Mijëra njerëz humbën vendet e punës kur Rama vendosi të mbyllte kompanitë e basteve. Operatorë, menaxherë, kamerierë, banakierë, u hodhën në rrugë sepse qeveria deklaroi se do të mbyllte kompanitë e basteve. Në fakt ato nuk u mbyllën asnjëherë dhe vepruan në të zezë për më shumë se tri vite. U shmangën miliona euro taksa nga veprimtaria e tyre në të zezë dhe në fund Rama e pranoi dështimin.
Kryeministri komunikoi tri ditë më parë rikthimin e basteve, mirëpo nuk tha asnjë fjalë se cilat kishin qenë humbjet nga mungesa e taksimit të këtyre bizneseve fitimprurëse, cila ishte kostoja e mijërave të papunëve dhe kush mban përgjegjësi për këto. Kishte nxjerrë tellallët e tij prej muajsh që të përdornin “sportin” si nevojë për të hapur llotot duke përgatitur terrenin për të lëpirë atë që kishin pështyrë më 1 janar të vitit 2019-të.
Tani çështja është cilin Ramë duhet të besojnë shqiptarët: Atë që përmendte Kuranin kur mbyllte bastet, apo këtë tani që thotë se do t’i lejojmë vetëm online se kemi merakun e lekëve të fëmijëve të këtij vendi…?! Po për ata të gjorët që përfunduan në burg se vunë ndonjë skedinë ilegale mban dikush përgjegjësi…?! Prisni se nuk keni parë gjë akoma…