KULTURË

Të bashkëjetosh pa frikë me një të huaj

12:44 - 06.09.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Vasilika Tafa* – Frika erdhi papritmas dhe, me sa duket, pa ndonjë shkak. Në fillim ajo nuk ekzistonte tek unë, por më pas u bë dimensioni im i ri. Më kot përpiqem të gjej nga se u shkaktua… kështu fillon romani “Amerikë ’62 – de profundis “ – i shkrimtar bashkëkohor qipriot Panos Ioannides, i përkthyer nga Kleo Lati dhe i botuar nga Shtëpia e librit OMBRA GVG. Nëse me romanin e parë, “Korbi”, lexuesi shqiptar kishte njohur stilistikën e mrekullueshme të një shkrimtari të madh, romani “Amerikë ’62″ vizaton profilin e humanistit dhe intelektualit të angazhuar në mbrojtjen e identitetit dhe marrëdhënieve të komunikimit midis dy etnive, një populli që për shkak të gjeopolitikës është i detyruar të jetojë “i ndarë”. Frika mbetet ende pezull dhe përcaktuese në marrëdhëniet katër mijëvjeçare midis pakicës me popullsi turke dhe pjesës tjetër të besimit të krishterë, në Qipron e vogël ishullore por me histori rrëzëlluese, duke vizatuar me detaje edhe tiparet e një bote konfliktuale.




* * *
Është tetori i vitit 1962. Gazetarit qipriot Petro Arkondidhi, i akordohet një bursë nga Universiteti i Sirakuzës në Nju Jork, ku gazetarë nga shumë vende të ndryshme të botës ndjekin të njëjtin program. Mes tyre është Mehmet Riza Ozgul, gazetar turk. Por pavarësisht tensioneve politike mes Greqisë dhe Turqisë, pavarësisht fyerjeve midis grekëve të krishterë dhe turqve myslimanë, Arkondidhi dhe Ozguli bëhen miq të mirë.
Për Petro Arkondidhin, ky udhëtim drejt një “bote të re” është i rëndësishëm. Ambientet në të cilat i nevojitet të qarkullojë gjatë qëndrimit në Amerikë, njerëzit me të cilët takohet, situatat komplekse me mundësitë dhe pamundësitë që i duhet të përballojë si një Odise i kohëve moderne, janë përcaktuese dhe me ndikim edhe në formimin dhe fatin e tij. Krahas së vërtetës ku para syve të tij Amerika ngrihet me madhështi, në brendësi konstaton një botë thuajse të rrënuar. Autori i vendos ngjarjet në fillimin e viteve ‘60, kohë kur në historinë globale shfaqen shumë kontradikta të mëdha. Në sfondin e këtyre kontradiktave është edhe kriza raketore kubane.

Krizat që ka filluar të përjetojë kontinenti i madh, janë shumë më të rënda dhe më komplekse, krahasuar me konfliktet që ndodhin në Qipron ishullore rreth gjashtëmijëvjeçare, prej nga vijnë edhe protagonistët e romanit. Edhe pse me një periudhë katërmijëvjeçare të sundimit osman, ajo çka njihet si ngjarje kulmore në historinë e këtij vendi me popullsi të krishterë dhe myslimane është krijimi i republikës së pavarur nga vendet amë, duke sanksionuar edhe me kushtet e bashkëjetesën për pakicën turke dhe krijimin e një identiteti gjithëpërfshirës dhe të përbashkët qipriot.
“Amerikë ’62 – de profundis”, i quajtur edhe si roman udhëtimi, bazohet në shënimet që Ioannides kishte mbajtur midis tetorit 1962 dhe majit 1963 gjatë qëndrimit në Shtetet e Bashkuara, një kohë që është ngjeshur në kujtesën e miliona njerëzve nga kriza kubane, e cila e shtyu botën deri në pragun e një lufte bërthamore.

Romani rrëfen se si historia dhe biografia e personazheve kryesore ndikojnë reciprokisht tek njëri tjetri. Qiprioti Petro Arkondidhi dhe turku Mehmet Riza Oezguel, që u takuan rastësisht në Universitetin e Sirakuzëz, pavarësisht tensioneve politike midis Greqisë, Qipros dhe Turqisë, bëhen miq dhe ndërtojnë ura komunikimi dhe harmonie që i kapërcejnë pakënaqësitë tradicionale midis grekëve të krishterë dhe turqve myslimanë. Rastësia për të ndarë dhomën e hotelit bashkërisht është edhe një shans për të përjetuar reciprokisht ndjenjën e të jetuarit me një të huaj.
Petro, i biri i të emigruarve nga Azia e Vogël, gjen tek Mehmeti “mikun e tij të betuar” dhe ky i fundit sheh tek Petro “grekun human”. Ngjarja e cila zhvillohet në Amerikë, pikëtakon me kohën kur në Qipron me klimë të nxehtë politike për shkaktuar nga nacionalizmi etnik, edhe pse u ndërpre përkohësisht në vitin 1960 kur u themelua Republika, është faksimil i një solidariteti human dhe shoqëror, pa të cilin të dy personazhet nuk do të mund ta kishin përballuar amerikanizmin, siç e shpreh edhe vetë Mehmeti në roman. Është “ëndrra e madhe amerikane” ajo që ndikon në botët shpirtërore të personazheve, me shpirtin e pazakontë. Të ndërgjegjësuar për vetminë dhe të qënit të huaj në kontinentin e madh, ata hedhin pas krahëve armiqësinë e vjetër të kombeve, duke i qëndruar në çdo vështirësi më pranë njëri-tjetrit, aq sa edhe vetë nuk e besojnë se si ka nisur të funksionojë kjo lidhje harmonike.
Veç të tjerave, Petro Arkondidhit udhëtimi në Shtetet e Bashkuara i ka zgjeruar horizontin dhe e ka bërë që të pranojë pafundësinë e mundësive që garanton një bote e ndryshme nga ishulli, duke pranuar njëkohësisht se ruajtja me fanatizëm e modeleve të vjetruara, përballë përftimit të mentalitetit dhe përvojave të reja, përfundon në konflikt intensiv. Nga ky këndvështrim janë fokusuar edhe në roman situata e luftës së ftohtë, problemet e Qipros dhe kriza e Kubës, të cilat i “politizojnë” ndërveprimet e personazheve, duke shërbyer si rregullator i raporteve mes njëri-tjetrit dhe vendeve të origjinës.

* * *
Ioanides në vitin 2003 ishte duke punuar për një roman autobiografik. Duke shfletuar shënimet që mbante të mbyllura në sirtar prej dyzet vitesh, zbuloi ngjarjet dhe përvojat e dokumentuara që siç e ka vënë në dukje edhe në parathënien e romanit, “që edhe pse kishin kaluar kaq shumë vite, nuk kishin humbur asgjë nga vitaliteti dhe rëndësia e tyre”.
Procesi i shkrimit të kësaj vepre zgjati rreth katër vjet, dhe në vitin 2008 u botua dhe u hodh në qarkullim në Nikosia nga shtëpia botuese e mirënjohur “Armida Publication”. Përveçse në Qipro, kjo vepër është botuar në Gjermani, Turqi, Arabi, Amerikë dhe në disa gjuhë të tjera.
Panos Ioannides, i lindur në Amohosto vitin 1935, që nga mosha 20-vjeçare ka publikuar proza dhe teatër. Optika e problemeve në veprat e tij është identiteti qipriot. Si dëshmitar bashkëkohor dhe aktor gjatë luftës së çlirimit antikolonial, ngritjes së Republikës së pavarur, luftës civile me pakicën turke, pushtimit dhe okupimit i një të tretës së vendit nga Turqia, Ioanides ishte dhe është një mbrojtës i pathyeshëm i dialogut mes grekëve dhe turqve, të krishterëve dhe myslimanëve.
Vepra e tij letrare dhe funksionet e tij politiko kulturore (ai është drejtor i programit të Korporatës së Transmetimit të Qipros dhe kryetar i Qendrës PEN të Qipros) kanë shtuar në mënyrë të konsiderueshme zhvillimin e vetë konceptimit demokratik, pluralist dhe global të shoqërisë bashkëkohore, në pjesën e lirë të Qipros. Ato rrëfejnë mbi rrugëtimin e tij nga një luftëtar antikolonial në një avokat drejt integrimit, ato janë mesazhe harmonie që ngrihen mbi rrënojat e një epoke ndarjeje, përjashtimi dhe gjenocidi kulturoro etnik.
*Drejtore e Shtëpisë së librit OMBRA GVG


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.