KULTURË

Skënderbeu në portrete të panjohura dhe qëndisma e një të dënuari politik

10:30 - 26.01.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli – Skënderbeu i qëndisur nga një i burgosur politik qëndron pothuaj në hyrje të ekspozitës së çelur në Pallatin e Kongreseve, për nder të heroit në Vitin Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit Skënderbeut.




Por, para se të mbërrish te qëndisma, kalon nga holli qendror përmes kolonash të veshura në zi, në një sallë të krijuar enkas ku qëndron së pari, ajo që u përshkrua si imazh spektakolar i vulës së akteve shtetërore të Gjergj Kastriotit Skënderbeut”.

Në atë holl dhe korridorin e krijuar; muret, dyshemeja dhe çdo gjë përreth është mbuluar me të zezë, si vitet e zisë për Skënderbeun, prej kur na la pas motit të madh e deri më sot. Mandej, prej një ndriçimi me të cilin është punuar kujdesshëm, ndrijnë mbi zezomën e madhe, vetëm librat, pikturat, vizatimet, grafikat, skulpturat e objektet.

Në foto: Kopje e portretit të realizuar nga Gentille Bellini, pronë e familjes Curani

 

Mbi errësirën pis të zezë- farfurijnë copëza koleksionesh nga ai mbretëror i Adamidi Frashërit, te ai i Niko Kotheres a Ylli Sulës, të GKA-së a MHK-së, të privatit e të shtetit që përbëjnë në bashkimin e vet, një panoramë pothuaj pesëshekullore të gjithëfare gjurme që elitat shqiptare e të huaja kanë lënë në emrin e tij.

Tri ditët e “Yllit të Mëngjesit” po bëhen tashmë dhjetë, prej se siç lajmëronte kryeministri Edi Rama përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në “Facebook”, ka pasur mbi 3000 vizitorë për Tre Ditët e Yllit të Mëngjesit, si dhe qindra kërkesa për të zgjatur me një javë mundësinë e zbulimit të një itinerari krejt unik të përjetimit të Skënderbeut. Këto, janë gjykuar si arsye e mjaftueshme për një kohëzgjatje të shijimit të kësaj ngjarjeje vizuale.

 

Në foto: Vula së akteve shtetërore të Gjergj Kastriotit Skënderbeut

 

Prandaj, ai lajmëroi se kush dëshiron e ka mundësi, mundet ta shohë, deri më 28 janar nga ora 10:00 deri 22:00 për ta parë Yllin e Mëngjesit, së bashku me veprat dhe artefaktet e pashfaqura. Ekspozita nën kujdesin e Kryeministrisë është kuruar nga Tomas Frashëri.

TË RRALLAT E PANJOHURA A TË PASHFAQURA

Është me interes të shënohet se ky shkrim, nuk merr përsipër të jetë përmbledhës mbi ekspozitën, por kërkon vetëm të veçojë disa prej artefakteve të ekspozuara, përzgjedhur jo për vendin që zënë në ekspozitë, por për rëndësinë e veçantinë e tyre, sipas gjykimit tonë.

Në foto: 1926, Skënderbeu i qëndisur nga një i dënuar politik

 

Thënë kjo, vështirë të ketë gjësend të panjohur për koleksionistët e apasionuar pas artefakteve unike, për historianët a studiuesit e mesjetës a më gjerë. Por, për një publik të gjerë, ekspozita ofron shumëçka, që del për herë të parë, edhe ngase ngërthen disa zhanre të duarve të arta.

E nis me një portret të Skënderbeut, qëndisur me dorë. E ka qëndisur një burrë dhe e ka qëndisur kur vuante një dënim politik. E bën interesant fakti që kur vuante lirinë në kohën që shteti shqiptar konsolidohej, qëndiste për ditët e fundit të lirisë së Arbërit.

Portreti i qëndisur i Skënderbeut i vitit 1926, është në mëndafsh me përmasa 950×600 mm, është pjesë e fondeve të Muzeut Historik Kombëtar. I punuar nga Qemal Xhelal Shtina gjatë kohës që shlyente një dënim politik në kohën kur Ahmet Zogu po forconte pushtetin, në qëndisje paraqitet Skënderbeu në këmbë. Në dorë mban një shpatë të madhe dhe të drejtë (shpatë ceremoniale), mbi supe ka hedhur një pelerinë, që i varet deri në fundin e këmbëve dhe mbi krye përkrenaren.

Në foto: Medaljoni i 1978, Paris

 

Në projektorin përkrah, shënimi mbi qëndismën shënon se ajo është bazuar mbi një imazh shumë popullor në çerekun e parë të shek.XX, atij të Skënderbeut me armurë, në moshë të thyer, për çka më sipër u shënua, se ishin ditët fundit të lirisë së Arbrit. E megjithëkëtë, vihet në dukje se punimi është mjaft i arrirë për nga rafinimi e eleganca.

Po i rrallë, por i mëvonshëm është edhe një portret tjetër i heroit, ai që është ruajtur nga Familja shkodrane, Curani. Portreti pak i njohur, hamendësohet të jetë një farë kopjeje e portretit të Gentile Bellinit. Ajo hyri në zotërim të familjes së Tefë Curanit, një prej organizatorëve të Kongresit te Triestes.

Vizatime, grafika, piktura, portrete, buste të heroit, qëndrojnë në një krah- për të gjetur mes tyre edhe objekte, si shpata e harkuar me doreze dhe mill të praruar të shek. XVII, pjesë e koleksionit Mbretëror të Adamidi Frashërit. Shpata, i përket zonës së Dangëllisë dhe ka qenë ceremoniale. Ka të gdhendur një mbishkrim në greqisht, ku lexohet një huazim i psalmit të Davidit “Gjyko o Zot ata që më godasin, lufto o Zot ata që më luftojnë”.

Në foto: Ikonë udhëtimi shek.XVI

 

Shek. XVI

Një tjetër vepër me interes, është një anonim i shekullit pas shuarjes së heroit.

Anonim, George Castriot dict Scanderbeg. Prince D’Epire er d’Albanie regnant l’an de Nostre Seigneur, 1437 et trepassa l’an 1463 et son corps repose en la ville d’Alesse en Albanie.

Shkollë franceze, shek.XVI

Vajn në kanavacë, 113x88cm

Koleksion privat

Në ekspozitë, vihet në dukje se është “portret tepër i rrallë, të cilin deri më sot jemi mësuar ta shohim në riprodhime bardhë e zi, nëpër libra apo në panele muzeumesh. Shfaqet për herë të parë për publikun shqiptar, në një gjendje mirëmbajtjeje të admirueshme. Përveç shëmbëllimit me imazhet e para në gravurë të Skënderbeut, fill pas vdekjes së tij, sidomos nëpërmjet kësulës dhe dollomasë ‘pellanda’ me gëzof hermine, simbol i kastës mbretërore, ky portret i porositur nga familja kryesore mbretërore europiane e shek. XVI, kishte qëllim estetik, zbukurimin e një galerie portretesh të njerëzve të shquar të kohës, por edhe një qëllim pedagogjik; njohjen koncize të ‘pasaportës’ së tyre, siç e dëshmon didaskalia, e cila është pjesë  tërësisë së kësaj vepre të çmuar”.

Në foto: Portret i rrallë i shek.XVI

 

Viti 1575

Paolo Giovio (Paulus Jovius) Elogia Virorum Bellica Virtute Illustrium, 1575, Koleksion Privat

Përmban një gravurë të portretit të Skënderbeut, i cili paraqet ngjashmëri me portretin e hamendësuar të Bellini-t. Fakti është me interes nëse konsiderohet e saktë hipoteza sipas së cilës, autori Paolo Giovio, i cili këtë gravurë e cilëson ‘veris imaginibus’ e ka parë portretin e vërtetë të Bellini-t kur ka vizituar nipin e Skënderbeut, Ferdinando Castriota më 1527.

Viti 1917

Murat Toptani, Busti i Skënderbeut, 1917, Bronx, 29x18x10 cm, Galeria Kombëtare e Arteve, Tiranë      

I përfunduar pak kohë përpara se autori të ndërronte jetë, shënimi përkrah tij, shënon se ky bust, është gjithënjëherësh, një homazh ndaj figurës atërore të Skënderbeut dhe një gur zanafille në artin shqiptar, ngase konsiderohet, si busti i parë i heroit i realizuar nga një autor shqiptar në Shqipëri.

Për autorin, në një tjetër imazhin, jepet një bio e shkurtër, që i çon rrënjët e tij deri në derën e Kastriotëve, thënë kështu: “pinjoll i derës së madhe të Toptanëve të Krujës e Tiranës, përveçse bashkëshort i vajzës së Naim Frashërit, mbështetur në shumë skica gjenealogjike autorësh të huaj e shqiptarë, i konsideron pinjollë pret t’amblit të Shtëpisë së Kastriotëve”.

Një vepër nga Rogatien Faurres, Skënder Beu ose Hero-i shqipëtar, 1912 është marrë nga Koleksioni Niko Kotherja, Korçë.

Bëhet fjalë për një dramë me subjekt Skënderbeun, përkthyer nga frëngjishtja në shqip në alfabetin “Frashëri” ose alfabetin e Stambollit.

E veçantë është po ashtu, edhe një Ikonë udhëtimi, Shek.XVI, Koleksioni Mbretëror Adamidi Frashëri. Dikur në pronësi të një familjeje të moçme shqiptare, kjo ikonë me kapak të praruar, shënohet se bashkëlidh hijshëm traditën bizantine me ndikimet europiane të kohës.

Në foto: Kostum Arbëresh i Frashinetos

 

KOSTUME, DOKUMENTE, KALENDAR, 

Kostumi i zonjë arbëreshe i ekspozuar, është një punim mëndafshi, kadifeje, ari dhe argjendi- Muzeu Historik Kombëtar.

Ky ansambël i veçantë veshjeje i një zonje mbi të 40-at është dhuruar nga arbëreshë të Elaninas (Purçilli) të Frashinetos, në rajonin e Kalabrisë. Është një dëshmi e vyer e sa veçorive të petkave të çdo krahine arbëreshe, po aq sa edhe e të përbashkëtave të tyre.

Matanë dokumentet e letërkëmbimet e kohës kur kërkoheshin që armët e përkrenarja e Skënderbeut, të ktheheshin në Shqipëri. Sikundër, po aty gjendet edhe Kalendari mural i vitit 1913(40x50cm) nga koleksioni i Kotheres, shtojcë e periodikut “Kalendari Kombiar” që përgatitej nga Mid’hat Frashëri dhe shtypej nga Kristo Lurasi në Sofje.

Ky kalendar, u përzgjodh në këtë shkrim, për shkak të asaj që përfaqëson, çka e sqaron shënimi në krah tij ku thuhet se “e shihte Shqipërinë të pavarur më 1913” çka e bën të rrallë. Pos të tjerash, ky kalendar e përmban në qendër stemën e Kastriotëve, shfaq në cepin e nderit ‘lipsanat’ kombëtare, portretin, shpatën, dhe përkrenaren e Skënderbeut dhe në cepin tjetër një kartolinë përkujtimore të shpalljes së Pavarësisë nga Ismail (Qemal) Vlora.

Në foto: Bust nga Murat Toptani, 1917

 

Pranë saj, edhe “Kushtrimi i Skënderbeut” një poemth dramatik i 1924-ës, nga Ernest Koliqi, pjesë e koleksionit të Kotheres në Korçë.

Në të shkruhet se “shokvet të shoqnis s’Avni Rustemit, përvujtnisht auktori u a kushton kët libër të vogël”. Libri, thuhet në ekspozitë, mbetet një grimcë në morinë e veprave madhore mbi Skënderbeun, mes shumë syresh që u hartuan nga ajka e inteligjencës shqiptare në mbarë Shqipërinë e epërme.

Nuk është lënë jashtë “Yllit të mëngjesit” as Historia e Skënderbeut-Mbretit të Shqipërisë prej peshkopit Theofan(Fan Noli). Sikundër, rivjen tanimë para publikut shqiptar, një pemë gjenealogjike nga Skënderbeu te pinjollët e tij të sotëm në Itali. Themi rivjen, sepse ajo është botuar në ‘Gazeta Shqiptare’ në vitin 2011 bashkë me një intervistë të Giorgio Maria Castriotta Scanderbeg.

Me interes është edhe Medalja e 10-vjetorit të inaugurimit të Sheshit “Skanderbeg” në Paris (1978-1988) pjesë e një koleksioni privat.  Cilësohet në ekspozitë i tillë, pasi ndonëse 30-vjeçare, kjo medalje është një objekt i rrallë dhe i kërkuar nga koleksionistët. Shënohet në sqarimin bashkangjitur, se portreti i përdorur i Skënderbeut me diciturën “DVX EPIRI ALB SCANDERBEGUS” është i njëjti që gjendet në veprën e ekspozuar ‘Promtuati iconum insignorum a seculo homimun, 1575”.

Në foto: Fan Noli

Për sa më sipër e më gjerë, “venite e vedete” qe shprehur shefi i qeverisë. Ajo vijon të jetë e hapur deri të dielën, me artefakte e dokumente të rralla, disa prej te cilave ekspozohen për herë të parë, nga fondet e Muzeu Historik Kombëtar, Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, Galerisë Kombëtare të Arteve, Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave dhe disa koleksionistëve privatë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.