SPORT

SHBA-të thyejnë Holandën dhe fitojnë titullin e pestë botëror

09:47 - 08.07.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Megan Rapino shënoi përsëri dje në finalen e Botërorit të femrave ndaj Holandës, duke ndihmuar SHBA-të që të mbronin titullin kampion në një ndeshje që konfirmoi përsëri amerikanet si superfuqinë absolute të futbollit botëror. Pjesa e parë u dominua nga ekipi amerikan, me sulme të pareshtura drejt portës holandeze, ku Van Venendal bëri disa pritje vendimtare për të mbajtur jashtë sferën. Por, golat munguan dhe pavarësisht mbajtjes më të madhe të topit apo aksioneve më të qarta, për të pritur golin e parë u desh pjesa e dytë dhe një penallti e diskutueshme.




Van Der Gragt goditi me takë në shpatull Aleks Morgan dhe pas konfirmimit me VAR, u vendos për një gjuajtje nga pika e bardhë. Rapino nuk gaboi si zakonisht dhe i dha avantazhin skuadrës së saj, që luajti më e qetë, duke kontrolluar me lehtësi ofensivën holandeze që nuk gjente dot të çara. Me një aksion perfekt të Lavel, çdo gjë mori fund në minutën e 69-të, pasi goli i saj vulosi rezultatin përfundimtar 2-0, që u dorëzoi trofeun SHBA-ve për herë të pestë në histori. Për Megan Rapino dhe shoqet e saj, kjo fitore ishte më domethënëse, pasi kishin sfiduar disa ditë më parë presidentin Tramp. Rapino ishte shprehur e sigurt se nuk do t’i ftonin në Shtëpinë e Bardhë, ndërsa Tramp u ishte kundërpërgjigjur që para se të fliste, duhej të fitonte kupën. Përgjigja e vajzave amerikane erdhi, tashmë mbetet të shihet nëse Tramp do të ketë guximin t’i thërrasë ato, të cilat e kanë sfiduar publikisht mbi qëndrimet e tij politike e sociale.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.