AKTUALITET

Ruajtja e ekosistemit të Deltës së Bunës kushtëzon habitatin e shpendëve/ Alarmi i studiuesit: Nga 4 mijë shpendë, numëron sot vetëm 1400!

22:42 - 04.09.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

ARISTIR LUMEZI/ Delta e Bunës përbën një gamë të larmishme të habitateve unike natyrore, duke përfshirë ligatinat e rëndësisë ndërkombëtare. Përveç mbështetjes së një bote të pasur të natyrës së egër dhe bimësisë autoktone dhe të mbrojtur ajo njihet gjithashtu edhe për peizazhin e saj të dallueshëm kulturor që është streha e rreth 36,000 banorëve.




Fatkeqësisht, ekonomia e rajonit është e dobët. Praktikat e paqëndrueshme bujqësore, shndërrimi i ligatinave në toka bujqësore, si edhe shkatërrimi i habitateve bregdetare të shkaktuara nga turizmi në rritje, po ndikojnë në disponueshmërinë e ujit dhe rregullimin e zonës.

Peizazhi i Mbrojtur Lumi Buna – Velipojë përbën një nga ligatinat më të rëndësishme bregdetare të vendit. I pozicionuar ndërmjet Liqenit të Shkodrës dhe Detit Adriatik, zona është përcaktuar si një peizazh i mbrojtur (IUCN kategoria V) më 2005, me një shtrirje totale prej 23,027 ha. I pozicionuar përreth deltës së Lumit Buna, Parku mbështet një shumëllojshmëri të madhe të komuniteteve ligatinore.

Së bashku me depozitat e kohëve të fundit të dunave bregdetare dhe shpateve të ulëta karstike në brendësi të zonës, peizazhi përfshin një shumëllojshmëri të llojeve gjeologjike, peizazheve, habitateve dhe llojeve të bimëve dhe kafshëve.

Por sa janë rrezikuar ndër vite dhe cila është perspektiva e specieve që jetojnë në këtë ligatinë?

Taulant Bino, Ornitolog, studion prej më shumë se 25 vitesh speciet e ndryshme në këtë zonë dhe gjetjet e fundit ngrejnë një shqetësim shumë të madh në lidhje me atë që po ndodh në ligatinën e Bunës.

“Ka një rënie të ndjeshme të numrit të shpendëve. Matjet e para tonat janë bërë në vitet 1993-1994, kur numëroheshin 4000 shpendë, ndërsa nga matjet e fundit të këtij viti rezultojnë rreth 1400 shpendë, 60% më pak. Këta 4000 shpendë qëndronin gjatë sezonit të dimrit, si bajzat, pulëbardha, rosa, etj. kur zona nuk kishte ende shenja të urbanizimit”, shprehet Bino jo pa shqetësim për të ardhmen e këtij ekosistemi shumë të larmishëm dikur.

Po cilat janë shkaqet e vërteta të në rënie kaq të madhe të vizitorëve por dhe banorëve rezidentë fluturues në këtë zonë?

Zoti Bino shprehet se “sigurisht që rënia drastike e numrit të shpendëve vjen për shkak të aktiviteteve nga njeriu, urbanizimit, aktiviteteve ekonomike në zonë. Zona e ka humbur realisht karakterin natyror që kishte”.

Degradimi i ekosistemit ka ccuar në një kërcënim serioz për shumë specie të cilat konsiderohen edhe globalisht të rrezikuara.

“Nga 340 specie shpendësh të vrojtuara rregullisht në Shqipëri, ekosistemi i Bunës numëron mbi 253 specie të vrojtuara në zonë që prej 1993, nga të cilat 6 janë globalisht të rrezikuara, si shqiponja e madhe e rosave, skifteri këmbëkuq, turtulli, kryekuqe e mjemë, rosa e zezë krahbardhë dhe kredharaku me veshë. Vijnë aktualisht por janë më të rrallë. Shqiponja ka kohë që nuk shihet më. Gjuetia e paligjshme përbën një presion të madh ndaj shpendëve. Pra është 2/3 të faunës së shpendëve që shfaqen aty”, u shpreh zoti Bino.

Për studiuesin e apasionuar me botën e shpendëve, ndryshimet gjeografike kanë ndryshuar habitatin e mijëra zogjve.

“Ka qenë një zonë shumë e rëndësishme edhe për folezim dhe dimërim të shpendëve. Gjatë folezimit shpendët kërkojnë më shumë qetësi dhe siguri. Ka pasur një koloni shpendësh në ishullin e Franc Jozefit, i cili sot nuk ekziston më sepse është bashkuar me pjesën e Velipojës. Me bashkimin e këtij ishulli, kjo koloni u zhvendos sepse shpendët që duan të ngrejnë fole kërkojnë vende më të sigurta, të mbrojtura nga grabitqarët e tokës. Ka pasur mbi 2000 cifte shpendësh me shumë specie dhe është zhvendosur në Malin e Zi, dikur banonin në Shqipëri”, u shpreh zoti Bino.

Fotografët e apasionuar

Për ta dokumentuar këtë pasuri të madhe shpendësh në këtë ligatinë, fotografë të apasionuar kanë zhvilluar herë pas here ekspedita dhe konkurse për të fiksuar zogjtë e rrallë, specie të rrezikuara. 17 fototgrafë nga vende të ndryshme të botës të tërhequr nga fauna dhe flora që ofron liqeni i Shkodrës dhe Delta e Bunës kanë bërë një set më qindra foto me bukuritë natyrore që ofron kjo zonë.

Grupi i fotografëve ndërkombëtarë e kanë nisur këtë tur nga Liqeni i Shkodrës për të përfunduar në grykëderdhjen e lumit Buna ku përmes aparateve të tyre fotografike kanë fiksuar pamje të rralla të florës dhe faunës së kësaj zone.

Fotografët shprehen të impresionuar me atë çfarë kanë gjetur në liqenin e Shkodrës si përshëmbull shqiponjën peshkngrënëse një shpend i rallë në llojin e saj. Një nga organizatorët e këtij aktivitetit, Ilir Hebovija thekson se kjo nismë e marrë të mos jetë thjeshtë një nisëm rastësore por një nismë që do te ndihmojë turizmin në Shkodër.

“Kujdesi ndaj Lumit të Bunës dhe Liqenit të Shkodrës në këto 30 vite ka qenë minimal nga institucionet dhe mendoj se duhet të jenë vetë qytetarët më shumë se pushteti që duhet ta ruajnë këtë ekosistem, nëse unë hedh një shishe plastike në lum, e kam dëmtuar prej një kohe të gjatë ambientin ku unë jetoj. Duhet të fillojë kujdesi nga vetë qytetari. Por nga ana tjetër ne duhet të mbështesim fuqishëm ripërtëritjen e bimësisë dhe gjallesave në këtë zonë”, u shpreh Hebovija.

Fotografimi i florës dhe faunës së liqenit të Shkodrës dhe deltës së Bunës kishte si qëllim krijimin e një fondi unik të jetës së egër në vendit tonë dhe fotot t’i shërbejnë teksteve shkollore të të gjitha niveleve të arsimit.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.