SPORT

Gega: Fitorja ndaj Tiranës detyrim, Hoxha nuk luan!

10:36 - 29.11.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Jeton Selimi – Partizani pret Tiranën në kryendeshjen e javës së 15-të me një objektiv të vetëm, fitoren. Natyrisht që triumfi në derbi është një detyrim më shumë sesa trepikëshi, pasi duke qenë se është ndeshja më e ndjerë në kryeqytet, të dyja skuadrat duan të japin një performancë të mirë për të kënaqur tifozët e tyre. Trajneri Skënder Gega, në konferencën e fundit për shtyp të zhvilluar në prag të takimit kundër Tiranës, tregon se të kuqtë duan suksesin e radhës. “Partizani është një familje e madhe dhe ekipi është i kompletuar. Ekipi është i karikuar dhe do të bëjmë të pamundurën të dhurojmë spektakël dhe të japim atë që tifozët presin prej nesh. Kundërshtarit nuk do t’i hiqja asnjë lojtar. Mjafton që të fitojmë dhe të jemi të sigurt e të kujdesshëm. Besoj se ecuria jonë është ajo që tregon se kush është diferenca. Jemi në vend të parë e kryesues, pavarësisht se kemi bërë tri humbje, kemi treguar se jemi ekip solid, me agresivitet, vrapon 90 minuta, ekip i ndërthurur mirë eksperienca me të rinjtë. Kjo është diferenca. Jetojmë të dy palët në Tiranë dhe këtu nuk ka diferencë të madhe. Por ky kampionat, kjo fazë ka treguar se ne jemi të parët se e meritojmë. Pjesa tjetër është diferenca mes pikëve”.




Megjithatë, te Partizani ujërat nuk kanë qenë të qeta. Portieri dhe kapiteni i skuadrës, Alban Hoxha, ka humbur tre ditë stërvitje pasi është gjendur i dehur në timon dhe forcat e rendit e kanë shoqëruar në komisariat. Për trajnerin Gega, gjërat janë të qarta. Hoxha nuk do të luajë në derbi. “Gjërat kanë funksionuar mirë, por ka pasur edhe raste të veçanta që na ka penguar në ecurinë tonë. Përpara derbit do të donim që Alban Hoxha të ishte në 100%, për më tepër është edhe kapiten, por si qytetar duhet t’i marrim pak më gjerë këtë. Nuk besoj se do të luajë. Si sportist nuk duhet të ishte në atë vend në atë kohë. Ligji është për të gjithë njësoj. Çdo lojtar e di rregulloren e klubit. Ne flasim çdo ditë dhe sjellja jonë duhet të jetë e kontrolluar. E presim në stërvitje, por klubi ka ligjet dhe kriteret e veta, që Hoxha të ballafaqohet me atë që ka bërë. Kemi kriteret tona, për sjelljet e pahijshme. U ndodh edhe lojtarëve të mëdhenj, por nuk duhet ta sjellim si kulturë. Si me Albanin, si me Trashin, qoftë edhe pa mua, apo presidentin në tribunë, Partizani duhet të dijë të jetë gati për derbin.”

Natyrisht që edhe Lorenc Trashi nuk po kalon një moment të mirë, teksa ishte pjesë e listës së dënimeve nga ana e Komisionit të Disiplinës. “Njerëzit janë të ndryshëm, kanë temperamentin e tyre. Gjatë ndeshjes në Vlorë ishte jashtëzakonisht korrekt, në dhomat e zhveshjeve ishte jashtëzakonisht korrekt. Ishte një shembull. Por në 90 minuta nëse je në një ambient të mbyllur, kur ke 2-3 veta që kalojnë kohën duke të sharë, përdorin fjalor jo normal për vende normale, besoj se të shqetëson. Çdo gjë që ndodhi pas ndeshjes nuk ka të bëjë fare me shiritin e kapitenit, sepse kemi një grup lojtarësh që janë titullarë dhe kanë një kontribut të jashtëzakonshëm, edhe mes tyre ndryshon temperamenti. Shiriti është i rëndë për disa lojtarë. Performanca tregoi se Trashi nuk e ka mendjen te shiriti. Sa i përket vendimit të Komisionit të Disiplinës, nuk i di rregullat dhe ligjet e saj. Kam qenë prezent dhe e di sa e vështirë dhe sa presion është kur një lojtar shahet 90 minuta pa pushuar, duke qenë në fushë e bërë punën e vet. Nuk e kemi çuar ne Trashin te Disiplina, njerëzit e federatës kanë çuar Trashin te Disiplina”,-tha ndër të tjera gjatë konferencës së djeshme timonieri i kuq.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.