeut në një shesh të Venedikut.. Ka aq shumë gjurmë të tij dhe të fisnikëve të tij në rrugë dhe pallate në qytetin tim të adoptimit! Arbëreshët e rinj do ndiheshin krenarë, para botës!


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.